Nga ëndërr tashmë prej 24 orësh është realitet. Kristjan Asllani u zyrtarizua si futbollist i Interit dhe prezantimi u bë nga Romelu Lukaku, ndërsa 20-vjeçari shqiptar pjesë e kombëtares, ka dhënë një intervistë për faqen e klubit zikaltër.
“Është një emocion shumë i bukur. Jam vetëm 20 vjeç dhe të vesh këtë fanellë është një ndjesi unike. Mezi pres të filloj sezoni i ri që të jam maksimumin tim,”-u shpreh Kristjan Asllani, futbollist i Interit.
Asllani ka lindur në Shqipëri, por të gjithë karrierën futbollistike e ka zhvilluar në shtetin fqinj. Historia e shqiptarit nuk mund ti shpëtonte Interit, që e ndau me tifozët.
“Nuk e kisha imagjinuar kurrë. Kam ikur nga Shqipëria kur isha 2 vjeç dhe pastaj kam kaluar gjithë pjesën tjetër të jetës në Itali. Këtu jam arsimuar dhe kam luajtur për herë të parë futboll, por nuk e imagjinoja kurrë që do ndodhte kjo që po ndodh,”-deklaroi Kristjan Asllani, futbollist i Interit.
Për kalimin te Interi, mesfushori i cili pritet të jetë zëvendësuesi i Brozovic, nuk mund të mos falenderonte Empolin, skuadrën që e rriti dhe e prezantoi me futbollin e madh.
“Jam shumë i lumtur që debutova me skuadrën e parë kaq shpejt dhe për këtë falenderoj Empolin, që i detyrohem shumë. Golin e parë në Seria A e kam realizuar kundër Interit dhe shpresoj që kjo të jetë një shenjë për bashkimin tonë,”-tha Kristjan Asllani, futbollist i Interit.
Asllani te Interi do mbajë numrin 14, që me herët e kishte Perisic i larguar te Tottenham. Pas zyrtarizimit ishte vetë kroati që uroj shqiptarin duke shkruar: “paç fat vogëlush”.