As LSI dhe Meta dhe as SPAK nuk mund “t’ja hedhin” thjesht me kundërakuza për sa thotë një gazetar

3 Qershor 2022, 17:50| Përditesimi: 3 Qershor 2022, 19:21

  • Share

Gazetari Artan Hoxha bëri publikisht një akuzë të jashtëzakonshme për presidentin në fuqi Ilir Meta. E bëri në emisionin “Opinion”, në televizionin kombëtar “Klan”, që është një arenë e preferuar e të gjithë politikanëve më të lartë të shtetit shqiptar në të gjithë kohërat. Dhe kjo deklaratë nuk mund të kalojë si një tym që harrohet në tri ditë.  Nuk ka akuzë më të tmerrshme, nëse është e vërtetë, që një president republike të jetë “porositësi i një vrasjeje”. Artan Hoxha, një nga gazetarët më të vjetër në tregun mediatik shqiptar, thotë se ka burimet e tij dhe se kjo deklaratë është pjesë e dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani. Dumani, vrasës me pagesë dhe pjesë e grupeve kriminale në Shqipëri, po bashkëpunon me drejtësinë shqiptare pas arrestimit të tij. SPAK e përgënjeshtroi deklaratën e gazetarit duke bërë thirrje që mediat të jenë të kujdesshme, sikur të bëhej fjalë për një informacion rutinë, por që në të vërtetë është shumë më shumë se një gjë e tillë.

Presidenti i Republikës, zëdhënësit e tij politikë e shoqërorë, të cilët janë kurdoherë gati të flasin e të stërflasin, këtë herë reagimet i kanë me pikatore. Të parat janë kundërakuza për gazetarin, duke e etiketuar “të shitur” apo “pjesë të lojës së grupeve kriminale”.

Nuk është hera e parë që një gazetar të akuzohet si pjesë e grupeve kriminale, apo deri dhe kapobandë e organizatave që nga Ndrangheta deri te Sacra Corona Unita nga politikanë, por kjo është një “paçavure” alla shqiptare që e thënë kurdoherë e për këdo, është bërë fare qesharake, ndoshta me qëllim. Ngatërrimi i të pavërtetave me të vërtetat apo i kriminelëve me viktimat është një “sport” i praktikuar rëndom në Shqipëri.

Nëse Drejtësia Shqiptare, djemtë e vajzat që po investohen seriozisht për rimëkëmbjen e dinjitetit të kësaj shtylle jetike të shoqërisë, nuk do ta marrin seriozisht, atëherë ne do të vazhdojmë të notojmë në tymnaja të rrezikshme, ku krimineli nuk dallohet nga viktima dhe palë të treta përfitojnë për arsye të ndryshme t’i mbajnë të ngatërruara rolet në çdo histori.

Eshtë në nder të gazetarisë shqiptare, por edhe të institucioneve që po ngrenë kryet dalë nga dalë çdo ditë, të sqarojnë një situate kaq ekstreme: Kemi një President kriminel, apo një gazetar të dalë nga shinat e të vërtetës? Nuk mund të përplasemi pafundësisht si zogjë e Hiçkokut mureve, duke mbajtur qytetarët në mjegull dhe në padituri. E vërteta kërkon guxim dhe këtë ja urojmë çdo gazetari që e bën për të mirën e vendit, por edhe çdo pushtetar duhet të ketë në mendje e në zemër vetëm një gjë të tillë: Transparencë maksimale për të ndihmuar që fëmijët tanë nesër të mos vazhdojnë të lundrojnë, si ne sot,  në mjegulla të rrezikshme krim-media-politikë. Duhet të vijë një ditë që deklaratat poshtë e lart salloneve mediatike apo portaleve, të mos guxohen më të hidhen as për qytetarin më të thjeshtë, as për Presidentin e Republikës së Shqipërisë nëse janë shpifje apo të pavërteta. Por nëse janë të vërteta? Kush na e heq këtë dilemë më mirë se sa Drejtësia? Por a do të ketë guximin të bëjë një përballje në gjykatë Presidenti ynë i Republikës? Vetëm në këtë mënyrë i jep një shanc Drejtësisë të tregojë nëse edhe ai, Presidenti i Shqipërisë, është viktimë e “kazanit mediatik”, apo…

a.m.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?