Artistja shqiptare e lindur në Kanada, Ana Golja, ka fituar dy çmime si producente e filmit “The Cuban”
Ajo ka rrëmbyer çmimet “Best Narrative Feature” dhe “Best Cinematography” në "Canadian Film Fest”.
“Doja të bëja diçka tjetër, diçka krijuese dhe të zgjeroja horizontet e mia brenda industrisë së filmit”, u shpreh ajo gjatë një interviste për median e huaj.
Si producente e filmit, Golja tregon se i është dhënë më shumë mundësi grave që të jenë pjesë e këtij projekti kinematografik.
“Ishte shumë e rëndësishme për mua si një vajzë e re në këtë industri, të vazhdoja mbështetjen ndaj grave në industrinë e filmit. Së bashku me pjesën tjetër të ekipit kemi menduar në mënyrë aktive për të angazhuar sa më shumë artiste në këtë projekt”, tha ajo.
Gjithashtu, Golja tek “The Cuban” luan personazhin e Mina-s, përkrah fituesit të çmimit Oscar, Louis Gosset Jr. Artistja shqiptare ka performuar dhe përballë publikut shqiptar, me aktorin Viktor Zhusti, si prezantuese e Festivalit të 57-të të Këngës në janar të 2018-ës.