Më shumë se 1400 artistë finlandezë të industrisë muzikore kanë nënshkruar një peticion duke kërkuar ndalimin e Izraelit nga Eurovizioni për “krime lufte” të dyshuara në Gaza. Nëse Izraeli nuk përjashtohet nga konkursi, ata duan që transmetuesi publik Yle të tërheqë pjesëmarrjen e Finlandës nga konkursi.
Yle thotë se po monitoron pozicionin e Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU), organizatori i konkursit. Muajin e kaluar, muzikantë islandezë i bënë kërkesa të ngjashme transmetuesit Rúv. Lukas Korpelainen, një nga autorët e peticionit, i tha gazetës Hufvudstadsbladet se nuk ishte e pranueshme që Izraeli të merrte pjesë në Eurovision Song Contest, raportojnë mediat e huaja.
Nënshkruesit përfshijnë artistët finlandezë Olavi Uusivirta, Paleface dhe Axel Ehnström, të cilët përfaqësonin vendin në konkursin e vitit 2011. Ata akuzojnë Yle për standarde të dyfishta, duke thënë se ishte ndër të parët që kërkoi ndalimin e Rusisë nga konkursi i vitit 2022.
Një ditë pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, përfaqësuesi i Yle Ville Vilén tha se sulmi i Moskës ishte “në kundërshtim me të gjitha vlerat që Yle dhe transmetuesit e tjerë evropianë përfaqësojnë”.
EBU më pas ndaloi Rusinë të marrë pjesë. Vilén tha se situata në Izrael dhe Gaza “nuk ishte e njëjtë”. “Sado e frikshme që është, nuk është një luftë agresioni ndërshtetëror si midis Rusisë dhe Ukrainës,” i tha ai tabloidit finlandez Ilta-Sanomat muajin e kaluar.
Shefi i komunikimit i Yle, Jere Nurminen tha për Hufvudstadsbladet se kompania po ndiqte situatën dhe po fliste me EBU dhe transmetues të tjerë publik. Yle gjithashtu ka në plan të takojë autorët e peticionit.