Asnjë përparim në bisedimet Kosovë-Serbi në nivel ekspertësh në Bruksel

28 Gusht 2020, 11:21| Përditesimi: 28 Gusht 2020, 13:44

  • Share

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për bisedimet Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, tha dje se ekipet e ekspertëve të të dyja palëve, teksa janë takuar në Bruksel, kanë biseduar për finalizimin e çështjeve të diskutuara në takimet e fundit.

Bisedimet e ditës së djeshme të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian, përfshinë çështjet ekonomike, çështjen e të zhvendosurve nga lufta dhe personat e pagjetur.

Por pas takimit zyrtarët e të dyja vendeve akuzuan njëri-tjetrin për mungesë të përparimit në këto tema.

Bashkërenduesi shtetëror i Kosovës në këto bisedime Skënder Hyseni tha se pala serbe është treguar jokonstruktive.

Dhe kjo duhet të theksohet me zë të lartë dhe të qartë. Pala serbe madje u është kthyer edhe elementëve për të cilët kemi pas dakordim në parim. Serbia ka bërë përpjekje që të rihapë kapitujt të caktuar të marrëveshjes gjithëpërfshirëse”, tha Hyseni, i cili theksoi se Serbia po synon të zvarrisë procesin e bisedimeve dhe se sipas tij nuk mund të ketë zgjidhje pa njohje të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve.

Korniza që garanton trajtim dhe zgjidhje si dhe zbatim të çdo marrëveshje mbi çfarëdo çështje që ekzistojn është njohja reciproke. Pa këtë kornizë ne vetëm mund të rrëshqasim në dhjetë vjetë të tjera humbje kohe krejtësisht te panevojshme dhe të thellimit të mospajtimeve që mbeten të mëdha”, tha Hyseni.

Ndërsa shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe Marko Gjuriç, tha se bisedimet kanë qenë të vështira dhe shpesh armiqësore.

Ne sot këtu kemi luftuar për interesat e serbëve përmes zgjidhjes së probleme për çështjet jetike të njerëzve të zakonshëm dhe çështje me rëndësi për njerëzit tanë në Kosovë është zbardhja e fatit e më shumë se 500 serbëve të zhdukur”, -tha ai duke nënvizuar se "Serbia është e interesuar që të arrijë marrëveshje të zbatueshme dhe që zgjidhë problemet e serbëve në Kosovë".

Gjuriç gjithashtu tha se ka kërkuar që të zbatohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe ndërsa ka ngritur edhe çështjen e ndërtimit të rrugës Deçan-Plavë afër manastirit mesjetar të Deçanit.

Ky ishte takimi i tretë i ekipeve teknike të bisedimeve që nga rifillimi i tyre në fillim të muajit korrik.

Bisedime u mbajtën një javë para takimit që do të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, të ndërmjetësuara nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien dhe i dërguari i posaçëm i presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se është duke bërë përgatitje për takimin në Uashington ndërsa u ka dërguar ftesa edhe partive opozitare për t’u përfshirë në delegacionin e Kosovës për këto bisedime. Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë refuzuar dërgimin e përfaqësuesve në këto bisedime.

Udhëheqësit e institucioneve në Kosovë e kanë mirëpritur angazhimin amerikan për mbajtjen e takimit në Shtëpinë e Bardhë, i cili do të zhvillohet disa ditë para takimit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian në Bruksel më 7 shtator, për të vazhduar bisedimet e rifilluara më 16 korrik.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arbëri: 29/08/2020 02:12

    Mjerimi bula fund, ekspertët Hyseni Guriç vaj vaj për ne

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?