107 vjet më parë, V.I.Lenin, nisi nga Shën-Peterburgu revolucionin bolshevik. Ketë imitim të keq, ka vendosur ta bëjë edhe Berisha, duke caktuar jo pa “domethënie” datën 7 Tetor, si “ditën e nisjes së revolucionit pa kthim”. Nuk e di, por Berisha ka shumë koinçidenca datash me ditët e revolucioneve të partive dhe kohës së komunizmit. Nuk e di pse, por ai cakton pikërisht data “protestash apo revolucionesh”, pikërisht ditë të shënuara, ku kanë bërë bujë ngjarje të kohës së komunizmit.
“Revolucionin” e tij, Berisha po e nis pikërisht nga 7 Tetori, dita kur Lenini, nisi nga Shën-Peterburgu marshimin e bolshevikëve drejt Moskës. Nostalgjia, e shtyn gjithmonë një ish-komunist, të caktojë ditë të shënuara nga kalendari partisë, sikur të ishin ditët e jetës tij. Berisha gjithmonë ka luajtur me me “ditët e shënuara të partisë tij mëmë”. E ka patur “dobësi”, pasi ka mbajtur teserën e saj për 25 vjet rresht. Ndaj dhe ditënisjen e revolucionit “blu” dhe marshimin e demokratëve, ka vendosur ta mbajë në 7 Tetor. Me përjashtimin e vetëm, se “Lenini” ynë nuk do të jetë vetë i pranishëm në marshimin e madh. Demokratët do të mblidhen para selisë partisë, dhe do të nisin marshimin e tyre, duke bllokuar rrugët dhe sheshet e kryeqytetit, nga ku pritet që “revolucionarët” të kenë edhe reagime spontane, të hedhin dhe parrulla antiqeveritare, apo flakadanë, por kjo varet gjithmonë sipas orientimit të marrë nga ballkoni i “Leninit”. Eshtë ai, që do të drejtojë nga atje lart, gjithë marshimin e demokratëve drejt “fitores së pushtetit”.
Shprehja e njohur tanimë “o sot o kurrë”, gjithashtu është marrë nga konteksti i fjalimeve të udhëheqësve komunistë të kohës. Duke mos ditur dhe harruar kohën ku jeton, ose duke dashur të bëjë paralelizma boshe me revolucionet e “baballarëve të komunizmit”, Berisha po kërkon të krijojë patjetër një situatë komplekse, që do ta shfrytëzonte në dobi të qëllimeve të tij. Ai për momentin, e ka të pamundur të mbledhë aq shumë njerëz në sheshe dhe bulevarde, sa të nisë dhe imitojë marshimin e madh të “Shën-Peterburgut”. Do ta dëshironte shumë që mbështetësit e tij, të bënin atë që bënë 107 vjet më parë bolshevikët e Leninit, por e ka të pamundur. Berisha edhe flamujt e partisë tij nga ballkoni, i tund si Lenini që valëviste flamujt me yll drapër dhe çekan, majë ballkonit të pallatit të Carit Rus, pas pushtimit. Imagjinata për tu bërë “lider i madh” , shpesh i shtyn në delir politikanët, dhe në gabime trashanike.
Eshtë koha kur PD-ja duhej të bënte pikërisht “revolucion” brënda vehtes, dhe jo marshime donkishiteske bulevardit, duke mos prodhuar asgjë të levderisshme për të ardhmen e saj, thjesht për ti rritur paksa “ryben” kryetarit Berisha. Duket sikur është pikërisht koha e reagimeve të brëndshme, por nga ana tjetër tek shohim realitetin si përsëritet në PD-në e sotme, nuk vlen asgjë edhe sikur Berisha që nesër të largohej nga drejtimi i asaj partie. Në PD-në e sotme, janë është e pamundur të përmbysësh zallamahinë e trashur sa vetë koha e tranzicionit. Ajo parti ka mbetur dhe do të mbahet peng i interesave klanore, që janë lidhur ngushtë me bëmat e së shkuarës.