'Skëndërbeu' i Niko Engonopulos

Artisti grek Niko Engonopulos, një emër i madh që bashkon dy popuj

28 Prill 2019, 09:43| Përditesimi: 28 Prill 2019, 12:04

  • Share

Niko Engonopulos ka qenë poet, piktor surealist, një nga emrat më në zë të letërsisë dhe arteve të shekullit XX, jo vetëm për Greqinë fqinje, por edhe për Europën. Për të gjithë qytetarët e atij vendi kjo figurë sikur ka, megjithatë, edhe diçka të fshehtë, thuajse të pathënë, ose të pëshpëritur; origjina e tij e vërtetë, brumi nga ishte gatuar kjo qenie aq e çuditshme njerëzore,vetëm ato fije mund të krijonin një personalitet si ai.
Të dhënat për jetën, origjinën e tij arvanitase dhe krijimtarinë e tij e jep për herë të parë një farë Stefan Bulanikiu në veprën “Piktorë grekë”, botuar nga shtëpia “Melisia” ku shkruhet tekstualisht.

“Nëna e Niko Engonopulos kishte një rrënjë nga familja filogreke bavarezo - gjermane e Dimitër Frederiko Smith, i cili kishte vendosur në Athinë në periudhën e sundimit të mbretit Othona (rreth viteve 1830- M.Q.) Ky u martua me vajzën e idhriotit,(nga ishulli Idhra-M.Q.) bej Gjergj Bulgari 1). Frederiko Smith u vendos në lagjen arvanitofolëse Plaka, përfund Akropolit madhështor për një shkak të vetëm. Këtu jetonin  prindërit e gruas së tij. Afro 80 vite më pas nga ky qerthull gjermano-arvanitas do të lindtte e kalonte fëmijërinë po në Plaka piktori e poeti i ardhshëm, Niko Engonopulos. Bashkëlagjasit e bashkëmoshatarët thonin shpesh se shtëpia e tij e trashëguar nga idhriotët kishte tri kënde: Shqipëria - Idhra- Konstandinopoli. Veç nga dritaret e shumta të shpiriti të tij të shqetësuar ai ishte në gjëndje të shikonte gjithë botën. Shqipëria, Idhra dhe Evropa më pas, të gjitha bashkë, kaluan përmes gjakut të këtij surealisti të jashtëzakonshëm, përmes formash poetike, tablo e skicash të habitshme.

Për të dëshmuar më shumë rrënjët e Engonopulos, përveç temave në pikturë për luftëtarë shqiptarë të Mesjetës, ai shkruajti shumë edhe për Heroin e Revolucionit të vitit 1821 Odisea Andrucon, edhe ky një arvanitas, të cilin shpesh e krahasonte me luftëtarin e shquar latino-amerikan Simon Bolivari. Objektet me origjinë e tema nga Shqipëria përbënin gjithmonë për të thesare të çmuara. Engonopulos pat qenë pjesmarrës në ushtrinë greke gjatë luftës kundër italianëve në Shqipërinë e Jugut në vitin 1941. Njëri nga biografët e tij shënon se diku në Shqipëri ai pat gjetur në mes të pluhurit një unazë të thjeshtë dhe atë e mbajti në gishtin e vogël të dorës së djathtë derisa vdiq. Këtë relike e shohim të mbetur në shtëpinë e tij muze, por edhe në një autoportret të tij. Unaza qe vërtetë një send pa vlerë, sikundër e kemi parë. Ajo qe bërë thjeshtë prej alumini, nga ato që shpesh i mbajnë arixhinjtë, aq sa koha e pat nxirrë. Por të gjitha këto për piktorin dhe poetin e madh nuk kishin pikë rëndësie. Për të e veçanta ishte se tanimë zotëronte një send të gjetur në tokën shqiptare. Përveç unazës ai kujtohet nga bashkohësit edhe për një zinxhir të hollë që mbante në qafë. 

U martua dy herë. Martesa e dytë, me Leni Engonopulo, shkaktoi mjaftë debate në mjediset poetike e artistike të kohës për shkak të diferencës së madhe që kishte në moshë me të shoqen. Gjatë një interviste të dhënë për televizionin grek vite më parë, e shoqja tregon se Engonopulos ishte një njeri aq i thjesht dhe modest sa motoja e moralit të tij në jetë ka qënë “Vlerëso bashkëbiseduesin më shumë se veten. Kur bisedon me dikë, vetja nuk e gziston. Dëgjo tjetrin.” E shoqja tregon gjithashtu se bashkëshorti i saj ishte një tip i ç’interesuar për paratë. Nuk e egzagjeroj, shkruan ajo, kur them se Nikoja nuk i njihte kartmonedhat. Kur shihte ndonjë syresh më tepër i interesonte të shihte vizatimet e shtypura në to, ose gdhëndjet në monedhat metalike, sesa vlera e tyre. Engonopulos-njeri qe një qënie që jetonte vazhdimisht me artin dhe krijimtarinë e tij. Për shumë vjet ai ishte profesor në Universitetin Politeknik të Athinës dhe tregojnë se ai punonte çdo ditë thuajse nga 16-18 orë. Studjonte, shkruante, pikturonte.

Vepra e tij në pikturë, e mbledhur dhe e kataloguar tanimë, përmbledh rreth 1000 punime, të mëdha e të vogëla dhe disa vëllime me poezi, ditari i tij i mrekullueshëm, si edhe një libër me shënime kritike të bashkëkohësve të tij për krijimtarinë e vet të cilat u ribotuan, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij.  Koncepti i tij surealist nuk vinte nga që në fillimshekullin XX ky arti i kohës, ishte modern. Niko Engonopulos mendonte se vet ai kishte lindur si një specie surealiste dhe për këtë nuk kishte dyshim. Kur e pyesnin për se ishte përpirë aq shumë pas poezisë e pikturës, ai thoshte.” Njeriu vjen nga vetmia. Vepra e shkruar, apo e vizatuar, thjesht është një mjet për të shkatërruar vetminë”. Dhe shtonte.. “Poezia dhe piktura nuk na ndihmojnë si të rrojmë, por edhe si të vdesim”.

Askush nuk mund të përcaktoj as sot në se Niko Engonopulos ishte më shumë poet, apo piktor surealist. Sidoqoftë vepra e tij është përkthyer në shumë vende të Evropës dhe ka mjaftë lexues. Edhe në poezi ai është po aq i veçantë sa edhe në pikturë. Për shumë vepra skenike klasike, apo moderne ai krijoi skenografi të mrekullueshme në teatrot e mëdha greke, por edhe kostumete personazheve të tyre. Sapo kaloi (2017)  do  110 vjetori i lindjes së tij dhe ngjarjet për engonopullos ishin të shumta.

 Por më kujtohen festimet me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij, (2007), që u quajt edhe “Viti i Engonopulos”. Shtëpitë botuese prestigjoze greke “Ipsylon” dhe “Ikarios” hodhën aso kohe në treg pothuajse të gjithë trashëgiminë e tij letrare. Aktivitete të mëdha u organizuan në Athinë e qytete të tjera greke, ndërsa Muzeu i ri i Arteve “Benakis” në rrugën “Pireos”, atë vjeshtë çeli një ekspozitë të madhe të veprave të tij.  Për ta bërë sa më shumë të njohur këtë figurë të madhe greko-shqiptaro-gjermane, shoqata të ndryshme zhvilluan aktivitete të shumta.. Poezitë e tij, përveç se nëpër përmbledhje e botime luksoze, u shtypën deri tek qeskat prej letre ku futeshin mallërat e dyqaneve.

Kështu ato poezi u lexuan e u mësuan përmendësh edhe nga njerëz të thjeshtë. Në një bisedë televizive të zhvilluar atë kohë në ERTWorld, (kanali shtetëror grek për shikuesit jashtë vendit), poetë e kritikë folën për Engonopulon jo vetëm si poet e piktor por edhe si gjuhëtar. Në leksikun e tij, u tha, ai shprehte gjithmonë simpati për trajtat e çuditshme të një greqishteje tejet të vjetër, të modernizuar shpesh padrejtësisht, - theksonte gjithmon; ai, - duke fshirë prej saj forma e fjalë të mrekullueshme të cilat ai i përdorte me sukses në poezinë e veta. Po aty u pohua edhe rrënja arvanitase e origjinës së tij nga e ëma, - sikundër u tha,- “ndoshta nga Himara”. 

Engonopulos dhe vepa e tij tregojnë edhe një herë tjetër lidhjet e forta, historike, lidhje të çuditshme, enigmatike e po aq njerëzore midis dy popujve tanë. Përpjekjet për t’i parcelizuar etnitë tona shqiptare a greke..”deri tek ky lumë, apo deri ky mal”, i fshijnë me përbuzje jetët dhe veprat e këtyre individëve të mëdhenj të cilët, kur i shohim imtësisht, na zbulojnë befasi të tilla që janë pasuri të mëdha të kësaj pjese të lashtë të Botës.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?