Foto ilustruese

Aseksualiteti: Seks? Jo faleminderit!

12 Shtator 2022, 12:39| Përditesimi: 12 Shtator 2022, 12:42

  • Share

Lennart ecën nëpër Reeperbahn të Hamburgut, një rrugë për festime. Rreth tij: dyqane seksi, kinema pornografike, shtëpi publike. Përgjatë rrugës ai shikon gjinj të mëdhenj dhe të pasme të shëndosha. Por 38-vjeçarit me syze dhe me një buzëqeshje të ngurtë nuk i bën përshtypje kjo. Ai është aseksual.

"Kur i shikoj, nuk mendoj, ah shiko ato gjinj do t'i prekja. Për mua, ky është një billboard me reklama të këqija, gjëra që nuk i kuptoj."

Që në pubertet ai vuri re se ishte ndryshe nga të tjerët. Kur shokët e tij të klasës filluan të interesoheshin për seksin, ai nuk e kuptoi se për çfarë bëhej gjithë ajo zhurmë. Por edhe ai donte të provonte seksin dhe e bëri -  me një rezultat shumë të qartë: "Po, e pash që mund të bëhet dhe nuk u neverita me të. Por kjo gjë nuk më intereson dhe më mirë të mos e bëj".

As Akaya nuk ka mundur ta shijojë kurrë seksin. 22-vjeçarja me flokë të kuqe të shkurtëra, është rritur pranë Bielefeld në landin Renania Veriore Vestfalia. Rreth familjes së saj, në një zonë rurale, kishte vetëm çifte heteroseksuale. Kur ajo adresoi mungesën e dëshirës së saj për të bërë seks, nga miqtë dhe familjarët merrte gjithmonë të njëjtën përgjigje: "Thjesht duhet të gjesh partnerin e duhur. Pastaj, kur ta doni vërtet njëri-tjetrin, do të shijoni edhe intimitetin.'

Ajo e bëri këtë - për shkak të presionit social. Kishte partnerë të ndryshëm vazhdimisht, me shpresë se një ditë do ta gjejë të duhurin. Por nuk e gjeti. Kur ishte në shkollë të mesme, ajo u përball me temën e aseksualitetit, dhe këtu e gjeni veten menjëherë. "Në atë moment kuptova: Nuk kam pse të gjej personin e duhur. Është në rregull që nuk më pëlqen seksi dhe nuk kam nevojë për të".

Çfarë do të thotë aseksualitet?

Në studime të ndryshme thuhet se midis 0.5 deri në 5 përqind e popullsisë gjermane janë aseksualë. Ata tregojnë pak ose aspak dëshirë për seks. Meqenëse aseksualiteti është pak i hulumtuar dhe kryesisht i panjohur në shumë qarqe, numri i rasteve të paraportuara mund të jetë shumë më i lartë. Ashtu si Akaya dhe Lennarti, shumë aseksualë jetojnë me ndjenjat e të qenit të ndryshëm apo edhe të 'gabuar' për vite me rradhë, pa i kuptuar si duhet ndjenjat e tyre. Mjedisi shpesh reagon me moskuptim. Nga jashtë, aseksualiteti shpesh ngatërrohet me beqarinë ose me humbjen e libidos, por kjo nuk ka të bëjë fare me të, thotë Prof. Johannes Fuss, drejtor i Institutit për Psikiatrinë Forenzike dhe Kërkimet e Seksit në Universitetin e Duisburg-Essen. "Aseksualiteti është një gjë e përjetshme, jo një gjë e fituar që vjen papritur. Është e krahasueshme me orientime të tjera seksuale si homoseksualiteti."

Aseksuale, por ndonjëherë romantike

Por mungesa e dëshirës të bësh seks nuk do të thotë që njerëzit aseksualë në përgjithësi nuk hyjnë në marrëdhënie romantike. Akaya ka gjashtë muaj që është me shoqen e saj Merle, sot do të takohen për të bërë kostume. Duke qeshur, të dyja ulen në tavolinën e dhomës së ndenjes, presin pëlhura dhe shkëmbejnë shikime dashurie. Të dyja janë aseksuale dhe janë njohur në një aplikacion takimesh. Ato nuk bëjnë seks, por puthen dhe përqafohen. Një marrëdhënie nuk ka nevojë për seks, shpjegon Akaya. "Ju mund të kaloni kohë së bashku në mënyra të tjera duke krijuar intimitetin tuaj." Gjetja e një partneri aseksual ishte e rëndësishme për të dyja.

"Nëse do të kishte qenë dikush që nuk ishte aseksual, do të më duhej t'i kërkoja personit të abstenonte. Dhe kjo thjesht nuk më pëlqen," thotë Merle.

Të dyja e kishin të qartë që në fillim se nuk do të bënin seks, se mjafton mbajtja për dore dhe përqafimi. Ato e diskutojnë rregullisht këtë marrëdhënie të tyre. Ndërsa shumica e njerëzve aseksualë nuk duan marrëdhënie, ka prej tyre që bëjnë edhe seks. Shumë e bëjnë këtë nga dëshira për të pasur fëmijë, ose nga dashuria për partnerin, nëse personi tjetër është i interesuar për seks, shpjegon Johannes Fuß. Më pas seksi bëhet dhuratë për partnerin, sepse "shumë njerëz aseksualë kanë ndjenja romantike”, shton ai.

Stigmatizimi dhe paragjykimi

Shkojmë nga Reeperbahn në apartamentin e Lennartit në Hamburg Altona. Librat janë grumbulluar në dhomën e tij të ndenjes, shumë prej tyre kanë të bëjnë me aseksualitetin. Ai e ka pranuar hapur këtë identitet prej katër vitesh dhe flet për këtë edhe me të tjerët. Ai shpesh merr këshilla të pakërkuara si: 'A keni menduar ndonjëherë të kontrolloni nivelet e hormoneve?', 'Ndoshta ju ka ndodhur diçka e keqe dhe e keni ndrydhur atë.' ose 'Ju duhet të kërkoni terapi ose mjekim'. Lennartit nuk i pëlqejnë këto përvoja. Terapia për personat aseksualë nuk është e nevojshme, thekson specialisti i psikiatrisë dhe psikoterapisë Johannes Fuss.

"Pika thelbësore është presioni psikologjik. Aseksualët nuk vuajnë nga orientimi i tyre, nuk u mungon asgjë".

Prandaj, trajtimi me ilaçe nuk është i nevojshëm. Shoqëria duhet të trajtohet me edukim. "Disa njerëz duan seks çdo ditë, të tjerë vetëm një herë në muaj ose aspak. Kjo është pjesë e spektrit, është normale dhe e shëndetshme."

Akaya dhe Lennart jetojnë mirë me aseksualitetin e tyre. "Meqenëse nuk kam bërë më seks, nuk kam pasur më probleme të përditshme. Nuk kam më nevojë të bëj dush vazhdimisht ose të ndërroj gjërat në krevat, kjo është praktike", thotë Lennart duke qeshur. Ata e pranojnë veten ashtu siç janë, tani duan që edhe shoqëria t'i pranojë si të tillë./ Marrë nga DW

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?