Tempulli i Delfit ne Greqine qendrore (Foto: National Geographic)

Opinion
Periferi

Asgjë me tepri!

25 Gusht, 15:38| Përditesimi: 27 Gusht, 21:34

  • Share

Kushedi pse grekët e lashtë në hyrje të Tempullit të Delfit, (kushtuar Apollonit, perëndia e dritës, e arsyes dhe e të vërtetës) gdhendën dy shprehje në gurë. Vetëm dy: “Njih vetveten!”... dhe: “Asgjë me tepri! (“Μηδὲν ἄγαν” (Mēdén ágan),”. Këtë të dytën e kopjuan dhe romakët duke e përshtatur me “aurea mediocritas” (“vija e mesme”), e shtjelluar dhe nga autorë si Oracio.

Për të njohur vetveten, dihet, është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, e kuptuar nga shumë, por e parealizuar dot nga të gjithë. Nuk është e lehtë të njohësh vetveten, qoftë edhe të ndihmuar nga mjeshtër që rreth kësaj çdo gjë e dinë. Pa folur pastaj për ata që mes nesh janë të bindur që njohin shumë mirë vetveten dhe të tjerët.

Të bombarduar përditë nga njerëz që kanë shumë, lëvizin shumë, flasin shumë, hanë shumë, predikojnë shumë, falsifikojnë shumë, manipulojnë shumë, duan shumë, shpenzojnë shumë etj., vjen e natyrshme dëshira për të njohur ato kohë kur mençuria njerëzore, edhe jo fort larg nesh, prodhonte tempuj e orakuj që parashikonin dhe parandjenin, orientonin dhe drejtonin: Asgjë më tepër... ose asgjë me tepri!

Legjenda tregon se shqiponjat e Zeusit u takuan në Delfi dhe vendosën se aty do të ishte kërthiza e botës. Dhe nga kërthiza e botës nuk mund të vinte këshillë më e mirë se Asgjë me tepri... që këshillonte ekuilibër në të gjithë aktivitetet: Mos jeto me ekzagjerime! Mos e lër veten pre të pasioneve të pakontrolluara! Kërko përherë ekuilibër dhe sens të masës! Virtyte të shtjelluara më pas nga filozofë si Sokrati, Platoni, Aristoteli, por edhe nga besime të ndryshme fetare.

A e kemi të nevojshme në kohët tona t’ua vemë veshin orakujve dhe perëndive antike? Nëse nuk dëgjojmë njëri-tjetrin, nëse nuk kemi figura që i respektojmë dhe vlerësojmë, nëse vendosim në qendër të gjithçkaje egon tonë, duam s’duam, ndodhin gjëra që nuk i parashikojmë dot, nuk i frenojmë dot në të mirë të vetes dhe të tjerëve.

Veç Tempullit të Delfit në Greqinë antike, një tjetër Tempull fare afër nesh, ose, sipas disa autorëve shqiptarë, mes nesh, ishte dhe ai i Dodonës. I thjeshtë, me një lis gjigand në qendër të tij që quhej Lisi i Zeusit ku njerëzit shkonin dhe bënin pyetjet më të thjeshta të përditshmërisë: Si mund të shërohem? Ku të besoj? Si të zgjidh probleme familjare? A do të kem fëmijë? A duhet të hapim luftë me fqinjët etj. etj. Më pas shërbëtorët e Tempullit u jepnin përgjigje kujtdo duke dëgjuar fëshfërimat e pemëve të lisit dhe të objeketeve metalike të varura në të.

Sigurisht janë legjenda, bestytëni, supersticione, por njerëzimi në kohë të kohëve, në çdo mënyrë dhe kudo, ka kërkuar ndihmë për të qëndruar në ekuilibër, në shëndet, në sensin e masës dhe të harmonisë. Për ta arritur, çdo mjet është i mirë: një mik, një shok, një orakull, një prift, një vend, një hoxhë, një legjendë, një histori e sidomos, të gjithë bien dakord se nuk ka më mirë për të zgjidhur çdo problem kur motoja është: Asgjë me tepri!

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Xxxxx: 26/08/2025 15:16

    Komplimente per shkrimin!Jo cdokush e ka koeficientin e larte te inteligjences te kuptoje shkrimet tuaja.

    Përgjigju
    • Hari: 27/08/2025 06:56

      Çfarë lidhje ka ky shkrim me koeficientin e intigjencëncës?Përveçse një evidentim thëniesh me vlerë, të cilat janë përvojë e përditshmërisë njerëzore qëkurse filloi jeta në tokë, vetëm për inteligjencën nuk bëhet fjalë në këtë shkrim që gjithsesi duhet lexuar për ta pasur si busull shpirtërore.

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin e Ramës për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet?