Në një natë të mbushur me emocione dhe mesazhe politike të fuqishme, regjisori disident iranian Jafar Panahi u shpall fituesi i Palmës së Artë 2025 në Festivalin e Filmit në Cannes, për filmin “A Simple Accident” një dramë e ndërtuar mbi kujtesën, dhimbjen dhe rezistencën personale kundër shtypjes politike.
Në një qytet të paralizuar për pesë orë nga një ndërprerje e madhe e energjisë elektrike, ceremonia u zhvillua mes dritash simbolike: ajo e kinemasë si dritë lirie, dhe ajo e zërit të një njeriu që për vite të tëra është përpjekur ta mbajë ndezur këtë dritë, pavarësisht burgosjes dhe ndalimeve.
Një film nga brenda burgut, një udhëtim drejt të vërtetës
“A Simple Accident” rrëfen historinë e një familjeje që gjatë një udhëtimi për në shtëpi, natën, përplas një qen me makinë. Ky aksident i thjeshtë shndërrohet në një spirale ngjarjesh që çojnë të atin në një garazh ku njeh një burrë që mendon se është ish-aguzzini i tij nga burgu. Pa qenë i sigurt në identitetin e tij, ai kërkon ndihmën e ish-të burgosurve për të zbuluar të vërtetën, përpara se të marrë hak. Filmi lindi nga historitë reale të të burgosurve politikë, të cilët Panahi i njohu gjatë kohës së burgimit të tij në Iran.
“Për një Iran të lirë”, fjalimi emocionues i Panahit
Duke marrë çmimin në skenën e Théâtre Lumière, nga aktorja Cate Blanchett e cila theksoi mbështetjen e festivalit për artistët në mërgim Panahi u shfaq i prekur dhe me zërin që i dridhej. Ai u shpreh:
“Është vërtet e vështirë të flas... Ju lutem më lejoni të falënderoj familjen time për të gjithë kohën që kam qenë në burg. Dhe gjithë kastin që më shoqëroi në këtë udhëtim për të realizuar këtë film së bashku. Falënderoj ata që më ndihmuan këtu në Francë për postproduksionin dhe shpërndarjen ndërkombëtare. Ky film nuk do të ishte i mundur pa aktorë të përkushtuar."
Pastaj ai shtoi mesazhin që pushtoi zemrat e sallës:
“Besoj se ka ardhur momenti që t’u kërkoj të gjithë iranianëve, brenda dhe jashtë vendit, pavarësisht bindjeve të tyre: le të lëmë mënjanë dallimet tona. Ajo që ka rëndësi është vendi ynë dhe liria e tij.
Askujt nuk duhet t’i lejohet të na thotë si të vishemi, çfarë të bëjmë apo si të sillemi. Kjo është e papranueshme. Ky film është për një Iran të lirë.”
Vepër me zemër dhe butësi vlerësimet e jurisë
Aktorja Juliette Binoche, anëtare e jurisë, përshkroi filmin si “një vepër për zemrën dhe butësinë, për lirinë e rigjetur dhe për një jetë të re”. Në një nga momentet më prekëse të festivalit, Panahi u ngjit në skenë me vajzën e tij Solmaz dhe me ekipin artistik, mes duartrokitjeve të forta të publikut.
Të tjerët fitues: Norvegjia, Brazili dhe Franca
Çmimi Grand Prix shkoi për filmin norvegjez “Sentimental Value”, një portret emocional dhe introspektiv për marrëdhëniet familjare. Wagner Moura, aktor dhe regjisor brazilian, u vlerësua për filmin “L’agente segreto”, një thriller politik që ai vetë e ka drejtuar. Ndërsa aktorja franceze Nadia Melliti u shpërblye për interpretimin e saj të jashtëzakonshëm, raporton La Repubblica.
Italia largohet pa çmime
Filmi “Fuori” i regjisorit italian Mario Martone, megjithëse pritej me interes, nuk arriti të marrë ndonjë çmim këtë vit.
Komente
