Godina e Teatrit Kombëtar

Artistët letër Kumbaros e Dollanit: Teatri të mos shembet, të shpallet Monument

1 Maj 2018, 15:15| Përditesimi: 1 Maj 2018, 15:33

  • Share

Artistët në Tiranë, të cilët po zhvillojnë një varg protestash e debatesh kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar u kanë dërguar një letër institucioneve të Ministrisë së Kulturës  me kërkesën që godina të shpallet Monument Kulture.

Artistët kanë nisur protestat pak muaj para se të shpallej projekti iarkitektit danez Bjarke Ingels për një Teatër të Ri. Ndërsa protesta nisi me kërkesën për “transparencë se çdo të bëhej me Teatrin Kombëtar”, nuk mjaftoi bërja publike e projektit të ri nga kryeministri Edi Rama.

Artistët vijojnë të këmbëngulin se “ndërtesa e Tetarit Kombëtar nuk duhet të shembet, por të restaurohet dhe të zgjerohet në hapësirat e territorit të tij”, ku artistët kanë paraqitur disa skica idesh se si mund të veprohet sipas supozimeve të tyre.

Nëpërmjet një letre, përmbajtjen e së cilës Kastriot Çipi e ka bërë publike në facebook, artistët i janë drejtuar  ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe drejtoreshës së Iinstitutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani, me të cilën kërkojnë që ky objekt të shpallet monument kulture dhe të mos shembet, ndërsa teatri të ngrihet diku tjetër.

Drejtuar: Mirela Kumbaro
Ministre e Kulturës
Për dijeni: Arta Dollani
Drejtore e IMK
Lënda: Propozim për shpallje monument kulture të kompleksit që përfshin Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”
Baza ligjore: Neni 31 i Ligjit nr. 9048, datë 07.04.2003 “Për Trashëgiminë Kulturore” (I ndryshuar)
E nderuar znj. Ministre!
 
Ne, artistët dhe shikuesit, në cilësinë e përdoruesit të objektit të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental, me nismën e Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit (SASE) dhe Lëvizjes “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” ju drejtohemi me këtë propozim për shpalljen e këtij kompleksi “Monument Kulture” i Kategorisë II, nisur nga sa vijon:

Kompleksi, i porositur nga Qeveria Shqiptare, filloi të ndërtohet në vitin 1938, sipas projektit të arkitektit italian Giulio Berte’. Ai u konceptua si kompleks rekreativ, në përbërje të të cilit ishte Kino-Teatri “Savoia” (me 800 vende), nën emrin Rrethi Italo-Shqiptar “Skënderbeg”. Megjithëse u ndërtua në periudhën e racionalizmit, gjë që reflektohet në të gjitha interieret origjinale, kompleksi ishte një vepër “monumentale, madje tepër monumentale” sipas gazetarit të shquar italian Indro Montanelli (Albania uno e mille, Torino, 1939), me një arkitekturë të stilit post-futurist, “diçka midis (pikturave të) De Chirico dhe (projekteve të) Sant’Elia”, sipas studiuesve të sotëm italianë (Arkitektura moderne italiane për qytetet e Shqipërisë, Tiranë 2012). Edhe sot e kësaj dite, ky kompleks është i vetmi ndërtim me elementë të arkitekturës futuriste në Shqipëri!  Ndërtimi u bazua mbi një skelet hekurbetoni, ndërsa muret u realizuan me dy shtresa panelesh të parafabrikuara, të quajtura “populit” ose “patercemento”, me përbërje fibrash druri plepi dhe çimentoje. Kjo ishte një teknikë eksperimentale për kohën, që sot ka gjetur përdorim të gjerë në ndërtime të tilla, për shkak se këto panele kanë aftësi të shkëlqyera izolimi termik dhe akustik dhe janë të padjegshme. Shembulli më i fundit është Kino-Teatri David në Verona (https://www.cinemateatrodavid.it/), i ndërtuar me të njëjtën teknikë, në vitin 2017. Edhe në këtë pikëpamje, kompleksi është unikal, pasi është e para ndërtesë e ndërtuar me panele të parafabrikuara në Shqipëri. Gjatë viteve të pushtimit italian, në Kino-Teatrin “Savoia”, përveç filmave u shfaqën pjesë teatrore dhe, për herë të parë në Shqipëri, opera e koncerte të muzikës klasike, por edhe koncerte të muzikës folklorike shqiptare. Pas pushtimit gjerman, Kino-Teatri u riemërtua “Kosova”.  Më 1 mars deri më 13 prill 1945, këtu u zhvillua i pari gjyq special i diktaturës komuniste, që dënoi me vdekje 17 qytetarë shqiptarë, me burgim të përjetshëm 8 të tjerë dhe me burgime të ndryshme 35 të tjerë. Kjo ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për kujtesën historike të kombit shqiptar është arsyeja e tretë pse ky objekt duhet të shpallet monument kulture. Pas gjyqit, aty u vendos Grupi Central Theatral, bërthama e atij që më vonë do të bëhej Teatri Popullor (1947-1989), sot Teatri Kombëtar (1989 e në vazhdim). Më 30 maj 1945, Grupi Central Theatral dha premierën e parë, “Topazi”, e cila shënoi lindjen e të parit teatër profesionist në Shqipëri. Prej 73 vjetësh, kompleksi është selia e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, institucioni artistik më i rëndësishëm i vendit, që ka pasur gjatë këtyre viteve më shumë shikues se sa popullsia aktuale e vendit dhe që ka nxjerrë një plejadë të shkëlqyer regjisorësh, autorësh, skenografësh e aktorësh, të cilët i dhanë tonin edhe kinematografisë shqiptare, e cila nisi prodhimin e saj artistik në vitin 1953, me filmin “Skënderbeu”. Nëse, me të drejtë, kemi shpallur monument kulture një banesë, ku ka jetuar për rreth një vit e gjysmë familja e Nënë Terezës, a nuk e meriton të shpallet monument kulture “shtëpia” ku kanë kaluar gjithë jetën e tyre Mihal Luarasi, Kujtim Spahivogli, Pirro Mani, Pandi Stillu, Sokrat Mio, Rrok Dabërdaku, Hysen Devolli, Agim Zajmi, Shaban Hysa, Fadil Paçrami, Ruzhdi Pulaha, Besim Levonja, Xhemal Broja, Mihal Popi, Loro Kovaçi, Sandër Prosi, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Agim Qirjaqi, Robert Ndrenika, Marie Logoreci, Violeta Manushi, Drita Pelingu, Margarita Xhepa, Behije Çela, Ilia Shyti, Prokop Mima, Ndrekë Luca, Mimika Luca, Fatos Haxhiraj, Pavlina Mani, Antoneta Papapavli, Liza Vorfi, Yllka Mujo e Ndriçim Xhepa, me një fjalë pjesa më e madhe e konstelacionit të teatrit dhe kinematografisë shqiptare? Përveç Teatrit Kombëtar, këtu kanë lindur të gjitha institucionet kombëtar të artit skenik dhe edukimit artistik: Baleti i Vogël (1947) dhe Filarmonia e Shtetit (1952) sot Teatri i Operas dhe Baletit, Cirku Kombëtar (1952, i vetmi cirk në Ballkan), Estrada e Shtetit (1952) sot Teatri i Metropolit, Shkolla e Lartë e Aktorëve “Aleksandër Moisiu” (1959), sot Universiteti i Arteve dhe Teatri Kombëtar i Komedisë (2011) sot Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Vështirë se mund të gjendet në botë një ndërtesë ku kanë lindur gjashtë institucione artistike! Në vitin 2002, ka pasur një peticion të artistëve, për shpalljen e Teatrit Kombëtar monument kulture, të mbështetur nga peticione të studentëve të UB Kamëz dhe Fakultetit të Shkencave Sociale të UT, si edhe një tjetër nga 65 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve atëherë deklaroi se akti i shpalljes monument kulture nuk ishte i nevojshëm, pasi objekti mbrohej nga VKM nr. 180, datë 13.4.2000 “Për shpalljen Ansambël Monument Kulture të Aksit Kryesor dhe Qendrës Historike të Qytetit të Tiranës”. Për sa më lart, ne propozojmë shpalljen e kompleksit, që përfshin Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” Monument Kulture i Kategorisë II dhe zonës së mbrojtur 50 (pesëdhjetë) metra nga perimetri i tij.

( Kompleksi, i cili përfshin Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” Monument Kulture i Kategorisë II)

Komento

Komente

  • Hasan Pordha: 01/05/2018 16:56

    Edhe per stadiumin "Qemal Stafa" u tha qe te shpallet monument kulture por nuk pyeti njeri i vune kazmen.

    Përgjigju
  • Art: 01/05/2018 16:32

    Monument i realizmit socialist ndofta,sepse aty per 50 vjet u u perçua vija e partise Te talentuar ose te patelentuar,me hir apo pahir partia i quante ata aktore komisare te propagandimit ye vijes se partise

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?