Asambleja e PS në Tiranë, Rama: Vendim absurd pezullimi i ligjit për studentët e mjekësisë! Çatia e PS të zgjerohet! Zbresim borxhin në kufirin e 60%

24 Nëntor 2023, 17:46| Përditesimi: 24 Nëntor 2023, 21:53

  • Share

'Absurd' e ka konsideruar kryeministri Edi Rama vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit për studentët e mjekësisë i cili i ndalon ata të ikin nga Shqipëria 5 vite pas mbarimit të studimeve.

“Unë nuk i diskutoj vendimet e gjykatave, por edhe pezullimi që i bëri Gjykata Kushtetuese është absurd. Është absurd dhe po e diskutoj thjesht, sepse është vetëm pezullim. Në Shqipëri është edhe Shkolla e Magjistraturës që e ka kusht që ti mund të hysh në këtë shkollë, por nuk merr dot diplomën po nuk punove 5 vjet apo diçka më tepër si magjistrat. Shkolla e Magjistraturës është një nga shkollat më të mira në Shqipëri, por nuk është shkelur asnjë e drejtë kushtetuese dhe nuk është vënë asnjëherë në diskutim”, theksoi Rama.

Në Asamblenë e zgjeruar të Partisë Socialiste, në Tiranë kreu i qeverisë u shpreh se “këtë sistem ne do ta zgjerojmë në arsimin publik qe e kemi absolutisht shumë shumë të favorshëm dhe që praktika po tregon që nuk e kemi aq larg kërkesave të Europës, përderisa kush shkon në Europë mirëpritet”.

“Ose është edhe varianti tjetër, do të ikësh sa të marrësh diplomën, do t’i kthesh kurrizin këtij vendi dhe t’i shërbesh gjermanëve? Do paguash një tarifë tjetër. Po e deshe me një tarifë simbolike do të qëndrosh këtu. 5 vite është për ata që janë në vit të parë, këta që i ka gjetur rrugës e kanë dy vjet, tre vjet, katër vjet, domethënë as dy vite nuk pranojnë të qëndrojnë”, tha Rama.

 Ndalur te buxheti i 2024-shit, Rama tha se borxhi publik do të zbritet në kufirin e 60%.

"Këtë vit, kemi më pak se gjysmën e figurave të krimit të rëndë, krahasuar me vitin e shkuar. Janë disa shifra të thjeshta që flasin shumë për këtë nivel të ri të vendit. Duke filluar nga ekonomia, ku jo vetëm FMN e karakterizoi ekonominë e Shqipërisë si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, por ku inflacioni ka qenë më i ulëti në rajon. Në buxhetin e ri për vitin 2024, ne zbresim borxhin në kufirin e 60%. Është një zbritje prej 15 pikësh që përsëri flet për shëndetin e ekonomisë tonë në raport me të djeshmen.

Inflacioni në Shqipëri është rritur më pak se kudo tjetër në rajon dhe kjo ka ndihmuar shumë që ekonomia e familjeve të mos preket në mënyrë të papërballueshme nga inflacioni, ashtu siç ka ndodhur. Dolëm nga Lista Gri e aktivitetit financiar. Ky është një proces, nuk do të thotë se hyrja në Listën Gri është fundi i botës, por dolëm. Kjo erdhi si rezultat i përfundimeve sistematike. Kjo është një plus i rëndësishëm përsa i përket lirshmërisë së transaksioneve financiare.

Shifra më kuptimplotë që e përkthen këtë rritje dhe shëndet të ekonomisë tonë në ekonominë e familjes është shifra e rritjes së pagave. Buxheti i 2024 ka 400 milionë Euro vetëm për rritje pagash dhe të mos harrojmë tjetrën që ne sot vërtetë kemi një pagë minimale 400 mijë Lekë të vjetra, por për shkak të forcimit të Lekut, do të thotë se kemi një pagë minimale 400 Euro. Me rritjen që do i bëjmë pagave për mjekët e përgjithshëm, për mësuesit, për infermierët, për punonjësit e Policisë së Shtetit si dhe për të gjithë punonjësit në administra, ne do të arrijmë para kohës së parashikuar që të kemi një pagë mesatare 900 Euro. 250 milionë të tjera shkojnë për pensionet, qoftë për indeksimet dhe për bonueset e pensionistëve. 33% e buxhetit të shtetit tonë shkon për mbrojtje sociale që nga pensionistët e deri tek bebet e porsalindura", tha Rama.

Gjithashtu e vuri theksin edhe te arsimi profesional.

"Duke fuqizuar arsimin profesional, duke rritur vetëdijen e prindërve në radhë të parë. Shkojnë në gjimnaz me nota të ulëta dhe mund të jenë shumë të prirur për t‘u bërë sipërmarrës dhe për të nxjerë një pagë shumë të mirë nga puna. Oferta atje (jashtë vendit) është përkeqësuar në mënyrë drastike për shkak të rritjes së kostos së jetesës, nuk mbetet gjë në fund të muajit për ata që nisen për të bërë një punë të zakonshme, nuk flas për mjekët, por për të rinjtë që marrin rrugën dhe mendojnë se atje do ia dalin më mirë. Kemi folur me Ministrinë e Arsimit dhe strukturat që ndërlidhen me arsimin profesional për të krijuar një ritëm rreth arsimit profesional. Shkollat e sotme të arsimit profesional janë të investuara, do vëmë në jetë binjakëzimin e parë që përfundon me një diplomë me një nga shkollat më të mira,zvicerane EHL, diçka e tillë, ata erdhën bënë diagnozën e shkollës profesionale nxorën disa problematika që u zgjidhën. Duhet të investojmë në konvikte. Duhet të fuqizojmë atë që kemi nisur me Mjekësinë", shtoi ai.

Në Asamble, drejtuesi politik i Qarkut, Erion Veliaj, tha se ky ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për kryeqytetin shqiptar.

"Tirana do jetë kryeqendra e Ballkanit, ne marrim Presidencën e B40".

Ora 18:40
Rama: Çatia e PS duhet të zgjerohet! Përse duhet të jesh drejtor dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare? T'i lëmë karriget për njerëz të tjerë

1700843949_rama.jpg

Në mbyllje të Asamblesë së Zgjeruar të Partisë Socialiste në Tiranë, kryeministri Rama u shpreh se ‘çatia e PS’ duhet të zgjerohet. Takimin e mbylli duke shkruar një pyetje; “Po përse duhet të jesh edhe drejtor edhe anëtar i Asamblesë Kombëtare?”. 

"Duhet të zgjerojmë PS. Duhet ti hapim zonë të lirë njerëzve të tjerë në forumet tona. Ne nuk mund të jemi të mbyllur më dot. Duhet të bëjmë atë që të tjerët e bëjnë se i ccon halli. Ne s’e kemi luksin që të hamë dru. Ne duhet të bëjmë vetë gjëra që të tjerët i bëjnë nga halli. Nëse kemi arritur të fitojmë kaq herë rresht të tjerët e shpjegojnë në mënyra të ndryshme sepse nue pranojnë si ka mundësi që ne fitojmë, sepse ne me të fituar zgjedhjet kemi filluar me sesi do t’i fitojmë të tjerët.

Kjo eksperiencë ka nevojë të pasurohet. Duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë gjë.Po u lë me një pyetje dhe mendohuni.  Pse duhet të jesh edhe drejtor edhe anëtar i asamblesë kombëtare? Pyetje e kam. Pastaj merrini këto postet dhe ofiqet dhe përshkallëzojini dhe shikoni sa vende krijohen në asamble sikur të lëmë drejtorët të bëjnë drejtorët dhe të lëmë karriget të mbajnë ca njerëz të tjerë dhe jo vetëm drejtorët", tha Rama.

Ora 18:34
Pezullimi i ligjit për studentët e mjekësisë, Rama: Vendim absurd nga Gjykata Kushtetuese

1700843962_rama.jpg

Kryeministri Edi Rama nga Asambleja e PS në Tiranë ka folur për pezullimin e ligjit për studentët e mjekësisë nga Gjykata Kushtetuese, i cili i ndalon ata të ikin nga Shqipëria 5 vite pas mbarimit të studimeve. Ai u shpreh se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e vendimit është “absurd”.

"Pezullimi që i bëri gjykata kushtetuese kërkesës absurde për ta hedhur poshtë këtë gjë është absurd. Është absurd. Po e diskutoj thjesht sepse është pezullim. Shkolla e magjistraturës e ka kusht që mund të hysh në shkollë por s’e merr dot diplomën po nuk punove 5 vjet si magjsitrat. Ajo është një nga shkollat më të mira të Shqipërisë dhe shpresoj të mos prishet tani me këtë fluksin në rritje", tha Rama.

"Do të ikësh sa të marrësh diplomën dhe të shërosh Gjermanët, do paguash një tarifë tjetër, ajo që kushton dhe më pas ik. Po e deshe me një tarifë simbolike do të qëndrosh këtu. 5 është për ata që janë në vit të parë këto që i ka gjetur rrugës e kanë dy vjet, tre vjet, katër vjet, dmth as dy vite nuk pranojnë të qëndrojnë.”

Ora 18:13
Asambleja e PS në Tiranë, Veliaj: Duket qartë kush punon për ta çuar Shqipërinë më lart dhe kush ëndërron ta kthejë pas

Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste të Tiranës, drejtuesi politik i Qarkut, Erion Veliaj, tha se ky ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për kryeqytetin shqiptar. E teksa jemi në prag të 111 vjetorit të Pavarësisë, Veliaj nënvizoi se edhe dyshuesi më i madh, nuk ka si e fsheh punën e bërë nga Partia Socialiste e Shqipërisë.

“Edhe ciniku më i madh, edhe dyshuesi më i madh, kur sheh alternativën e hipjes nëpër kangjella, të futjes nëpër dritare, bllokimin e trotuarit, të rrugës, të këndit të lodrave, bllokimin e Teatrit, - bllokim, bllokim, bllokim - kacafytje nëpër pemë, kacavjerrje nëpër hekura, dhe kur shikon se ne garën e kemi me veten për t'u vetëpërmirësuar, për t'u vetëkorrigjuar për ta ngritur pak më lart stekën se ç'e kemi pasur, është dallim si dita me natën. Ju falenderoj të gjithëve për kontributin! Ishte një rezultat i mirë ai që kapëm këtë vit, 4 me 1. Nuk ishte një rezultat perfekt, sepse rezultat perfekt do ishte ai 5 me 0, për të cilin punuam. Megjithatë them se, jo vetëm në Kavajë, ku ne për pak vota nuk patëm atë që dëshironim apo atë që prisnim, por edhe në qytete të tjera, në fshatrat e tjera apo në gjithë OS-të tonë, në qendrat e votimit, kemi mundësi për të bërë pak më shumë, pak më mirë dhe pak më shpejt”, tha Veliaj. 

Mandej, kryebashkiaku shtoi se Tirana këto vite ka qenë epiqendra e aktiviteteve të mëdha, që do pasojnë gjithashtu me aktivitete po aq të mëdha në vitet që vijnë. 

“Këtë vit Tirana ka qenë epiqendra e shumë aktiviteteve, kemi qenë Qyteti Europian i Sportit, vjet ishim i Rinisë, kryeministri dje dhe pardje organizoi një takim fantastik për diasporën për t'i kushtuar vëmendje, për të shprehur interes,  politika dhe vendimmarrje, për sa i përket gjysmës sonë të kombit që është jashtë. Ndaj, e vlerësoj faktin që motori, ajo që ka gjeneruar gjithë këtë energji pozitive mbetet familja jonë politike, Partia Socialiste e Shqipërisë. Vitin tjetër do të vijojmë me një seri aktivitetesh, Tirana do jetë kryeqendra e Ballkanit, ne marrim Presidencën e B40, ndërkohë që kryeministri ka prodhuar sukses në shumë iniciativa, duke e bërë Tiranën gjithashtu qendrën akademike të Europës, me Kolegjin e Europës dhe duke prodhuar aq shumë aktivitet, siç ishte Procesi i Berlinit, siç ishte Samiti i BE-së me Ballkanin”, vijoi Veliaj. 

Një tjetër sukses i bashkëqeverisjes së mirë, sipas Veliajt ka qenë rritja e ndjeshme e numrit të turistëve dhe fokusi te teknologjia. 

“Sot ne kemi thyer një rekord të numrit të turistëve, të numrit të hoteleve ku ti nuk gjen vende dhe të një ekonomie lokale, e cila në 2015 filloi me 25 % të ekonomisë tonë fasoneri-tekstile, 25% fasoneri këpucësh, dhe sot jemi në një situatë ku falë këtij vizioni të kryeministrit, të qeverisë socialiste dhe të familjes sonë, Tirana prodhon 25% teknologji informacioni dhe 25% gjenerohet nga turizmi. Një transformim total. Dua të falenderoj kolegët në Bashki për mënyrën se si po mbyllim plagët e fundit të lëna nga tërmeti dhe kur shikoj se si po marrin çmime shkollat dhe kopshtet në Kamzë, Rrogozhinë, Vorë, jam vërtet krenar për punën që kanë bërë kolegët”, përfundoi Veliaj. 

B.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tirona: 24/11/2023 22:05

    I pari në litar Erion Veliaj i ndjekur nga Don Rama e pastaj tjerët me rradhë...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?