Ashtu si në 2008, kur Rusia aneksoi dy krahina të Gjeorgjias, që u vetëshpallën “shtete”, Abkhazia dhe Osetia e Jugut, edhe tani Kosova do të bëhet pjesë e demagogjisë fashiste të Putinit.
Mbrëmë, Rusia njohu dy krahina separatiste të Ukrainës si shtete me vete Doneck dhe Luhansk.
Putini mbajti një fjalim të turpshëm që përqesh historinë dhe fyen vullnetin e 44 milionë ukrainaasve, banorë të një vendi që votuan gati 90% në favor të pavarësisë, në referendumin e parë demokratik pas rënies së komunizmit në Bashkimin Sovietik. Ai ka njoftuar se trupat ruse do të hynë në këto “republika” si “paqeruajtës”.
Ish-sigurimsi rus i KGB-së i cili nga gangster urban u ngjit e u bë president i vendit nuk do të hasë ndonjë kundërshtim ushtarak nga Perëndimi dhe bota, se Ukraina nuk është pjesë e NATO-s dhe shumica e botës nuk ka ndërmend të hyjë në luftën mes dy shteteve. Mirëpo, atij i nevojitet gjithësesi një justifikim politik për konsum të brendshëm dhe të jashtëm. Për këtë ashtu si në 2008, Kosova është tema e preferuar.
Ashtu si në Gjeorgjinë e vitit 2008, edhe në Ukrainë, propaganda ruse po pretendon për genocid dhe krime ndaj civilëve që duan pavarësi. Ka organizuar një evakuim total të popullsisë që t’i ngjajë dëbimit të kosovarëve nga regjimi fashist serb në 1999 dhe ka deklaruar se trupat e tij do të hyjnë në këto dy territore si trupa paqeruajtëse. Domethënë si KFOR në Kosovë.
* * *
Është qesharake të krahasosh të dy situatat mirëpo nëse kujtoni se opinion ndërkombëtar është kaq i qartë sa shqiptarët që e kanë vuajtur historinë mbi kurriz, shanset janë që do të zhgënjeheni shumë.
Vitit 2008 është shumë larg, kurse ai 1999 ngjan si një epokë e dikurshme. Kjo nuk është çudi në kohën tonë kur bombardimi me informacioni e ka shkurtuar e sakatuar kujtesën dhe vëmendjen në nivele të pamendueshme më parë.
Brezi i politikanëve, analistëve, reporterëve, ekspertëve, e diplomatëve të viteve 1990, ka dalë ose është duke dalë në pension. Disa kanë dalë nga moda. Disa edhe fare nga kjo jetë. Një brez i ri autoritetesh do të duhet ta “zbulojnë” Kosovën dhe historinë e saj nga e para. Për fatin tonë të mirë, Kosova kaloi tragjedinë e saj të fundit në një kohë kur nuk kishte rrjete sociale dhe rryma keqinformuese që pozicionohen jo përkrah të vërtetës por të mbajtur qendrime antagoniste të nisur nga arsye që nuk kanë të bëjnë fare me temat që debatohen.
Jo vetëm kaq por një aradhë e re politikanësh dhe analistësh kanë interes të drejtpërdrejtë që të provojnë se elitat e 50 viteve të fundit kanë gabuar në gjithshka. Në këtë vrull edhe Kosova është e sakrifikueshme. Këta njerëz që kanë gabuar kudo, nuk mund të kenë të pasur të drejtë në Kosovë.
Këto e shumë arsye të tjera do të bëjnë që propaganda ruse të hedhë farën e dyshimit dhe të rishikimit të historisë, duke çuar në fund në mohimin e sakrificës dhe vullnetit të popullit të Kosovës.
Armata e propagandistëve të vegjël rusë, të paguar për të çoroditur opinionin në rrjetet sociale, e kishte Kosovën mbrëmë në majat e gishtërinjve, ndërsa nxitonin t’u përgjigjeshin denoncuesve të agresionit rus, duke kujtuar NATO-n në 1999 dhe Kosovën.
Prandaj, ndonëse mund të duhet e tepërt do të rreshtoj këtu disa dallime serioze mes rastit të Kosovës dhe atij të krahinave Doneck and Luhansk në Ukrainë. Të tjera do të dalin në ditët në vijim.
* * *
Sipas demagogjisë së Kremlinit, nëse ndërhyrja e Rusisë për të shpëtuar popullatat “ruse” në Ukrainë është agresion, edhe ndërhyrja e NATO-s në Kosoë është agresion.
Por ky është një krahasim fare pa vend.
Mbase po të kishte ndërhyrë Shqipëria në Kosovë, mbase do të kishte ndonjë lloj paraleli mes dy rasteve. Mirëpo, NATO nuk është një vend që ka ambicje territoriale, por një aleancë vendesh që ka si qëllim kryesor paqen dhe sigurinë në Europë.
Ndryshe nga Rusia, NATO nuk përcaktoi se kujt i takonte Kosova, apo çfarë duhet të ishte statusi i saj. Ajo hyri, dëboi trupat dhe armatimet serbe nga Kosova, bindi UÇK-në që të çarmatosej dhe ia la Kosovën OKB-së që ta qeveriste derisa të përcaktoi statusi i saj, në rrugë paqësore dhe jo me gjuhën e armëve, gjuhën e më të fortit.
* * *
Paqeruajtësit e NATO-s të organizuar në një strukturë të njohur si KFOR nuk janë si “paqeruajtësit” rusë.
Rusia thjesht po i pushton këto dy krahina, KFOR nuk ka pasur kurrë forcë ekzekutive në qeverisjen e Kosovës. Ka qenë dhe mbetet një forcë shumëkombëshe.
Për ironi të fatit, KFOR jo vetëm që përfshiu edhe Rusinë, por i la Rusisë që të drejtonte një sektor të sajin.
Rusia sot po denoncon një operacion në të cilin mori pjesë vetë nën drejtimin e vetë Putinit.
Rusia u tërhoq nga KFOR-i në 2004, për arsye financiare dhe për mungesë interesi në të ardhmen e Kosovës.
* * *
Kosova nuk u bë e pavarur në 1999.
Propaganda ruse, serbe dhe idiotët e gënjyer nëpër botë e kanë bërë shesh historinë, sikur gjithshka ka ndodhur në të njëtin vit.
Rusia po hyn tani edhe zyrtarisht si palë në një luftë separatist, NATO nuk hyri për ta bërë Kosovën e pavarur. Nuk hyri në krah të UÇK-së. Hyri vetëm për të ndaluar një katastrofë humanitare pasojat e së cilës do të ndiheshin gjerësisht në Eruopë.
NATO jo vetëm që nuk e shpalli Kosovën e pavarur, por nuk e njeh pavarësinë as sot e kësaj dite, sepse 4 shtete anëtare të saj nuk e njohin Kosovën.
Mund të jetë e pakonceptueshme për Rusinë dhe çizmelëpirësit e saj në botë, por vendet anëtare të NATOs kanë të drejtën e vetos dhe Aleanca nuk do ta njohë Kosovën deri sa të gjitha anëtaret e saj ta njohin, ose të pranojnë të mos i vënë veton vendimit të Aleancës.
* * *
Kosova e pavarur nuk është një shtet etnik. Shumë shqiptarë të Kosovës e kudo në trojet tona janë të pakënaqur me flamurin me gjashtë yje dhe reduktimin e karakterit shqiptar të Kosovës. Mirëpo, një Kosovë thjesht shqiptare do të kishte qenë municion propagande për armiqtë e paqes dhe lirisë në Ballkan.
E vërteta është se Kosova ka qenë për gati një shekull një arenë e supremacisë fashiste serbe, ku nëse nuk ishe serb ishe një qytetar i klasës së dytë. Ajo që dallon qeverisjen e shumicës shqiptare nga qeverisja e pakicës serbe është se në radhë të parë në Kosovën e sotme, je qytetar e njeri dhe pastaj je pjesëtar i një etnie.
Se çfarë Kosove do të mbijetojë këtë do ta tregojë historia, mirëpo, të krahasosh projektin pozitiv e paqedashës të Kosovës, me aneksimin e Rusisë të territoreve të Ukrainës për arsye thjesht militariste, për shkak të uzinave të prodhimit të armëve dhe daljes nëpërmjet Krimesë në Detin e Zi e në Mesdhe është e papranueshme.
Rusia i ka njohur përkohësisht këto dy “krahina” si republika të pavarura, një hap formal përpara se t’i gëlltisë në territorin e saj.
* * *
Këto veprime të Rusisë që fyejnë jo vetëm vullnetin dhe dëshirat e popullit ukrainas por ligjin dhe mbarë sistemin ndërkombëtar mund të kënë megjithatë një pasojë pozitive për shqiptarët. Deri shumë vonë, qendrimet e propozimet e Rusisë, keqinformimi që buronte prej saj merreshin me një farë serioziteti dhe besueshmërie.
Rusia ka qenë në vite sabotuesja dhe penguesja më e madhe e njohjes së Kosovës në botë.
Me këtë aneksim të paturpshëm të territoreve të një vendi tjetër, Rusia ka dëmtuar rëndë imazhin e saj në botë dhe aftësia e saj për të destabilizuar Ballkanin e veçanërisht Kosovën do të kufizohet shumë.
Ashtu si dikur tragjedia e Bosnjes shpenzoi kapitalin e fundit të besueshmërisë ndaj Serbisë dhe Millosheviqit ashtu edhe Ukraina do të bëhet varri kredibilitetit ndërkombëtar të Putinit dhe lakejve të tij.
Kosova është në anën e duhur të historisë. Kjo nga ana tjetër duhet të na shtyjë që të jemi gati e të mobilizuar për të penguar, denoncuar, e shpartalluar me fakte e argumente çdo përpjekje për ta shtrembëruar historinë nga ata që duan të justifikojnë agresionin e sotëm.