Manipulimi i të vërtetës, i reales, i faktit, është kthyer si diçka normale në Shqipëri. Mjafton të dalësh diku në një portal, ekran apo faqe gazete, të deklarosh të kundërtën e faktit, dhe kaq.
E ke mbjellë, mashtrimin, gënjeshtrën, ke përhapur lajmin e keq. Ajo që vihet re vitet e fundit, (veç atyre që shohim dhe dëgjojmë në frëngjitë e opozitës) është manipulimi me të vërtetën që ndodh çdo mëngjes në emisionet që medemek shërbejnë si “dritare e zërit të qytetarit”.
Atë ç’ka bën Sali Berisha me “qytetarin dixhital”, e bëjnë edhe disa televizione me “emisionin e mëngjesit”. Pasi lexojnë gazetat, drejtuesit e tyre “ftojnë” qytetarët (që janë të njëjtët që flasin në çdo ekran) të thonë zërin e tyre, për “hallet dhe problemet e ditës”.
Mjafton të stopohesh në një prej këtyre emisioneve, dhe do të dëgjosh zëra të përditshëm, që dalin dhe shajnë me libër shtëpie ministrat, kryeministrin, qeverinë, deputetët e mazhorancës, policinë, prokurorinë, dhe ftojnë shqiptarët “ti thonë jo kësaj diktature”. Dalin në këto emisione mëngjesi, burra pleq, gra plaka, apo dhe mosha të tjera, shajnë e mallkojnë çdo qeveritar, ambasador, gënjejnë dhe mashtrojnë për investimet, inagurimet, hedhin poshtë lajmet e bukura, dhe nxijnë gjithçka.
Vënë ulurimën se “po vdesim për bukën e gojës”, ndërkohë që ka prej tyre që zbulojnë gënjeshtrën duke thënë se “po ju telefonoj nga makina, dhe ka shumë trafik qysh në mëngjes në Tiranë”.
Telefonues ka edhe nga rrethet. Ata janë më “beterr”, pasi efendojnë çdo zyrtar bashkie, çdo deputet zone, mjafton të jetë i krahut të majtë. Më i habitshëm mbetet fakti, se telefonuesit e televizionit të PD, dalin pothuajse çdo ditë edhe tek televizionet e tjera, ku bëhet ky farë.. emisioni mëngjesi.
Jemi në 2025, dhe Shqipëria dhe shqiptarët, duhet thënë se kanë nisur të kenë ca standarde të tjera jetese, mendimi, gjykimi, dhe veprimi. Shqiptarët nuk janë më bagëti, si para 25 vitesh, ti manipulosh me “emisione mëngjesi” pa asnjë vlerë edukuese.
Ata janë sot qytetarë të shkolluar, emancipuar, të integruar, dhe mendojnë dhe jetojnë si europianë, dhe jo si periferikë. Ndaj “NDAL”, mos manipuloni me të vërtetën, me realen, me faktin, me të prekshmen, me arritjen, duke nxitur një grusht mediokrish të dalin dhe t’ju telefonojnë, apo dhe ti telefononi ju ata, për të nxirë, sharë me libër shtepie, efenduar dhe denigruar jo vetëm qeverinë por dhe Shqipërinë.
Boll me emisione paçavure, që kanë “ZERO” profesionalizëm, dhe të kujtojnë kohën e dikurshme të Ramiz Alisë./Javanews
Komente
