Foto ilustruese

Ashpërsimet penale/ Kush vret nuk i shpëton kurrë ndëshkimit, bien afatet kohore

13 Tetor 2019, 07:59| Përditesimi: 13 Tetor 2019, 08:05

  • Share

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë, gjatë dy viteve të fundit, ka ashpërsuar ndëshkimet për krimet kundër jetës, përmes ndryshimeve në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale. Ditët e fundit kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja, të cilat parashikojnë një dënim nga 5-15 vjet burg për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, duke u hequr kësisoj çdo mundësi prokurorëve dhe gjyqtarëve që të lënë jashtë burgut një person që arrestohet nga policia për armëmbajtje pa leje. Por, në mars të vitit 2017, Kuvendi ka bërë ndoshta ndryshimin më të rëndësishëm në Kodin Penal, duke eliminuar çdo mundësi shpëtimi për personat që kryejnë krime kundër jetës. Më konkretisht, është parashikuar që kushdo që kryen vrasje nuk do t’i shpëtojë kurrë drejtësisë, pavarësisht dekadave që mund t’u fshihet autoriteteve.

Pra, është vendosur që veprat penale të vrasjes së personave të mos parashkruhen, që do të thotë se, sado kohë të ketë kaluar nga kryeja e veprës penale, personi që e ka kryer këtë vepër, në momentin që do të arrestohet nga policia apo që do të provohet nga prokuroria, do të vuajë dënimin që i cakton gjykatës. Sipas ndryshimeve të miratuara është parashikuar që të mos parashkruhen veprat penale të vrasjes me dashje, vrasjes me dashje në lidhje me një krim tjetër, vrasjes me paramendim, vrasjes për gjakmarrje, vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, vrasjes së funksionarëve publikë, vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit si dhe vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare. Për të gjitha këto vepra penale është hequr kufizimi kohor për ndjekjen penale. Ndërhyrja është bërë pikërisht në nenin 66 të Kodit Penal, ku përcaktohen dënimet dhe afatet përkatëse, jashtë të cilave nuk mund të bëhet ndjekje penale për personin që e ka kryer veprën penale. Në pikën ‘dh’ të nenit 66 të Kodit Penal, është shtuar paragrafi “Veprat penale të kreut II, seksionit I, nenet 76 - 79/c, nuk i nënshtrohen parashkrimit.”. Nenet 76 - 79/c përkojnë me veprat penale të vrasjes.

Armëmbajtja pa leje

Kushdo që kapet me armë pa leje në makinë, në mjedise publike apo të hapura, nuk do t’i shpëtojë më burgut si më parë. Deri më sot, shumë të akuzuar për armëmbajtje pa leje, i kanë shpëtuar burgut, për shkak se, pasi janë dënuar deri në pesë vite burg, gjykatësit i kanë liruar me kusht që të mos kryejnë vepër tjetër penale, në bazë të nenit 59 të Kodit Penal. Neni 59 parashikon që gjykata, kur jep dënim me burg deri në pesë vjet, mund të urdhërojë që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë, duke pezulluar ekzekutimin e dënimit. Në shumë raste, personat e liruar, kanë kryer më pas krime të rënda si vraje, grabitje më armë etj. Mazhoranca qeverisëse ka vendosur t’i japë fund kësaj historie. Paketa me ndryshime në Kodin Penal, e cila tashmë ka hyrë në fuqi, parashikon rritjen e dënimit për armëmbajtje pa leje nga pesë deri në shtatë vite burg, duke mos u dhënë asnjë mundësi gjyqtarëve që të lirojnë nga burgu një person të kapur me armë pa leje. Ndërkaq, personi që e kryen më shumë se një herë këtë vepër penale, do të dënohet nga 7 deri në 15 vite burg.

Ndryshimi

Është parashikuar që kushdo që kryen vrasje nuk do t’i shpëtojë kurrë drejtësisë, pavarësisht dekadave që mund t’u fshihet autoriteteve, pra nga koha që ka kaluar nga momenti i kryerjes së veprës penale.

Armëmbajtja

Paketa me ndryshime në Kodin Penal, e cila tashmë ka hyrë në fuqi, parashikon rritjen e dënimit për armëmbajtje pa leje nga pesë deri në shtatë vite burg, duke mos u dhënë asnjë mundësi gjyqtarëve që të lirojnë nga burgu një person të kapur me armë pa leje.

Veprat penale që përjashtohen nga parashkrimi i ndjekjes penale

Komento

Komente

  • Jxjxjdn: 13/10/2019 09:28

    Keto ndryshime kane dy vjet qe jane bere. Ne autobuz si gjithmone.

    Përgjigju
  • Populli: 13/10/2019 09:26

    Po nuk u vu denimi kapital per kriminelet te gjitha keto jane pallavra.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?