Pas dy mospjesëmarrjeve radhazi, Italia futet si kokë grupi në shortin e Kupës së Botës 2026. Siguria është matematikore për skuadrën e trajnerit Spalletti, që kur kanë mbetur edhe 2 ndeshje nga përfundimi i edicionit kryeson grupin e saj në Ligën e Kombeve me 10 pikë.
Italinë e ndihmoi edhe Spanja, që pas suksesit ndaj Serbisë, kualifikoi Moratën dhe shokët e tij në çerekfinalet e turneut. Në fakt, edhe nëse do të përfundonin në vendin e tretë në grup, “të kaltrit” do të dilnin për shkak të renditjes së FIFA-s, në të cilën kanë përpara vetëm Anglinë, Portugalinë (të cilave u duhet vetëm një pikë) dhe Holandën.
Shorti kualifikues për Kupën e Botës 2026 varet nga Liga e Kombeve. Kokat e serisë janë 8 skuadrat e kualifikuara për çerekfinalet e Ligës së Kombeve dhe 4 më të mirat sipas renditjes së FIFA-s. Me rezultatet e mbrëmshme, Gjermania dhe Spanja (tashmë në çerekfinalen e Ligës së Kombeve), Franca, Belgjika, Anglia, Portugalia, Italia dhe Holanda janë koka grupi. Mungojnë edhe 4: Kroacia dhe Zvicra janë shumë afër, ndërsa dy vendet e tjera do të diskutohen mes Hungarisë, Polonisë, Serbisë dhe Danimarkës.
Shorti do të hidhet më 13 dhjetor në Zyrih. E vetmja mënyrë e sigurt për të shkuar në Kanada-SHBA-Meksikë 2026 është vendi i parë në grup, 12 të dytat e grupit dhe 4 më të mirët nga Liga e Kombeve do të garojnë për 4 vendet e tjera përmes play-off.