Ashpërsohet ligji për ndërtimet pas tërmeteve të 2019! Rritet vlera e gjobave, projektet e reja do të kenë mbikëqyrës të licencuar

8 Shtator 2020, 16:39| Përditesimi: 8 Shtator 2020, 20:22

  • Share

Tërmetet e vitit të kaluar ia kanë dhënë një mësim të mirë institucioneve shtetërore për ndërtimet në vend, ndërsa vjen një draft ligjor më i ashpër për ndërtimet e reja. Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvend një projektligj për “Kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, i cili ka si qëllim kontrollin dhe kolaudimin e ndërtesave të reja.

Pika e kthesës sipas këtij drafti nis tek drejtuesit teknik të ndërtimeve të reja, si përgjegjësit kryesorë për zbatimin e punimeve. Ata kanë detyrë të njoftojnë menjëherë Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes së Territorit në rastet kur kryhen punime në kundërshtim me lejen e ndërtimit.

Por njëkohësisht drafti i ri ashpërson edhe masat ndëshkuese për subjektet që do të shkelin ligjin në ndërtimet që do të marrin përsipër. Gjobat për ata që do të shkelin kuadrin ligjor do të jenë 1-3 milionë lekë sipas rastit, dhe jo më 50 mijë deri 2 milionë lekë sikurse e përmban ligji aktual.

Një tjetër kriter i kërkuar në propozimin e Këshillit të Ministrave është një punonjës shtesë nga kompanitë si një mbikëqyrës punimesh.

“Mbikëqyrësi i punimeve personi fizik ose juridik, i licencuar për ushtrimin e mbikëqyrjes së punimeve, vendas apo i huaj, i cili ka përgjegjësi kontrollin e mbarëvajtjes të të gjithë procesit të zbatimit të punimeve, në përputhje me projektin, kushtet teknike të projektimit, të zbatimit, grafikun e punimeve, si dhe destinacionin e objektit, duke pasur parasysh edhe anën ekonomike të tij”, thuhet në projektligj.

Po për ndërtimet do të ngrihet edhe një Komisioni Disiplinor, i cili do të jetë një organ ad hoc dhe mbështetet administrativisht nga ministria përgjegjëse për ndërtimin, që do të monitorojë punimet e reja.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?