Ka vrarë, dhe pas një maratone prej 2 vitesh procese gjyqsore, ka dalë “i pafajshëm për mungesë provash”. Ka rrëbyer dhe dhunuar, ka kryer grabitje me armë, dhe pas një dyzine prej 22 seancash gjyqësore, ka rezultuar “i pafajshëm pasi nuk gjenden prova”.
Ka përdhunuar dhe grabitur pronat e një ish-pronari, është arrestuar, dhe pasi ka zhvilluar dhjetra seanca gjyqësore, ka rezultuar se “nuk ka qenë ai autori këtyre ngjarjeve, por dikush që është larguar jashtë vendit drejt Dubait”.
Dhe raste të tilla ka me qindra e qindra, kur kriminelët, që duhej të ishin në burg, sot gëzojnë lirinë dhe më keq akoma, edhe pafajësinë. Dhe më keq akoma, krimin e shohim të veshur me petkun e “biznesmenit” apo dhe detyra të tjera që lidhen me paranë. Dhe kush i liroi dhe i katandisi deri këtu ? Natyrisht drejtësia, dhe jo sot, por në 35 vite rresht.
Masakrën ligjore me drejtësinë e nisën plepaxhinjtë, dhe e vazhduan ata që erdhën pas tyre. Kjo natyrisht ka sjellë dhunimin, dhe deri vrasjet e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, dhe policëve. Më tepër se frika, ata që duhej të jepnin drejtësi dhe duhej të kishin kryqëzuar kriminelët, janë lëkundur para milionave që kanë marrë nga autorët e krimeve. Reformimi i organeve të drejtësisë, nuk solli ndonjë ndryshim të situatës. E rëndë paraqitet situata mes drejtësisë dhe atyre që sot hiqen si “pronarë tokash dhe trojesh” në qytete dhe fshatra.
Ka me qindra raste kur njerzve të drejtësisë u është ofruar “pjesë nga prona e kërkuar”, në këmbim të një vendimi të njëanshëm. Kanë ndodhur edhe gjëra të tjera më të llahtarshme, ndaj dhe nuk ka munguar dhuna dhe vrasjet e prokurorëve dhe gjyqtareve. Integriteti dhe morali, mbeten dy prej kritereve që nuk pranojnë asnjë tolerance dhe kompromis në drejtësi. Në gjykata ka sot gjyqtarë që rrotullojnë globin e zyrës, dhe kur ai ndalon ata vendosin gishtin dhe thonë “këtu do të shkoj këtë fundjavë”. Si ka mundësi të pasurohen kaq shpejt prokurorë dhe gjyqtarë, kur nuk kanë mbushur as 5 vite punë në institucionet e drejtësisë ?
Në fakt, sot duhej vajtuar drejtësia, dhe jo gjyqtari i vrarë, pasi ai ishte viktimë e një klime aspak miqësore mes drejtësisë dhe qytetarëve. Përse duhet të zgjasë me vite e vite, një proces i thjeshtë për ti njohur pronën, një ish-pronari ? Përse duhen shtyrë seancat me vite e vite, kur në dosje, ka fakte të mjaftueshme që vërtetojnë autorësinë e një prone ? Natyrisht në shumicën e rasteve në 35 vite, shkaku mbeten ndërhyrjet politike apo pazaret mes palëve, duke arritur deri në ashpërsimin e reagimeve të atyre që zhgënjehen nga vendimet e gjyqsorit.
Gjyqtari Kalaja, sot do të ishte gjallë, në rast se procesi gjyqsor mes palëve, nuk do të kishte kaluar dorë më dorë nga dhjetra gjyqtarë para tij. Neglizhenca dhe zvarritjet me vite, apo dhe më keq akoma molepsja në ndonjë aferë, duke mos e zbatuar ligjin nga ata që e kishin gjykuar para tij, solli krimin e paralajmëruar. Fajtorë mbeten gjithë ata gjyqtarë që në vite, e kanë zvarritur pa limit atë çështje, e cila sot ka nevojë për një hetim të thelluar.
E pavarsisht kësaj, pavarsisht edhe pranisë së krerëve të politikës në homazhet e gjyqtarit, problemet e drejtësisë sotme në Shqipëri, nuk zgjidhen me premtime por me veprime konkrete dhe bashkëpunime institucionale. Pikërisht kjo gjë, mungon sot në Shqipëri./Javanews
Komente
