Ashpërsimi i Kodit Penal/ Arrestohen edhe 3 protestues të 'Astirit' për bllokimin e rrugës, PD padit drejtuesit e policisë: Të pezullohen

12 Tetor 2019, 09:40| Përditesimi: 12 Tetor 2019, 18:11

  • Share

TIRANË-Tre banorë të zonës së 'Astirit' janë arrestuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 pasi bllokuan rrugën sërish mbrëmjen e djeshme duke protestuar. Të arrestuarit janë Eduard Ferhati 27-vjeç, Tomor Gjata 56-vjeç dhe Ruzhdi Daci 54-vjeç, të tre banues në rrugën “Teodor Keko” në zonën e Unazës së Re. Në fakt ky i fundit është hera e tretë që arretohet brenda një viti. Më 22 nëntor të 2018, Daci u arrestua për protestën e dhunshme që ndodhi para Kuvendit, ku dhe efektivja e Policisë Ina Nuka humbi dy gishta pasi u qëllua me kapsollë ndërsa një muaj më parë u vetëdorëzua në Polici pasi ishte shpallur në kërkim për incidentet tek Unaza e Re dhe u lirua më 13 shtator.

Me hyrjen në fuqi prej datës 8 Tetor të ndryshimeve në Kodin Penal dhe ashpërsimit të dënimeve ata akuzohen për  tre vepra penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishje të qetësisë publike” dhe Pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit”. Mbrëmjen e djeshme në rrugën “Teodor Keko” në zonën e Unazës së Re ata organizuan dhe zhvilluan protestën e radhës si cdo natë, që konsiderohet e paligjshme, pasi kanë bllokuar qarkullimin në të dyja anët e rrugës.

Partia Demokratike ka paditur Drejtorin e Policisë së Qarkut Tiranë, Shefin e Komisariatit të Policisë së Shtetit nr. 6 dhe Punonjësit e Policisë së Shtetit për dhunë ndaj protestuesve në Unazën e Re dhe arrestimet, por edhe fshirjen e pamjeve që kishin filmuar dy operatorë të medias. Në padinë e firmosur nga sekretari i Përgjithshëm i PD-së dhe dorëzuar në prokurori nga ish-deputetët, Gent Strazimiri, Albana Vokshi dhe Oriola Pampuri kërkohet pezullimi i ushtrimit të detyrës publike të përfaqësuesve të lartpërmendur të policisë.

"Banorët e Unazës së Re kanë zhvilluar protestën e tyre paqësore dhe pa asnjë akt dhune. Në përfundim të protestës, një numër i konsiderueshëm punonjësish policia, disa prej tyre të paidentifikuar dhe të veshur civil, kanë filluar një aksion të paligjshëm policor, duke shoqëruar dhe më pas arrestuar me dhjetra qytetarë.Disa prej qytetarëve që i është hequr liria, rezulton se kanë qenë thjeshtë kalimtar në zonën ku ishte zhvilluar protesta. Disa të tjerë kanë qenë pjesëmarrë në atë proteste. Qytetarët pa asnjë shkak janë shoqëruar për në ambientet e Komisariatit nr. 6 Tiranë dhe në Drejtorinë e Qarkut Tiranë" thuhet në kallzim sipas PD-së.

"E drejta kushtetuese për të tubuar, në një shtet demokratik, merr një rëndësi të veçantë. E drejta për t’u tubuar lirisht dhe pa ndonjë leje të veçantë me të tjerë, ka qenë gjithnjë e vlefshme si shenjë e lirisë, pavarësisë dhe fjalës së lirë të qytetarit të përgjegjshëm. Garantimi i lirisë për aktivitetet politike në të njëjtën kohë edhe një vendim, i cili shtrihet përtej mbrojtjes së shpalosjes së personalitetit nga ndërhyrjet shtetërore. Kushtetuta garanton si të drejtë mbrojtëse, për mbartësit e së drejtës, e cila u shërben mbi të gjitha pakicave që mendojnë ndryshe të drejtën për të vendosur vetë për vendin, orën, llojin dhe tematikën e tubimit dhe, në të njëjtën kohë, ndalon forcën e shtetit për të marrë pjesë apo për t’i ndenjur larg një tubimi", thuhet në padi.

Po sipas PD-së, arsyetimi i dhënies së lejes nga ana e policisë bie. "Marrja paraprakisht e lejes për tubim ka qenë kërkesë ligjore e një ligji që tashmë është shfuqizuar dhe nuk është në përputhje me evoluimin e jurisprudencës së GJEDNJ-së. Kjo për faktin pasi tubimi mund të jetë paqësor edhe pse nuk është bërë njoftim formal për zhvillimin e tij", thuhet në padinë e Partisë Demokratike.

"Partia Demokratike ka dorëzuar sot pranë prokurorisë një padi kundër Policisë së Shtetit e cila prej 350 ditësh po sillet si një bandë, që nuk e meriton uniformën, me banorët e Unazës së Re. Prej 350 ditësh, e vetmja gjë e paligjshme që po ndodh tek “Unaza e Re”, është një projekt i cili është mirëmenduar dhe papërgatitur, për të grabitur shqiptarët me një kosto prej 20 milion eurosh, për km, ashtu sikurse është programuar në mënyrë të pashpirtë, për të grabitur banorët e Unazës së Re, për t’i shveshur ata nga gjëja më e shtrenjtë që ka njeriu, nga shtëpitë e tyre, bizneset e tyre, apo çdo tullë apo pëllëmbë toke që kanë kultivuar me djersën e ballit.

Jemi këtu sot për t’i bërë thirrje prokurorisë së shtetit, të marrë menjëherë në ndjekje penale, autorët e kësaj shkelje të të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës. Autorët e kësaj grabitje të cilët tashmë janë të mirënjohur për opinionin publik dhe të ndalë dorën gjakatare dhe të pamëshirshme të oligarkëve kundrejt banorëve të “Unazës së Re” dhe të ndalë dorën e përlyer në mënyrë të përsëritur, me grabitjen e parave të shqiptarëve, ashtu sikurse do ta bënte një pushtues i pashpirt" tha Gent Strazimiri, pasi dorëzoi padinë.

"Po mbrëmë dhjetëra policë me uniformë, ap të veshur civilë kanë kryer një akt tjetër të pashembullt, një akt kriminal ndaj punonjësve të medias. Mbi Ledio Dunin dhe Rigert Kapllanin është ushtruar dhunë fizike, psikologjike dhe verbale, u janë shkatërruar të gjitha materialet filmike, të gjitha fotografitë, janë kërcënuar dhe shantazhuar që të mos denonconin. Bëj me dije se ata ishin në krye të detyrës duke raportuar në kohë reale protestën e banorëve të “Astirit”. Dhuna ndaj medias, dhuna ndaj fjalës së lirë, mostransparenca, ndalimi i informimit të publikut mbi atë çka po ndodh jo vetëm në “Astir”, por edhe në Shqipëri, është jo vetëm antikushtetuese, antiligjore, por përbën edhe rrezik për demokracinë.

Ndaj, ne jemi sot këtu, para prokurorisë, për t’i kërkuar asaj, të identifikojë çdo polic me uniformë, apo pa uniformë që mbrëmë ka guxuar të ngre dorën ndaj medias që duhet të jetë e lirë. I kemi depozituar të gjitha. Janë dërguar në prokurori bazuar edhe në nenet, shkeljet që kanë bërë policia për dhunën që është ushtruar ndaj qytetarëve, nënave, motrave dhe ndaj punonjësve të medias. Një pjesë e mirë e pamjeve janë shkatërruar me dhunë nga policia me uniformë dhe dhjetëra policë pa uniformë, kanë mbetur disa pamje filmike, por jam e sigurt se prokuroria nëse do të ketë vullnetin dhe do të dojë mund të gjejë pamje, prova, jo vetëm filmike por edhe dëshmitarë okularë" tha Vokshi.

Ndërsa Oriola Pampuri kërkoi që "Prej tre ditësh në “Unazën e Re” ka pasur një situatë shumë të trazuar. Janë marrë disa qytetarë, protestues të pafajshëm. Ata kanë 365 ditë, prej një viti qëndrojnë aty për të mbrojtur banesat e tyre. Dhe në këto tre ditë ata janë marrë pa asnjë justifikim, sepse nuk mund të ketë justifikim të tillë kundrejt protestave paqësore që ata kanë kryer, dhe përveç kësaj, në ditën e djeshme janë thirrur në komisariat edhe përfaqësues të opozitës përfshirë mua, z.Balliu, përfaqësuesin e LSI-së, Z. Brahimllari, për t’u paraqitur në Komisariatin nr.6, kjo e gjitha përse qëndrojnë pranë banorëve të “Unazës së Re”. Dhe të gjitha arrestime, thirrje në Komisariat, ndalime, e gjithë kjo dhunë, kundrejt banorëve është bërë vetëm sepse ata protestojnë për të mbrojtur banesat e tyre.

Ne i bëjmë thirrje prokurorisë që të ndalë menjëherë këtë lloj reagimi dhe këtë lloj dhune që ka ndaj qytetarëve, banorëve, protestuesve që protestojnë në mënyrë paqësore prej një viti për të drejtat e tyre. Të ndalin këtë lloj dhune dhe reagimi, pasi reagimi qytetar është normal në një vend demokratik dhe të reagosh në të kundërt, është të shkelësh të drejtat njerëzore.  Prej një viti janë duke u shkelur të drejtat njerëzore, duke mos kthyer asnjë përgjigje kundrejt një kërkese fare jerëzore. Banesa streha të cilën ata po mbrojnë. I bëjmë edhe një herë thirrje prokurorisë të jetë e vëmendshme ndaj çdo individi dhe përfaqësuesi të policisë me apo pa uniformë, të marrë masa kundrejt këtyre akteve të papreçendetë që kanë tre ditë që i kryejnë me banorët e “Unazës së Re”" tha ajo.

Pak ditë më parë u arrestuan edhe tre protestues të tjerë po për të njëjtat akuza, ndërsa kjo solli reagimin e banorëve që 'Astirit' që zhvilluan një tubim para policisë ku u shënuan edhe disa incidente. Me ndryshimet e reja në Kodin Penal, bllokimi i qarkullimit rrugor duke cenuar të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të mjeteve të transportit, do të përballet me pasojat e shkeljes së ligjit, deklaron policia e shtetit.

(Kliko këtu për të lexuar kallzimin e PD)

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • www.youngtribune.com: 12/10/2019 12:20

    Po vjen era SHTET.

    Përgjigju
  • tori: 12/10/2019 11:59

    Asnje leshim,perkundrazi ligji te veproj mbi kto.Do isha I lumtur qe te gjithe ato "protestues" apo hajdut e zaptues tokash ti perzejne nga Tirana e ti rikthej nga kan zbritur.Tashma duhet te "operohet" ajo gjender kanceroze e Tiranes

    Përgjigju
  • XXXX: 12/10/2019 11:58

    Rasino brenda legenat e mos i nxirni më.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?