I porositur nga Gjergj Arianiti e i realizuar 6 shekuj e gjysmë më parë, nga murgu Savia, “Epitafi i Gllavenicës” frymëzon artisten e re Egla Memaj. Për 3 vite me radhë e duke punuar mbi 8 orë në ditë, ajo qëndis me të artën hyjnore e të kuqen e sakrificës 27 ikona, që i zbërthen prej kësaj vepre mesjetare. Njësoj si në të parën ekspozitë të saj personale, Memaj edhe tek “Epitafi” i çelur në galerinë “Fab” i qëndron besnike trashëgimisë etnografike...
“E kisha shumë të qartë pas ekspozitës së parë personale që kishte po si tematikë trashëgiminë kulturore që do të merresha edhe njëherë me pjesën e traditës dhe të vlerave tona kombëtare. Të gjitha veprat janë të zbërthyera vetëm nga një objekt i vetëm dhe të sjella në formate të ndryshme bashkëkkohore dhe në një teknikë të përzier”, thotë Memaj.
Nga përzgjedja e pëlhurës dhe e fillit tek vizatimi e mbërthimi në kanavacë, Egla Memaj ndërton një punë unike në skenën e artit vendas... Në të gjitha veprat e “Epitafit” artisja thyen “kanonet” e ikonave tradiconale, në teknikën me qëndisje me dorë e akrilik në lin, sfondin monokromatik, përmasa e formë...
“Në ekspozitë figura kryesore dhe qendrore është figura e ‘Krishtit të vdekur’, kurse gjithë të tjerë janë plotësues. Si “Shën Maria duke vajtuar të birin”, “Johan Teologu”, “Engjëjt”, motivet floreale nga fusha e “Epitafit”, si dhe simbolika e kryqit”, shton artistja.
Figura e “Krishtit të Vdekur” vjen në këtë ekspozitë në përmasat 2 me 4 m, dhe është qëndisur nga artistja në fije ari për 3 muaj me radhë...