Artisti kosovar sjell pandeminë në dru, skulptori: Punën për ekspozitën e nisa në janar 2020

10 Tetor 2020, 20:47| Përditesimi: 10 Tetor 2020, 20:55

  • Share

“Art 2020” është ekspozita më e re me 45 vepra të ndryshme në skulpturë e pikturë e artistit nga Kosova Avni Behluli, në Galerinë e Arteve “ Eduart Lear” në Berat.  I njohur për stilin e tij pamor, Behluli, sjell tematikën e periudhës së vështirë që po kalon Kosova prej fillimit të pandemisë Covid-19.

"Para jush kam sjellë punët kryesisht të pandemisë, të gjithë janë të 2020. Kam shfrytëzuar rastin gjatë kësaj periudhe dhe është hera e parë që po i prezantohem në këtë mënyrë pas pandemisë. Jam falenderues për gjithçka që bëtë për ekspozitën time por edhe për artin dhe kulturën për po shfaq, që arti kombëtar të ecë në rrugë të mbarë", tha skulptori Avni Behluli.

Gjatë prezantimit te veprave të tij, autori Behluli tregon se nisi të punojë në Janar të 2020.  Skulpturën e ka realizuar në dru, kurse me teknikat në letër ka realizuar kalin.

"Profesionin tim prej skulptori e kultivoj që 40 vite. Në këtë rast jam prezantuar me 45 vepra, kryesisht të punuara në 2020. Pjesa e skulpturës është në dru, ku kam trajtuar nudon, femrën shqiptare", u shpreh Behluli.

Dashamirës i skulpturës, nënkryetari i bashkisë së Beratit Ali Shkëmbi vlerësoi  talentin dhe profesionalizmin e piktorit shqiptar nga Kosova, pasi sipas tij ai sjell një motivim për brezin e artistëve të rinj.

"Talenti dhe profesionalizmi i tij, kanë bërë që figura e tij të jetë tepër e vlerësuar edhe si ligjërues në shkollën e artit pamor në Gjilan, duke na prezantuar sot jo vetëm punën e tij në skulpturë, por edhe eksperiencën e tij në edukimin e brezave në fushën e artit", tha nën/kryetari i bashkisë Berat, Ali Shkëmbi.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur  5-ditë në ambientet e Galerisë së Arteve "Eduart Lear" në Berat për të udhëtuar më pas në tjetër qytet shqiptar.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?