Si rrallëherë artistët që krijimtarinë e tyre e kanë ngjitur në skenat ndërkombëtare, bëhen bashkë për një perfomancë artistike mbrëmjen e 8 gushtit në Parkun Arkeologjik Kombëtar të Orikut.
Arti muzikor i kompozitorit Aulon Naçi, teksti i aktorit Aleksandros Memetaj dhe lëvizjet koreografike të Errik Nour takohen së bashku në “shtëpinë” e tyre. Muzika bashkëkohore e kompozitorit do të shoqërojë me një ansambël monodramën e interpretuar nga Aleksandros Memetaj, që vjen nëpërmjet fjalëve dhe lëvizjeve të trupit.
“Shqipëria, shtëpia ime” nga Aleksandros Memetaj ka në qendër historinë e nënave shqiptare, të cilat presin në buzë të detit apo edhe në prag të shtëpive fëmijët e tyre. Monolog ky që, sipas aktorit, është frymëzuar nga pozitë edhe këngët popullore të Jugut, por edhe nga letërsia e shkrimtarëve shqiptarë.
Aleksandros Memetaj ishte vetëm gjashtë muajsh, kur Vasili, i ati e mbante mbi shpatulla para se shkelte në tokën italian, edhe këtë panoramë ai e kujton fare mirë nëpërmjet artit të tij.
Artistët që rikthehen në tokën amë, i bashkon jo vetëm një dritare, pas së cilës fshihen tregimet e jetës, por edhe kujtimet e mbrojtura nga muret e akullt.
Shfaqja e shkruar dhe interpretuar nga Aleksandros Memetaj, “Albania casa mia” (Shqipëria, vendi im), deri më tani numëron qindra spektatorë në Itali, Zvicër dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Iniciativa e artistëve vjen, si një dëshirë e mirë, që arti të dëgjohet, por edhe për të shijuar një mbrëmje ndryshe.
Aleksandros Memetaj – teksti dhe interpretimi
Errik Nour – koreografia dhe interpretimi
Ardita Bufaj – piano
Elton Balla – fizarmonikë
Solen Alla – bariton
Mirjan Sulovari – perkusion
Dejon Bendaj – violinë I
Vilson Guri – violinë II
Albana Kola – violë
Enea Nushi – violonçel
Skenografia – Realda Malo
Regjia – Neritan Mehmetaj
Muzika dhe drejtimi artistik: Aulon Naçi