Ky fundshtatori, e gjeti Partinë Demokratike, sërish në “aksione opozitare”. Shkaku sipas liderit të asaj partie, mbetet “burgosja e opozitës”. Në fjalimin e mbajtur on-line nga shtëpia në Këshillin Kombetar, zoti Berisha deklaroi prerazi se “Rama na ka shpallur luftë, ndaj ne do të nisim mosbindjen civile, në rrugë, bulevarde, qytete dhe lagje”. Sipas tij “kjo do ti sjellë fitoren e sigurtë Partisë Demokratike”. Pra në një fare mënyre, PD, ka nisur “teatrin e rrugës” (Le theater de la rue), ose më mirë të themi “estradën e rradhës”.
U ka bërë thirrje demokratëve të lodhur dhe të mbetur pa përkrahje, të mblidhen në 7 Tetor, dhe të nisin marshimin e madh, rrugëve të Tiranës. Berisha u ka bërë thirrje mbështetësve të tij, “të vijnë dhe të mos ndalen deri në rrëzimin e qeverisjes Rama”. Njeriu që e la PD-në e tij 3 dekada mbrapa, që problemet personale i ka kthyer në “problemin e partisë”, njeriu që 8 muaj para zgjedhjeve nuk u ka dhënë militantëve asnjë program dhe alternativë qeverisëse apo konkurruese, po i thërret ata “ti bashkohen kauzës së drejtë të partisë”. Po cilës kauzë, kur ajo parti nuk ka asgjë të qartë deri sot se, fushata de facto ka nisur, dhe ajo merret me “analiza të fjalimeve të liderit pasditeve poshtë ballkonit”. Cilës kauzë do ti bashkohen demokratët e zhgënjyer, tek shikojnë agallarët dhe pasanikët e partisë, tek bredhin majë makinave 100 apo 150 mijë euroshe.
Berisha ka nisur teatrin e rradhës, atë të rrugës. Do ti mbledhë ata qindra vetë edhe kësaj here, do ti flasë nga shtëpia me thirrje “lufte”, do ti thotë “o sot o kurrë”, do ti gjezdisë me pahir rrugëve të Tiranës, do tu japë ndonjë qerasje atyre që do të vijnë nga rrethet, dhe kaq. Pas 1 ore do të dalë sërish majë ballkonit, dhe do tu thotë se “Edi Rama u tremb, ja ka mbathur, ne do të fitojmë”, duke e mbyllur fjalimin me tundje flamujsh. Nuk ke çe do spektaklin teatral tek “Turbina”, por thjesht dil dhe shiko, se si keqpërdoren mbështetësit e PD-së, nga lideri i tyre, se si mbahen ata me gajret duke u premtuar “fitoren dhe pushtetin”, dhe do të bindesh sa dramatike është situata në atë parti.
Ajo forcë politike ka humbur çdo sens drejtimi dhe menaxhimi të situatave që po kalon. Arrestimi dhe burgosja me vendim gjykate e Salianjit, ishte një rast i mirë për Berishën, për ti kërkuar mbështetësve të lodhur, “të ngrihemi fuqishëm në protesta për rrëzimin e qeverisjes Rama”.
Ai bën sikur nuk e kupton faktin se “në 2024, nuk ka asnjë mundësi konkrete të rrëzojë një qeverisje legjitime me protesta të lodhurish”, pasi në demokraci funksionale, është vota e lirë, ajo që sjell rrotacionin e pushteteve, ose vazhdimësinë e një qeverisje që ka punuar dhe ka patur rezultate konkrete.
Le ta shijojnë teatrin e rrugës edhe kësaj here, derisa mbështetësve tu ikë jo vetëm besimi, por edhe durimi me atë lidership që drejton sot Partinë Demokratike.