Ashensorët pa çertifikata sigurie, qytetarët në mëshirë të fatit

21 Gusht, 19:55| Përditesimi: 21 Gusht, 19:59

  • Share

Në dhjetor të 2021, Investigative Network Albania do të publikonte një shkrim në lidhje me sigurinë e ashensorëve në vend. Gjetjet e këtij investigimi paraqisnin një situatë sigurie të rëndë, ku nga më shumë se 10 mijë ashensorë në të gjithë territorin e republikës, vetëm 1200 ishin të pajisur me çertifikatë sigurie, duke ngritur pikëpyetje të mëdha për mbi 8800 ashensorët e tjerë që funksionojnë në vend. 

Personi i cili duhet të ndjekë gjithë procedurën ligjore për sigurinë e ashensorëve, është pikërisht administrator i pallatit, por në 2021, të dhënat e sigurara nga INA MEDIA treguan se shumë pallate nuk kanë administrator. Ndërkohë institucioni shtetëror i cili duhet të çertifikojë këto paisje është Inspektoriati Shtetëror i Mbykqyrjes së Tregut, të cilit për të çertifikuar të gjithë ashensorët në vend do t’i duheshin sëpaku 15 vite. Investigimi nxorri në pah edhe faktin që në vend funksionojnë më shumë se 8800 ashensorë pa patur një çertifikatëƒ sigurie të lëshuar nga ISHMT, që tregon se ligji shkelet edhe nga kompanitë që bëjnë mirëmbajtjen e dhe lejojnë përdorimin e këtyre paisjeve pa patur një çertifikatë sigurie.

Por, tashmë 4 vite pas këtij shkrimi, shumë pak duket të ketë ndryshuar nga situata e përshkruar në shkrimin e INA Media.

Bashkitë nuk zbatojnë ligjin

I gjithë procesi I çertifikimit të ashensorëve në vend, iniciohet nga administratorët e godinave, zgjedhja e të cilëve kryhet nga vet banorët, por ligji nr. 10112 datë 09.04.2009 “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit”, nga të dhënat e grumbulluara në qytetet me të mëdha në vend, nuk zbatohet në pjesën më të madhe të tyre.

Praktikisht duhet të jenë vetë banorët e pallatit, të organizuar në asamble, të zgjedhin kryesinë dhe më pas administratorin, një ndër detyrat e të cilit është edhe regjistrimi i ashensorit pranë ISHMT-së, lidhja e kontratës me një kompani mirëmbajtëse, si dhe lidhja e kontratës me një trupë të autorizuar për kryerjen e kontrollit teknik, periodik.

Një ndër qytet, i cili ka nisur me zbatimin e këtij ligji është Bashkia Tiranë e cila në përgjigje zyrtare të pyetjeve të ngritura nga INA Media shprehet se: “Drejtoria e Bashkëpronësisë dhe Fondit të Komunitetit, në zbatim të ligjit nr. 10112, datë 09.04.2009, ka çertifikuar dhe ka regjistruar në ‘Librin e Administratorëve’ 1113 administratorë”. Kjo listë është në dispozicion edhe online në faqen Tirana.al, por e pyetur se sa është numri i ashensorëve funksionalë në këtë bashki, kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje.

Nga ana tjetër, qyteti më i madh bregdetarë në vend, Durrësi, i cili është një nga qytetet më të rëndësishme ekonomike në vend, si dhe një qytet ku zhvillimi në lartësi ka njohur rritje të madhe, me qindra pallatet shumëkatëshe, shpreht se nuk disponon një informacion në lidhje me numrin e ashensorëve të instaluar, ndërkohë ka vetëm 8 administratorë të regjistruar në vitin 2023-2024.

Ju informojmë që në regjistrin e Bashkëpronësisë për vitin 2023-2024 rezultojnë të jenë pajisur më çertifikatë regjistrimi 8 administratorë, nga këta 2 janë shoqëri (shpk) dhe 6 janë persona fizikë në kuptim të Kodit Civil,” shprehet Bashkia Durrës.

Ndërkohë në Elbasan, nuk ka asnjë administrator të çertifikuar. “Lidhur me informacionin për numrin e ashensorëve të insatluar në Bashkinë Elbasan dhe numrin e administratorëve të pallateve të çertifikuar nga Bashkia Elbasan, Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit nuk disponon një informacion të tillë”, thotë në përgjigjen zyrtare kjo bashki.

Situata është e ngjashme edhe në bashkinë Fier, e cila thotë se: “Nuk disponon të dhëna të përpunuara për numrin e ashensorëve të instaluar në objektet që ndodhen në territorin e saj dhe nuk ka çertifikuar asnjë administrator pallatesh”.

ISHMT: Të regjistruar vetëm 2648 ashensorë

Nga viti 2021 në 2024 në regjistrin e ndodhur në ISHMT, numri i ashensorëve të regjistruar ka shkuar në 2684, nga 1200 që ishte në vitin 2021.

ISHMT ka informacion vetëm për numrin e ashensorëve të regjistruar në Regjistrin Kombëtar”, shprehet zyrtarisht ky institucion, i cili në organikën e tij, për stafin që merret me çertifikimin dhe regjistrimin e ashensorëve, e quajtur Struktura e Sektorit të Produkteve Mekanike, ka vetëm 8 inspektorë dhe një përgjegjës për të gjithë territorin e vendit, përballë një numri prej mbi 10 mijë ashensorë.

Gjatë tre viteve të fundit, 2021, 2022 dhe 2023, ky institucion ka kryer gjithësej 879 inspektime për verifikimin e kërkesave ligjore nëse janë përmbushur nga personi përgjegjës, mbi sigurinë e ashensorëve.

Në vitin 2021 janë kryer 336 inspektime dhe janë marrë 95 masa administrative. Në vitin 2022 janë kryer 309 inspektime dhe janë marrë 114 masa administrative. Në vitin 2023 janë kryer 234 inspektime dhe janë marrë 52 masa administrative”, thotë ISHMT, duke shtuar se masat administrative kanë ardhur si rezultat i moskryerjes së vlerësimit të konformitetit dhe regjistrimit të ashensorëve.

Ndërgjegjësim i ulët, por edhe kapacitete të kufizuara

Gjatë tre viteve të fundit nuk kanë munguar as rastet e ankesave nga ana e qytetarëve, ku pranë ISHMT-së kanë qenë 39 të tilla. “Nga verifikimet në terren është vërejtur se këta ashensorë nuk I ishin nënshtruar kryerjes së vlerësimit nga një organ i miratuar për këtë qëllim, më pas është vijuar me ndalimin e përdorimit deri në vlerësimin e konformitetit dhe regjistrimin e ashensorit pranë ISHMT-së”, shkruhet në përgjigjen zyrtare dërguar INA Media-s.

Ndonëse kostoja e mirëmbajtjes së një ashensori është e ulët, shpesh herë problemet me pagesat mujore, janë ato që cojnë në mos realizimin e këtyre kontrolleve.

Ne paguajmë rreth 80 mijë lekë të vjetra në vit për ashensorin, kjo përfshin të gjitha shërbimet për të, por nuk është se kontrollohet shpesh. Unë kam 15 vite që banoj në këtë pallat, më ka ndodhur që është hapur dera e ashensorit edhe mes kateve, ka patur raste që edhe është bllokuar, ndërsa njerëz për mirëmbajtjen e tij, kam parë vetëm dy herë që është prishur fare”, thotë Megi, një 38 vjecare, e cila banon në zonën e plazhit në qytetin e Durrësit, e cila shton se pothuajse vetëm gjysma e banorëve janë ata që paguajnë rregullisht.

Gjatë viteve të fundit nuk kanë munguar rastet ku qytetarë janë dëmtuar në ashensor. I tillë ishte rasti i shkurtit të 2023, ku në zonën e Astirit në kryeqytet ashensori pësoi difekt duke rënë nga kati i 5, me 5 qytetarë brenda tij.

Në një mori problemesh, një tjetër që i shtohet është edhe kapacitetet e kufizuara që janë në treg për të garantuar sigurinë e këtyre paisjeve. Nga organet e miratuara, janë në total 6, ku vetëm një prej tyre është për ashensorët e instaluar pas datës 31.12.2019, dhe të tjerët janë për ashensorët e instaluar para datës 31.12.2019.

Në një kohë kur qytetet shqiptare janë duke u zhvilluar gjithmonë e më shumë në lartësi, është e nevojshme rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rrezikun e mosçertifikimit dhe mirëmbajtjes së ashensorëve, por nga ana tjetër, rritja e kapaicteteve për organet që e kryejnë këtë shërbim si dhe ato të ISHMT-së, duke çuar në një çertifikim të këtyre paisjeve në të gjithë vendin./ INA Media

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ani: 21/08/2024 20:39

    Emergjence Duhet te certifikohen dhe mos lejohet asnje ashensor te punoje pa bateri dhe aspirim emergjence.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?