Ish deputeti demokrat, Ervin Salianji, ka reaguar sërish në rrjetet sociale, pas lirimit të tij me kusht, nga burgu, ditën e sotme.
Salianji, i cili në selinë e Partisë Demokratike nuk u prit nga asnjë koleg, thotë se do të bëjë çmos që të rrëzojë Edi Ramën nga pushteti.
Postimi i plotë i Ervin Salianjit:
Sot dola me kokën lart nga burgu i Fierit, një vend që kurrë nuk e kisha imagjinuar si pjesë të rrugëtimit tim jetësor, i cili u kthye paradoksalisht në strehën e hekurt të një padrejtësie politike.
Për 10 muaj me radhë, si i dënuar politik, nuk kam pushuar së menduari për padrejtësitë që përjeton çdo qytetar shqiptar në këtë regjim dhe për çdo mundësi të humbur për ta ndalur këtë të keqe që ka mbjellë vetëm dhunë dhe shkatërrim për më shumë se një dekadë. Trafikanti që denoncova, dhe çdo trafikant tjetër e ka vendin në burg!
Sot jam rikthyer në shtëpinë time politike në Partinë Demokratike. Këtu bëra denoncimin tim 8 vite më parë, dhe prej këtu më hoqën padrejtësisht nga beteja zgjedhore 10 muaj më parë, duke më ndalur me forcë rrugën drejt përballjes me Edi Ramën dhe qeverisjen e tij në zgjedhjet Parlamentare.
Sot kam vetëm një mendim dhe një ndjenjë që më udhëheq: të rikthejmë Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare aty ku e meriton dhe e presin të gjithë shqiptarët. Do të jap gjithçka, me të gjithë energjinë time njerëzore e politike, për ta bërë këtë realitet së bashku me kolegët, miqtë dhe të gjithë ata që besojnë në lirinë dhe demokracinë.
Faleminderit me zemër për gjjthë përkujdesjen, mesazhet dhe telefonatat e panumërta që më keni bërë sot e mbështetjen pa kufi ne keto muaj të vështirë! Sot hapim një kapitull të ri
Lajmi kryesor:
Pas lirimit, Salianji kërkon 'ndryshim' të PD-së: Të gjejmë zgjidhje për të larguar regjimin! Në seli s'e pret asnjë nga drejtuesit (VIDEO)
K.M/ReportTv.al