TIRANË- Sali Berisha vijoi sot takimet elektorale, ndonëse qeveria kishte shpallur të shtunën ditë zie kombëtare në nderim të Papa Françeskut. Gjatë takimeve, në nder të Papa Françeskut, PD e Berishës mbajti 1 minutë heshtje, por në fakt nuk treguan aspak respekt për ditën e zisë.
Takimi në degën numër 1 në Tiranë, nuk nisi direkt me një minutë heshtje, por fillimisht me thirrjet e militantëve “Rama ik”, “Rama ik”. Më pas një vajzë e re hapi takimin, duke folur shkurt për vjedhjet dhe patronazhimin e qeverisë Rama. Dhe pas akuzave dhe sharjeve, mbajtën edhe 1 minutë heshtje për Papa Françeskun, i cili u përcoll sot në banesën e fundit.
“Kam parë nga afër gjithçka, lënien në harresë dhe çdo padrejtësi që i është bërë Laparakës, çdo banori të saj. Çdo banor prezent, këtu dhe ata që nuk e kishin mundësinë të vinin, e dinë mirë çdo të thotë të qëndrosh, dhe të durosh një pushtet që ka si qëllim vjedhjen dhe patronazhimin”, tha ajo.
Pastaj sharjet dhe ofendimet vijuan edhe nga deputeti Edi Paloka, duke e quajtur kryesocialistin “palaço”, “mashtrues”, “hajdut”
“Do zgjedhim mes hajdutëve, mashtruesve, ata që i kanë bërë çdo të zezë këtij vendi për 12 vite, apo ata që e kanë treguar edhe më parë se mendojnë, me gjithë gabimet, vetëm për interesin e shqiptarëve. Ne kemi pasur gjysmën e buxhetit që ka sot ky hajduti që qeveris vendin, megjithatë dyfishuam rrogat. Ky palaço siç e ka zakon kopjon programin tonë. Mund të kopjosh programin tonë, por nuk bëhet dot ne se ngelesh një hajdut, një mashtrues”, tha Paloka.
Nuk munguan ofendimet as nga Sali Berisha, duke thënë se “do t’ia shtypim kokën gjarprit”.
“Flet nga mëngjesi në darkë, përçart, jo këneta, jo zhapik, jo hardhuca, me fjalor mizerabël, çyryk, autik, budalla, i divorcuar. Këto janë premtimet e tij.
...Programi i tij është këneta, është tallavaja, është banaliteti, është mashtrimi.
...Ai nuk ka shpirt, për atë njerëzit janë për tu përçmuar, poshtëruar.
Në Shqipëri, ju do t’i shtypni kokën gjarprit, Edi Rama”, pjesë nga fjala e Berishës.
Komente
