Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka komentuar takimin me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i cili ishte dje për vizitë në Tiranë ku diskutoi marrëveshjen në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Begaj thekson rëndësinë e vendosjes së paqes ndërsa shprehet se nuk do e pranonte për asnjë arsye ‘një shtet serb’ brenda Kosovës.
“Për ne Kosova është e një rëndësie prioritare. Diskutuam rreth procesit të marrëveshjes dhe aneksit të saj në Ohër. Është përshëndetur nga ana ime se fqinjin nuk e zgjedhim ne, është aty dhe mosmarrëveshjet zgjidhen përmes dialogut. Dialogu është e vetmja rrugë. Në asnjë rast nuk do të pranoja që të kishte Republikë Srpska në Kosovë dhe mesa di nuk është mbështetur as nga SHBA. Është e rëndësishme të vendoset paqe mes Kosovës dhe Serbisë dhe për të punuar fort që rajoni të integrohet në BE”, tha Begaj.
Ndërsa presidenti austriak tha se dialogu është i vështirë por i rëndësishëm që të arrijnë marrëveshje për të ecur në të ardhmen drejt BE.
“Siç e dini, në fakt u bë një lloj marrëveshje por në mungesë të një nënshkrimi zyrtar nga pjesëmarrësit. Megjithatë kjo patjetër që është një afrim në këtë proces, i cili s’duhet nënvlerësuar. E kam parë nga afër se Vuçiç dhe presidentin e atëhershëm të Kosovës në Austri që kanë bërë biseda dhe prej asaj kohe kishte goxha përparësi që folën së bashku, ndonëse nuk arritën rezultate. Dialogu është shumë i vështirë por janë të ndërgjegjshëm që pa marrëveshje, të dy vende s’do kenë të ardhme drejt BE”, tha presidenti austriak.
Lajmi kryesor:
Presidenti austriak vizitë në Tiranë! Begaj: Folëm për marrëveshjen e Ohrit, nuk mbështes Republikën Srpska në Kosovë! Van der Bellen: Shqipëria në rrugën drejt unionit
//ReportTv.al