Kristjan Asllani ka krijuar një situatë të sikletshme për Interin në këtë merkato vere, pas refuzimit të ofertës së ardhur nga skuadra spanjolle e Real Betis. Mesfushori shqiptar, që pritej të ishte një nga shitjet strategjike të zikaltërve për të financuar lëvizjen drejt sulmuesit nigerian Ademola Lookman, ka vendosur të mos pranojë transferimin në La Liga.
Sipas mediave italiane, Betis kishte ofruar rreth 18 milionë euro për kartonin e Asllanit, një shifër që Interi e konsideronte të kënaqshme dhe të mjaftueshme për të çuar përpara objektivat në merkato. Megjithatë qëndrimi i futbollistit 22-vjeçar i ka vënë në siklet drejtuesit zikaltër. Asllani ka bërë të qartë se nuk dëshiron të largohet nga Italia, duke përmendur arsyet familjare si motiv kryesor për këtë vendim. Ai është në kërkim të një klubi tjetër brenda Serie A, ku ndihet më i stabilizuar dhe i ambientuar.
Ky qëndrim ka bezdisur jo pak drejtuesit e Interit, të cilët kishin ndërtuar një pjesë të strategjisë së merkatos mbi të ardhurat që do të vinin nga shitja e mesfushorit shqiptar. Tashmë ata do të duhet të gjejnë një zgjidhje alternative, nëse duan të përshpejtojnë negociatat për Lookman dhe përforcimet e tjera të planifikuara.
E ardhmja e Asllanit mbetet ende e pasigurt, por është e qartë se ai dëshiron të qëndrojë në elitën e futbollit italian. Opsione të mundshme mund të jenë klube si Fiorentina, Torino apo Bologna, që kanë shfaqur interes në të kaluarën për shërbimet e tij.
Komente

Nese Asllani shkon ne spanje per 3-5 vite do ishte tek Real Madrid ose Atletico etc ! Tregu spanjoll ne futboll eshte shume perpara italise !
Përgjigju