Veprat e tij flasin për një Itali që ëndërron të ardhmen, por mbetet e lidhur me mitet e veta, me ritet fshatare, me bukurinë e së shenjtës.
Një prej figurave më të rëndësishme të pikturës italiane bashkëkohore, artisti Enzo Cucchi vjen për herë të parë me një ekspozitë për publikun shqiptar.
E titulluar “I soli di tutte le terre”, (Diejtë e të gjitha tokave) ekspozita krijon në të njëjtën kohë një lidhje dhe paralelizëm ndërmjet dy realiteteve historike dhe kulturore: Italisë së viteve 1980 dhe Shqipërisë së sotme.
“I soli di tutti le terre” është një lloj lidhjeje e dy territoreve. Janë diej të dy territoreve. Një është ai i vendlindjes së tij, që e tregon në të gjitha veprat që ka realizuar, tjetri është dielli shqiptar. Janë dy diej, dy brigje të Adriatikut, të njëjtit det, që e quan deti i intimitetit. Dy toka të ndryshme që dialogojnë në këtë ekspozitë', tha Ludovico Pratesi, kurator.
Tablotë datojnë nga fundi i viteve ’70-të deri në fund të viteve ’80-të, kur Enzo Cucchi bashkë me të tjerë artistë të njohur pushtonte muze të njohur në të gjithë botën. Mes tyre ka disa kryevepra të hershme, pjesë e një koleksioni të rëndësishëm privat të Cucchi-t, të tilla, si: Quadro santo (1980), Carro di fuoco (1981), Paesaggio barbaro (1983) dhe Il miracolo della neve (1986), të cilat nuk ishin ekspozuar së bashku prej shumë vitesh.
“Pse zgjodhëm Enzo Cuchin në Tiranë? Për arsye të ndryshme. Një është ideja për të vendosur në dialig publikun shqiptar me figura të rëndësishme të artit italian. Kjo ekspozitë mund të ishte në Nju Jork, mund të ishte në Londër. Është kjo një dëshirë nga ana jonë e njohjes, e përballjes me artistë të njohur', tha Alessandro Ruggera, drejtues i institutit italian të kulturës.
“Është një dëshirë për t’u afruar me njëri-tjetrin. Enzo Cucchi vjen me kapacitetin e tij për të eksploruar simbolikën, me kapacitetin për të ndërtuar mitografi të reja. Ai është ndërkombëtar.”
Arti i Cucchit mbërrin në Shqipëri, duke sjellë diellin, selvitë, tokën, fushat dhe kodrat e vendlindjes së tij, për të ndarë diejt mesdhetarë, të cilët ngrohin tokën dhe bashkojnë dy brigjet e Adriatikut.
“Ajo që Enzo Cucchi na tregon përmes tablove të tij është një rrëfim që na përket të gjithëve. Besoj se flitet shumë për miqësinë mes Shqipërisë dhe Italisë, bazuar mbi një të kaluar të përbashkët. Besoj e gjitha kjo duhet të na shërbejë për të parë drejt së ardhmes. Dhe arti e kultura janë një mjet për ta bërë këtë.”
I konsideruar si artisti më vizionar midis eksponentëve të Transavanguardia-s, Enzo Cucchi (Morro d’Alba, 1949), që nga vitet 1980, ka fituar famë ndërkombëtare. Pjesa e dytë e ekspozitës i kushtohet vizatimit, një shprehje e rëndësishme e mendimit të Cucchi-t.
“Është një kënaqësi shumë e madhe të bashkëndajmë me publikun, se me të vërtetë është pika më e lartë e poezisë përkthyer nëpërmjet vizatimeve, dizenjove, ngjyrave. Jam me të vërtetë shumë krenar.”
Cucchi ka ekspozuar në hapësirat më të rëndësishme ekspozuese italiane dhe të huaja. Ai ka marrë pjesë gjithashtu në ekspozitat më të rëndësishme ndërkombëtare të artit bashkëkohor, duke përfshirë Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Documenta në Kassel dhe Kuadrienalen e Romës.
Ekspozita u ccel në kuadër të Javës Italiane të Kulturës dhe do të qëndrojë e hapur deri në 5 korrik.
Komente
