Thirrja e Ministrisë së Kulturës për projekte kulturore për vitin 2021 ka përfunduar. Deri më tani, kësaj thirrje i janë përgjigjur artistët me rreth 240 projekte, të cilët kërkojnë mbështetje nga ky institucion. Zv.ministrja Meri Kumbe na shpjegon prioritetet që do të ketë këtë vit Ministria e Kulturës, për projektet që do të mbështeten nga 150 mijë lekë deri në 300 mijë lekë.
“Aktualisht numërojmë rreth 240 projekte. Por, kjo javë mbetet në pritje të postës që mban datën 8 janar nga rrethet. Thirrja sivjet, ndryshe nga 2020-ta që tentuam të ndiqnim praktikën evropiane në bashkëpunim, ku projekti dorëzohej jo vetëm nga një aktor, por nga disa, është e orientuar tek kultura përmes teknologjisë. Thirrja e dytë i dedikohet sërisht aspektit kulturor përmes teknologjisë, por që në qendër ka edukimin e brezave. Drejtimi i tretë lidhet me aktivitetet artistike, që kanë në qendër performancën, festivale apo arte skenike. Por, në rastet që do të kemi grumbullime njerëzish do të jemi të detyruar që të zbatojmë rregullat e Covid 19. Sipas publikimit zyrtar, loti i parë mbështetet me 30 mln të vjetra (300 mijë lekë), i dyti me 20 mln të vjetra (200 mijë lekë) edhe 15 mln të vjetra i treti (150 mijë lekë). Gjatë shqyrtimit për vlerësim dosjeve do të vendosim balanca për grupet minoritare, përfshirjen gjinore etj”, shpjegon Kumbe.
Gjatë 2020-s për shkak të pandemisë Covid 19 projektet fituese të fazës së parë u anuluan, duke u përshtatur me protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë, nga të cilat u realizuan vetëm 67 prej tyre.
“Viti 2020 ka qenë i vështirë për të gjithë njerëzit, si në aspektin njerëzor dhe në atë profesional. Ne pezulluam një pjesë të mirë të aktiviteteve, përfshirë ato që kishin në fokus grumbullim njerëzish. Thirrjet që çuam para kanë qenë ato me karakter digjital, rreth 67 të tilla”, thotë Kumbe.
Aktualisht kanë nis procedurat administrative me dosjet që janë dorëzuar në MK edhe fituesit do të bëhen publik në vijim.