Artur Zheji

Opinion

Artur Zheji, madhështia e një emri në kohë

24 Gusht, 15:01| Përditesimi: 24 Gusht, 15:02

  • Share

Humanët nuk janë gjë tjetër vecse një qenie që vepron me instikt, të zhytur në emocione, kujtime, vendime e madje edhe në një monotoni të vazhdueshme duke pritur me padurim se e nesërmja patjetër do të sjellë dicka të re. Dhe nuk bën keq.

E gjithë jeta në të vërtetë vërtitet nën dinamika të panjohura, pyetje pa përgjigje, rastësi fatlume por dhe misterit se cfarë ka përtej. Askush nuk e di cfarë sjell ora e megjithatë gjithkush jeton e mendon sikur ta dijë. Ashtu sikurse dashurinë dhe urretjen e ndan një fije e hollë midis, e njëjta vlen dhe për jetën e vdekjen.

Pameritueshëm vijmë në këtë botë e po ashtu largohemi prej saj. Vdekja është tema më universale e njerëzimit por njëkohësisht më e pashpjegueshmja prej tij. Ajo është gjithmonë aty, një e vërtetë e pashmangshme ndërsa ritmi i shpejtë i jetës na largon prej idesë së saj duke mos e pranuar se ajo edhe mund të ndodhë.

Duke lënë pas tronditjen që ndjejmë kur ajo papritur vjen për të marrë njerëz që as nuk i prisje. Këtë ndjesi të hidhur na bëri të përjetojmë ndarja e beftë nga jeta e Artur Zhejit, një prej zërave më kritikë të kohës madje dhe e brezit tim. Me një qasje intelektuale mbështetur në argumente të forta mendimi dhe njohjeje, kulture e analize të thellë, Zheji do të lërë pas një boshllëk të pamatë në studiot televizive sezonin që pritet të nisë.

Për ata që e kanë ndjekur me kujdes e vëmendje edhe përtej Shqipërisë, ai ishte më shumë se një komentator. Cilësohej si një filozof mediatik ku përtej ndasive politike, analizat e tij vinin me elegancë dhe kishin një stil unik sidomos në përdorimin e gjuhës shqipe.

Ironikisht, ishte vetë po Zheji ndërsa një vit më parë pat shkruar mbi vdekjen, duke e cilësuar atë, si një “ Zonjë Madhështore“- të drejtë, të pamëshirshme dhe të pakorruptueshme. Sipas tij madhështia e saj qëndron tek barazia që ajo imponon.

Ndaj nëse njeriu nuk do ta gjejë kurrë barazinë në këtë jetë, është vdekja ajo, që të gjitha diferencat i sheshon. Përballë saj nuk ka poste, tituj apo pushtet që të të mbroje. E madje as para. Përballë saj ti nuk je asgjë tjeter vecse një numër në rreshtin e jetës duke pritur i qetë rradhën tënde.

Por a është vdekja një mallkim?

Padyshim ajo mund të cilësohet si një ligjësi hyjnore, një akt drejtësie që botës i vendos ekuilibra, e hidhur apo jo qoftë ajo.

Ndaj jo më kot në atë shkrim Zheji theksonte se jeta është e përkohshme dhe se vlera e saj matet jo me gjatësinë në kohë, por me gjurmën që lëmë pas. Në këtë kuptim cdo humbje e papritur qofte publike, familjare apo dhe shoqërore bëhet një mësim për ne që mbetemi pas.

Ajo na fton të mendojmë: Cfarë po lëmë pas? Cfarë do kujtojnë të tjerët kur ne të mos jemi më?

Përgjigjja duket qartë: janë fjalët, idetë, qëllimet, veprat, guximi për të thënë të vërtetën tonë e motivimi për të ndezur mendimin kritik.

Vdekja, kjo zonjë madhështore dhe pasqyra jonë e përditshme, na tregon fare qartë se sa të përkohshëm e të dobët jemi. Ndaj mënyra më e mirë për t‘u përballur me të është asgjë tjetër vecse të jetuarit me dinjitet, duke lënë pas një gjurmë të mirë para se ajo të vijë.

Askush nuk e di se sa kohë i ka mbetur por kur mendon për ekzistencën e saj, cdo sekondë bëhet e pacmueshme. Për të mësuar njëherë e mirë se jeta është e kufizuar dhe se çdo fjalë, cdo vepër e cdo gjurmë ka rëndësi. Të mirat tona ndryshojnë sipas interesave tona, por ajo që na përbashkon është kjo “e keqe“ e përbashkët- vetë fundi, të cilën askush deri tani nuk e ka zbuluar se cfarë ka përtej.

Sepse ashtu sic thoshte Epikuri (341-270 p.e.s) vdekja nuk është asgjë për ne; kur ne jemi, ajo nuk është dhe kur ajo është, ne nuk jemi. Ndaj kjo është një arsye më shumë për të mos pasur frikë. Sepse ajo është një përvojë që ne nuk e përjetojmë dot. Ajo cka vlen në fund të ditës është rrugëtimi ynë me sytë hapur, në një botë që gjithnjë e më shumë sytë e saj i mban mbyllur.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni kritikat e Ramës ndaj vendimeve të gjyqtarëve?