Ursula von der Leyen

Bota

Tarifat doganore/ Asnjë shkëndijë shprese nga Uashingtoni, BE-ja nuk ka mbështetje në Kinë

23 Korrik, 07:45| Përditesimi: 23 Korrik, 09:11

  • Share

Gjatë një pauze të negociatave në momentet e fundit me Shtetet e Bashkuara, komisioneri europian për Tregtinë, Maros Sefcovic, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij kinez, Wang Wentao. Një telefonatë e cilësuar si “e rëndësishme”, ka thënë ai, në prag të takimeve që nesër drejtuesit më të lartë të BE-së do të zhvillojnë në Pekin me presidentin Xi Jinping dhe kryeministrin Li Qiang. Por një telefonatë që pasqyron edhe distancën mes palëve, pasi Sefcovic e përkufizon samitin si një mundësi për “të punuar për një partneritet BE-Kinë më të balancuar, të bazuar në kushte barazie dhe më shumë parashikueshmëri dhe besueshmëri”. Pas kërkesës së parë – parashikueshmërisë – fshihet pakënaqësia ndaj përdorimit politik që Pekini i bën eksporteve të metaleve të rralla. Ndërsa pas së dytës – besueshmërisë – fshihet zhgënjimi ndaj premtimeve të thyera për hapje të tregut dhe tepricë të kapaciteteve prodhuese. Kina nuk lëshon asgjë, aq më tepër pasi e përballoi pa shumë pasoja sulmin tarifor të Trump-it.

Von der Leyen në Japoni dhe Kinë

Ndalesa e parë e turit aziatik të Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa sot në Japoni – pikërisht në ditën kur Uashingtoni dhe Tokio njoftojnë arritjen e një marrëveshjeje tregtare me tarifa 15% – do të jetë ndjeshëm më miqësore. Për sa i përket mbrojtjes së tregtisë së lirë dhe kundërshtimit ndaj regjimeve autoritare, Brukseli dhe Tokio janë të sinkronizuara. Në deklaratën e përbashkët do të njoftojnë forcimin e partneritetit të tyre ekonomik dhe të sigurisë. Por nëse qëllimi i Europës ishte të krijonte aleanca, apo madje një koordinim përballë Trump-it, rezultatet janë minimale, siç tregon marrëveshja që Japonia sapo ka arritur. Si Brukseli, ashtu edhe Tokio, ndodheshin nën presion, por negociatat i zhvilluan në mënyrë të ndarë, duke tentuar në njëfarë mënyre të minimizojnë dëmet. Nëse objektivi i Trump-it ishte ta shndërronte rendin multilateral në një shumë raportesh (forcë) bilaterale, duket se ia ka dalë: të gjithë kanë frikë se mos fqinji arrin një marrëveshje më të mirë. Ose të paktën, një marrëveshje.

SHBA: 1 gushti, afati përfundimtar

Europa dhe SHBA vijojnë bisedimet në nivel teknik, por tetë ditë nga afati përfundimtar nuk shihen ende sinjale pozitive. Propozimi i Trump-it, i cili kërkon tarifa bazë të paktën 15% dhe tarifa sektoriale edhe më të larta, është i papranueshëm për Brukselin. Komisioni e konsideron “të pamundur” një marrëveshje këtë javë dhe aktualisht nuk parashikon kontakte të reja politike. Po përgatiten kundërmasat, me 27 shtetet anëtare gjithnjë e më shumë të dorëzuara për t’i aktivizuar, megjithatë ato do të hyjnë në fuqi vetëm pas 1 gushtit. A është e mundur një shtyrje? Komisioni nuk e përjashton, por Sekretari amerikan i Thesarit, Bessent – në teori një “pëllumb paqeje” – ka folur për një “afat mjaft të rreptë”, edhe pse negociatat mund të vazhdojnë më pas. E vetmja hapje, paradoksalisht, është për Pekinin: të hënën Bessent do të udhëtojë drejt Stokholmit për t’u takuar me kinezët, me synimin për të zgjatur “armëpushimin” që skadon më 12 gusht.

Trump: marrëveshje me Filipinet

Trump synon të mbyllë dhe të reklamojë disa marrëveshje në ditët në vijim. Dje, pas një takimi me presidentin Marcos Junior, ai njoftoi përmes rrjeteve sociale marrëveshjen me Filipinet, duke shpjeguar se këta të fundit do të paguajnë 19% (një ulje prej një pikë nga “letra” e fundit, por më shumë se 17% që u kërcënua në prill), duke zeruar në këmbim barrierat e tyre tregtare. Manila, për momentin, nuk ka konfirmuar: do të ishte marrëveshja e katërt pas atyre me Mbretërinë e Bashkuar (10%), Vietnamin (20%) dhe Indonezinë (19%). Bessent ka thënë se të ardhurat amerikane mund të arrijnë në 300 miliardë dollarë në vit, “një shifër e bukur”./La Repubblica 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se ka pasur rezultat aksioni për lirimin e hapësirave publike?