Shpresat për gjetjen e të mbijetuarve nga ngjarja e rëndë në Nepal janë shuar. Autoritetet vendase kanë konfirmuar deri më tani 68 viktima nga rrëzimi i avionit me 72 persona në bord, i cili më pas shpërtheu në flakë.
"Nuk ka gjasa të ketë ndonjë të mbijetuar," tha zëdhënësi Tek Prasad Rai për BBC.
Një prej pasagjerëve ka filmuar momentin e fundit teksa avioni po rrëzohej dhe u përpi nga flakët. Ky është momenti ku shfaqen për herë të fundit edhe disa prej pasagjerëve. Ende mbetet e paqartë se çfarë e shkaktoi rrëzimin e avionit, i cili më pas u përplas në tokë në grykën e lumit Seti, pak më shumë se një kilometër nga aeroporti.
Në bordin e avionit kishte 72 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit. Kryeministri i Nepalit e ka shpallur të hënën ditë zie kombëtare dhe qeveria ka ngritur një grup hetimor për të përcaktuar shkakun e rrëzimit të avionit. Nga pasagjerët, 53 thuhet se ishin nepalezë. Në aeroplan ishin pesë indianë, katër rusë dhe dy koreanë. Kishte gjithashtu një pasagjer nga Irlanda, Australia, Argjentina dhe Franca.