Artisti nga Kosova, Eshref Qahili vjen në Durrës me ekspozitën e veçantë ‘Arti bashkëkohor kosovar në kohën e inteligjencës artificiale’

23 Nëntor, 16:54| Përditesimi: 23 Nëntor, 17:05

  • Share

Në një ngjarje artistike që kombinon emocionin e artit tradicional me sfidat dhe perspektivat e teknologjisë moderne, artisti i njohur kosovar Eshref Qahili prezantoi ekspozitën e tij të pikturës në ambientet e teatrit ‘Aleksandër Moisiu’ në Durrës. Kjo ekspozitë vjen si vazhdimësi e Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor, duke sjellë për publikun një përvojë unike që bashkon artistët.

Me temë intriguese “Arti bashkëkohor kosovar në kohën e Inteligjencës Artificiale”, ekspozita hapi një debat mbi ndikimin e teknologjisë në krijimtari.

Sipas Eshref Qahili, inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në krijimin e imazheve dhe veprave artistike, por ajo nuk mund të vendosë emocionin në to. Emocioni është ai që e bën një pikturë të vërtetë dhe një artist të veçantë.”

Qahili shton se teknologjia është një mjet i fuqishëm por nuk mund të zëvendësojë ndjeshmërinë njerëzore, veçanërisht në artin vizual.

“Më të rrezikuar nga kjo prirje janë shkrimtarët, eseistët, pasi inteligjenca artificiale tashmë gjeneron ese dhe artikuj që janë të vështirë për t’u dalluar nga materialet e shkruara nga njerëzit”, tha ai.

Kuratori Oltsen Gripshi vlerësoi angazhimin e Qahilit dhe përvojën e tij të mëparshme në Bienalen e Durrësit, duke paralajmëruar një rikthim të tij me një ekspozitë akoma më të madhe në Galerinë e Artit “Nikolet Vasia”.

Në këtë aktivitet të veçantë, publiku pati mundësinë të bisedojë me artistin dhe të ndajë mendime për rolin e artit në kohën e teknologjisë. Të pranishmit, mes të cilëve artistë, kritikë dhe dashamirës të artit, vunë në dukje mjeshtërinë dhe frymëzimin që Qahili sjell në veprat e tij.

Ekspozita u përqendrua jo vetëm në promovimin e artit bashkëkohor kosovar por dhe në rëndësinë e bashkëpunimit kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ky projekt synon të edukojë komunitetin përmes artit dhe të tërheqë vëmendjen ndaj turizmit artistik, duke prezantuar ndikimin e thellë të artit bashkëkohor në jetën shoqërore.

 

R.D//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?