Artistët e pavarur letër Edi Ramës: Kërkojmë të drejtat tona edhe të njihemi ligjërisht, jo lëmoshë!

25 Prill 2020, 17:52| Përditesimi: 25 Prill 2020, 20:11

  • Share

Dita që institucionet e Kulturës do të hapin dyert duket ende e largët. Për muzetë, galeritë, teatrot, kinematë, etj., që bëhen mundësi grumbullimi do të duhej investim, riorganizim hapësirash, rregullash dhe disiplinë për t’u rivënë në funksion, por për plane konkrete nga Ministria e Kulturës ende nuk është folur. Ata që po e vuajnë më shumë këtë situatë, janë artistët e pavarur, të cilët nuk janë përfshirë në asnjë nga paketat ekonomike të qeverisë.

“Periudha është shumë e vështirë, kemi ngelë në shtëpi edhe pa punë, nuk e dimë as kur do të fillojë puna. Është e vështirë se nuk e dimë se si do të funksionojë, dhe se çfarë do të ndodhë më ne? Ne duam që të dimë se kush jemi për shtetin tonë?”, shprehet aktori Ilia Kaçi, të cilit i janë pezulluar 7 projekte artistike.

Ndonëse, paguajnë si taksë 15% të fitimit, shteti shqiptar sot nuk i njeh, dhe në një kohë të tillë, kur prej 6 javësh situata e izolimit ka bërë të mos përfshihen në asnjë projekt, ata lihen në mëshirë të fatit.

“Si qytetare unë paguaj taksat, por në të tilla raste ne quhemi të padukshëm, askush s’na merr përsipër edhe askush nuk merr mundimin që të flasë me ne. Edhe pse ne deri dje, kemi përfaqësuar edhe punuar për vendin”, shprehet aktorja edhe balerina, e cila ka lënë përgjysëm angazhimin e saj në një film me metrazh të gjatë, Xhulia Musagalliu.

Ndaj shqetësimin, e çojnë deri në Kryeministri përmes një letre drejtuar Edi Ramës. Ndërkohë që pandemia po krijon kulme të reja, dhe karantina e dytë ka nisur, artistëve të pavarur krahas luftës ndaj këtij virusi, u duhet të bëjnë edhe betejën për mbijetesë.

“Situata e tillë do të zgjatë në fushën e kulturës, miratimi i një fondi që të kemi të ardhura, neve që na është ndërprerë në mes puna, mendoj se kemi të drejtë që të kërkojmë asistencë për të gjithë muajt, që puna na është ndërprerë”, shprehet balerina Rosella Pellicciotti, e cila nuk do të jetë më pjesë e festivaleve kombëtare edhe ndërkombëtare.

Grupi i tyre po zgjerohet çdo ditë dhe sot ata nuk kërkojnë lëmoshë, por të drejtat e tyre.

“Nuk po kërkojmë lëmoshë, por të respektohemi si qytetarë në radhë të parë, pastaj edhe të ishim njerëz të thjeshtë, qeveria duhet që të kishte marrë përgjegjësitë edhe të na ndihmonte. Brukseli, Kroacia dhe Italia, që janë në BE artin edhe kulturën e kanë të parën, nuk po e vrasin. Edhe Churchilli në kohën e luftës, nuk e ndali mbështetjen për artistët”, shprehet aktori Ermir Hoxhaj, i cili përveccse shfaqjeve që ka lënë përgjysëm, i janë pezulluar edhe tre shfaqje të reja në teatrot e vendit.

Kërkojnë të njihen nga Qeveria shqiptare dhe të ngrihet, për profesionistët që ushtrojnë profesionin e lirë, një fond i posaçëm.

 “Nëse s’na kthehet përgjigje do të vazhdojmë me radikalizmin edhe forcimin e zërit tonë.  Ne përveç letrës së hapur, që i kemi dërguar kryeministrit duam krijimin e një kuadri ligjor që të na mundësoi njohjen edhe mundësinë e regjistrimit të çdo artisti të pavarur që operon në bazë të projekteve. S’po kërkojmë mëshirë, as lëmoshë, por të drejtën tonë, si qytetarë”, shprehet aktori Ismail Shino, të cilit i janë pezulluar disa seriale edhe pjesë teatrale.

Ndonëse ministrja e Kulturës Elva Margariti u përgjigjet se do ta shqyrtojë kërkesën, ata thonë se kjo kohë e gjatë papunësie dhe pa asnjë burim fitimi, nuk kërkon premtime, por zgjidhje konkrete.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?