Presidenti amerikan Donald Trump

Opinion
Periferi

Askush nuk është edhe aq armik! Ose epoka e negociatave dhe një leksion edhe për ne nga Presidenti Trump

13 Tetor, 14:30| Përditesimi: 13 Tetor, 14:39

  • Share

Suksesi i Presidentit amerikan Donald Trump në negociatat për armëpushimin izraelito-palestinez dhe lirimin e pengjeve nga Hamas, veçse një leksion politike dhe suksesi, është një leksion jete: Askush nuk është edhe aq armik! Askush nuk meriton idhnimin final, pavarësisht çdo gjëje! Mendja e hapur dhe elasticiteti përkundër ngurtësisë së saj, është çelësi.

Sa ndodhi është një leksion për të gjithë, por sidomos për popuj të mbyllur në kufij të vegjël ku egoja individuale merr përmasa edhe më të mëdha se një kontinent i tërë, apo globi mbarë. Sidomos, për popuj ku deligjitimimi i kujtdo vetëm e vetëm se nuk toleron askënd nën aureolën individuale, është një ilaç. Sidomos, për individë që mbyllin të tjerët në dhoma paragjykimi dhe pa asnjë fakt e verifikim, i linçojnë.

Nuk e dimë a do të ketë jetë të gjatë çfarë u arrit sot. Nuk e dimë nëse gjërat do të shkojnë ashtu siç duhet të shkojnë, por nuk ka gjë më njerëzore se sa kur ulen armët dhe fëmijë, të rritur, të moshuar, të rinj mund të marrin frymë lirisht pa kërcënimin e bombave dhe plumbave mbi kokë. Siguria e jetës, është e drejta më primare dhe më elementare. Pas saj çdo gjë mund të pikturohet me ngjyrat, besimet, idealet, kufizimet e çdo kombi e race.

Thënë kjo, ajo që ndodhi sot në Lindjen e Mesme duhet të jetë një leksion dhe për kokat e nxehta dhe shkatërrimtare në Tiranë. Ato koka që nuk kanë hallet e izraelitëve dhe palestinezëve, por në gjithë këto vite, me hile e me sajesa, kanë dashur përherë t’i krijojnë. Vullneti dhe dëshira për të bërë Paqe është fara e duhur për ta pasur një ditë paqen e vërtetë. Vullneti për të hapur konflikte, për të vënë zjarrin në një kodër të bukur, është shkëndija për t’i ushqyer dhe realizuar ato vërtetë.

Shqipëria, as Kosova, nuk janë Lindja e Mesme. Janë një mrekulli njerëzore dhe natyrore mes dy Botëve që duhet të shkulë njëherë e përgjithmonë mentalitetin shkatërrues dhe shqiptarëndarës ende në kokën e disave.

a.m./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria ndaloi përdorimin e monopatinave, si ju duket vendimi?