Politika shqiptare uroi sot Kosovën për vendimin e asamblesë parlamentare pro anëtarësimit saj në Këshillin e Europës.
Hap historik dhe të drejt e ka quajtur kryeministri Edi Rama.
"Një hap historik sapo u hodh në asamblenë parlamentare të këshillit të europës për pranimin e Kosovës si anëtar i komunitetit të shteteve të KiE. Urime, urime, urime nga zemra Kosovës dhe faleminderit të gjithë miqve e partnerëve në Asamblenë Parlamentare, që na mbështetën në hedhjen e këtij hapi të drejtë, i cili i dha Kosovës çka i takonte dhe i bëri nder vetë Këshillit të Europës. Tani hapi i fundit historik në maj, në Komitetin e Ministrave, ku të gjithë duhet të bëjnë të vetmen gjë të duhur: VULOSJEN E KËTIJ ANËTARËSIMI pa të cilin mozaikut europian të Këshillit të Europës i mungon një gur i pamohueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Forca KOSOVË", shkruan Rama.
Kreu i PD Lulzim Basha e ka konsideron trimuf për Kosovën.
"Një ditë e madhe për Kosovën dhe shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi. Të gjithë së bashku në udhëheqjen e Kosovës i’a dolëm që Kosova të triumfojë sot! Faleminderit Dora Bakojanis për kontributin e jashtëzakonshëm për të arritur në këtë moment historik", tha Basha.
Votimi është përshëndetur edhe nga Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili e quan një vendim historik dhe ditë e madhe për Kosovën.
"Urime Kosovë! Një vendim historik dhe ditë e madhe për Kosovën, vota në favor të aplikimit për t’u bashkuar me Këshillin e Europës. Plotësisht e merituar dhe çertifikim i arritjeve të shkëlqyera, që e kanë bërë Kosovën një shembull në rajon për demokracinë funksionale, sundimin e ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, faktor paqeje dhe stabiliteti. Faleminderit të gjithë deputetëve të Asamblesë Parlamentare të KiE që votuan sot pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës! Disa faqezinj u përpoqën ta pengojnë! Por dështuan, dhe prapë do të dështojnë".
Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e ka cilësuar të merituar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin Evropian.
“E ke merituar Kosovë! Votimi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës që rekomandoi me votim bindës për pranimin e Kosovës në KiE është një lajm i rëndësishëm, dëshmi e besimit të Kosovës në vlerat e larta të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, duke treguar përkushtim maksimal në sfidën e saj për t’u bërë pjesë e kësaj organizate të rëndësishme me vlera të patjetërsueshme”, shkruan Spiroplai.
“Një falënderim i posaçëm për të gjithë miqtë dhe partnerët e zëshëm në Asamblenë Parlamentare, mbështetja e të cilëve i dha Kosovës një tjetër dimension lirie dhe fuqie për të mbërritur drejt të ardhmes së sigurt”, vijon Spiropali.
“Kemi bindjen e plotë se vendimi final i Komitetit të Ministrave në maj do të shënjojë një tjetër moment historik për Kosovën, pjesën tjetër të Kombit që ka afruar progresin përmes vlerave europeiste, në të cilat gjithmonë ka besuar, për të cilat gjithmonë ka luftuar!”, përfundon Spiropali.
Mbarë politikanët shqiptarë përgëzuan Prishtinën për këtë hap të rëndësishëm drejt Këshillit të Evropës. Pro anëtarësimit votuan 171 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan.
Kreu i PD Lulzim Basha ka publikuar foto me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti menjëherë pas votimit pro antërësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
"Me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti duke ndarë gezimin e kësaj arritje të madhe për Kosovën. Tani e gjithë energjia tek hapi tjetër që uroj dhe shpresoj në maj t’i vendosë vulën përfundimtare anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës", shkruan Basha.
Deputeti Gazment Bardhi e ka cilësuar si moment historik vendimin e Asamblesë Parlamentare të KiE, për t’i hapur rrugë anëtarësimit të Kosovës.
“Urime Kosovë! Moment historik për Kosovën dhe popullin e saj që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës votoi pro rekomandimit për anëtarësimin e Kosovës në KiE. Kjo nuk është vetëm një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën dhe proceset integruese të saj, por edhe një vlerësim për demokracinë e brendshme dhe paqen rajonale”, shkruan Bardhi.
Presidenti Bajram Begaj ka përshëndetur vendimin e sotëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
‘Përshëndes vendimin e sotëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE). Falenderoj të gjithë ata që kanë punuar dhe kanë mbështetur kërkesën e drejtë të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Tashmë pritet vetëm hapi final në maj, i cili shënon edhe mometin e merituar për të festuar.’- shkruan Begaj.
Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka reaguar pas rekomandimit të KiE-së për anëtarësimin e Kosovës.
‘Një tjetër moment historik për Kosovën. Rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës është një njohje e progresit dhe potencialit të saj.
Është një hap vendimtar drejt rritjes së bashkëpunimit, stabilitetit dhe prosperitetit për popullin e Kosovës. Është një dëshmi e përkushtimit të Kosovës ndaj vlerave evropiane. Hapi tjetër: Komiteti i Ministrave.’- shkruan ministri Hasani në rrjetet sociale.