Shumëkush mund ta ketë hasur shkrimtarin ikonik gjerman, Erich Maria Remarque duke i veçauar gjithnjë stilin e veçantë të të shkruarit, aq simbolist por edhe realist.
Drama “Asgjë të Re nga Fronti i Perëndimit”, e mbështetur në romanin e famshëm me të njëjtin emër të shkrimtarit gjerman, Erich Maria Remarque, në shumë pak kohë ka marrë 14 nominime për Çmimet e Akademisë Britanike të Filmit dhe Televizionit – BAFTA.
Në mesin e çmimeve për të cilat është nominuar filmi, janë “filmi më i mirë”, “regjia më e mirë”, dhe “skenari i adaptuar më i mirë”. Kjo do të thotë se filmi i bazuar në kryeveprën letrare barazohet sa i përket numrit të nominimeve me filmin “Crouching Tiger, Hidden Dragon” të vitit 2000, i cili kishte fituar katër çmime.
Ndarja e Çmimeve BAFTA këtë vit do të bëhet më 19 shkurt, gati një muaj para ndarjes së Çmimeve Oscar, që ndahen më 12 mars. Ceremonia e ndarjes së Çmimeve BAFTA do të udhëhiqet nga aktori Richard E. Grant.
I botuar për herë të parë më 1929, “Asgjë të re nga fronti i perëndimit” është konsideruar si një nga librat më të rëndësishëm të shkruar me subjekt nga kasaphana e Luftës së Parë Botërore. Siç shkruan autori, kjo është një mënyrë e përsosur “për të rrëfyer një gjeneratë, që edhe nëse u shpëton granatave, shkatërrohet nga lufta”.