Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama dhe Kreu i PD-së Lulzim Basha

Asgjë nuk është siç duket, kulisat e fushatës nga Meta te Basha

17 Mars 2021, 14:59| Përditesimi: 17 Mars 2021, 15:03

  • Share

Fushata për zgjedhjet e 25 prillit, si kurrë ndonjëherë po shfaqet si një fushatë atipike dhe e tillë do të jetë deri në fund.

Një fushatë e kondicionuar nga pandemia dhe rregullat anti-Covid, por edhe një fushatë ku nuk kemi vetëm dy palët në garë, ata në pushtet dhe ata në opozitë, por shumë faktorë të tjerë që kurrë më parë nuk mund t’i kishim imagjinuar. Dhe si e tillë është një fushatë plot të papritura, e ku çdo javë mund të sjellë argumente për analizë.

Pasi ka përtypur në heshtje në fundjavë furinë e kritikave për daljen e tij jashtë normave ditën e premte, Ilir Meta është shfaqur të hënën gjatë gjithë ditës për të sqaruar “çmendurinë” në zyrat e FRD-së.

Në mes të ulërimave të së premtes dhe kthimit në normalitet të hënën ishte një tjetër episod dhune, ai i përplasjes mes simptizantëve të PD-së dhe PS-së të dielën në Elbasan në ditën e verës gjatë takimit të Edi Ramës.

Në pamundësi për të shuar tërësisht jehonën e ulërimave, edhe pse gjatë ditëve që pasuan, shumë nga eksonentët e opozitës u munduan të rivlerësonin gjestet e tij si të detyruara nga padrejtësitë e pushtetit, Ilir Meta pranoi edhe vetë se nuk mund te jetë një President normal deri në 25 prill.

Duke justifikuar arsyet, Meta nuk e justifikoi tërësisht gjestin e tij, por dalja të hënën në Presidencë ishte një lloj tërheqjeje nga sjellja e të premtes, edhe pse u mundua që ta fshehë tërheqjen me deklarime tëtilla si do të dalë sërish rrugëve kundër pardrejtësive.

Pavrësisht letrave, fjalëve, premtimeve dhe kërcënimeve me ton më të zbutur, i pari që ka kuptuar se mund të digjet njësoj nga zjarri i dhunës verbale dhe fizike që filloi, me sa duket ka qenë vetë Presidenti.

Reagimi i fortë kundër, ndoshta edhe shqetësimi që mund të ketë ngjallur te ndërkombëtarët Ilir Meta, sinjalet që mund t’i kenë ardhur apo frika nga rreshtimi i fortë publik që të huajt në bllok, në Bruksel apo Uashingon, mund t’i bëjnë nëse vazhdon në të njëjtën rrugë, me të njëjtën sjellje, kanë bërë që Presidenti të zbutet dhe të dërgojë mesazhe më normale brenda anormalitetit të sjelljes së tij të javëve dhe ditëve të fundit.

Edhe deklarata e dhënë në mbrëmje se nëse Edi Rama fiton 71 mandate ai do t’i japë dorën dhe do të japë dorëheqjen, korrigjon të paktën për momentin, çdo aludim se të nesërmen e zgjedhjeve Presidenti do të dalë në rrugë për të mos njohur rezultatin.

Do të dalë në rrugë për të udhëhequr opozitën, sepse një President që pranon hapur se është investuar fort kundër qeverisë aktuale, që ka dalë edhe ai në fushatë dhe se do të ndikohet nga rezultati i zgjedhjeve për të qëndruar në detyrë, vë nën presion edhe udhëheqësin e opozitës që nëse nuk arrin me koalicionin e tij 71 mandatet dhe që nuk fiton zgjedhjet, nuk duhet të qëndrojë as ai në krye të partisë që drejton.

Prandaj më shumë se ka frikësuar palën tjetër, me gjestet e tij, me deklaratat e tij, Ilir Meta duket se ka inspiruar militantët e PD-së që të hidhen njësoj si ai në veprim, si në rastin e Elbasanit.

E në këtë kontekst ka frikësuar edhe Lulzim Bashën që me hir a me pahir vendosi të shkrepë edhe ai një plumb në ajër të dielën, duke kërcënuar Edi Ramën se e njëjta pritje do t’i rezervohet kudo në Shqipëri.

Vetëm se deklaratat e Bashës, sado tension të krijojnë në Elbasan dhe sado shqetësim për të ardhmen e fushatës, nuk i shkojnë shumë përshtat profilit të tij politik, jo sepse Basha nuk e ka përdorur dhunën, por dhuna e Bashës në këta tetë vjet, ose më saktë në tre vitet e fundit, ka qenë gjithmonë diçka në mes, as ka inspiruar dhe as ka prodhuar rezultat, as ka frikësuar dhe as ka rrëzuar ndonjë shtyllë të qeverisjes së socialistëve.

Ka humbur vetëm Basha. Ngjarja e Elbasanit i shërbeu Bashës vetëm në një aspekt, për të thënë që PD, qoftë edhe atë të rrugës, e zotëron ai dhe jo Ilir Meta.

Dhe se gardhin e PD-së e komandon ai, jo Ilir Meta. Por fakti që veprimet e PD-së së rrugës dhe deklaratat për autorësinë e tyre nga Basha kushtëzohen dhe duken si shkak-pasojë e lëvizjeve të Presidentit më shumë se sa vevojë përballjeje me armikun e madh Edi Rama.

Në këtë kuadër, fushata deri tani po tregon se shahu politik po luhet në fushën e opozitës më shumë se sa në atë të Edi Ramës, që pavarësisht kontestimeve, ka vendosur t’i japë sërish një dorë Lulzim Bashës duke na kujtuar disi fushatën e zgjedhjeve të 2017.

Më shumë se me PD-në, këto ditë Kryeministri është marrë me Ilir Metën dhe atë që ai përfaqëson, LSI-në.

Për Edi Ramën çdo votë për Ilir Metën dhe LSI është votë kundër drejtësisë dhe se LSI, nënkupto Ilir Meta, janë problemi më i madh i politikës shqiptare. Një mesazh jo edhe aq i fshehur, përveçse një diversion brenda opozitës.

Një ftesë Lulzim Bashës që të tërhiqet nga rruga që ka nisur Meta dhe ndoshta edhe një shkelje syri për të nesërmen e zgjedhjeve.

Pas 25 prillit, ku i dihet, Bashës do t’i duhet të zgjedhë ku ta parkojë autobusin, ta lerë fare apo ta vendosë paralel me atë të Ramës, nëse PS fiton, por do të duhet t’i nevojet edhe një dorë nga opozita.

Sepse çështja nuk shtrohet nëse PD-LSI fitojnë 71 mandate. Në këtë rast të gjithë jetojnë të lumtur aty ku janë dhe kanë realizuar të gjithë synimet: Basha qeverinë, LSI dhe Meta pjesën e tyre të pushtetit dhe benefitet e tjera për çdo reformë, përfshirë edhe atë të shumëpërfolurën të drejtësisë.

Ekuacioni vështirësohet nëse fiton Edi Rama, sepse një mandat i tretë i tij rrezikon të prishë gardhet e gjithësecilit. Meta jashtë Presidencës kthehet në kërcënim për Bashën në PD.

E vetmja rrugë mbijetese e kryetarit të PD-së është të shohë majtas tek ish shoku i 17 majit. Ky, deri tani ia ka lënë parvazin e dritares pak hapur, duke dhënë një fije shpresë se mund ti hapë pak edhe derën./ Gazeta "SI"

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?