E fejuara e Assange

Assange fiton fazën e parë në përpjekjen për të apeluar ekstradimin në SHBA

24 Janar 2022, 20:04| Përditesimi: 24 Janar 2022, 20:07

  • Share

Themeluesi i kompanisë WikiLeaks, Julian Assange ka fituar fazën e parë të përpjekjes së tij për të përmbysur një vendim të Britanisë së Madhe që hap mundësinë për ekstradimin e tij në SHBA për të dalë në gjyq nën akuzat për spiunazh.

Gjykata e Lartë në Londër e lejoi Assange-in të apelojë çështjen në Gjykatën e Supreme të Mbretërisë së Bashkuar. Por Gjykata Supreme duhet ta pranojë çështjen për shqyrtim përpara se të mund të vendosë për të.

Vendimi është hapi i fundit në betejën e gjatë të Assange-it për të shmangur gjyqin për një sërë akuzash që lidhen me publikimin e dokumenteve të sekrete nga WikiLeaks më shumë se një dekadë më parë.

“Padiskutim që ne fituam sot në gjykatë”, tha e fejuara e Assange-it, Stella Moris, jashtë gjykatës, duke theksuar se ai mbetet në paraburgim në burgun Belmarsh të Londrës.

"Ne do ta luftojmë këtë betejë derisa Juliani të jetë i lirë," shtoi ajo.

Gjykatës Supreme zakonisht i duhen rreth tetë javë pas paraqitjes së një aplikimi për të vendosur nëse do ta pranojë shqyrtimin e një apeli, thuhet në faqen e internetit të gjykatës.

Pak më shumë se një vit më parë, një gjykatës i qarkut të Londrës refuzoi një kërkesë të Shteteve të Bashkuara për ekstradim me arsyetimin se Julian Assange kishte të ngjarë të vriste veten nëse mbahej në kushte të rënda burgu në Shtetet e Bashkuara. Autoritetet amerikane më vonë dhanë garanci se themeluesi i WikiLeaks nuk do të përballej me trajtimin e ashpër që avokatët e tij thanë se do të rrezikonte shëndetin e tij fizik dhe mendor.

Gjykata e Lartë muajin e kaluar rrëzoi vendimin e gjykatës më të ulët, duke thënë se premtimet e Shteteve të Bashkuara ishin të mjaftueshme për të garantuar që Assange do të trajtohej në mënyrë njerëzore.

Këto garanci ishin në fokus të vendimit të së hënës nga Gjykata e Lartë.

Avokatët e Assange po kërkojnë të apelojnë çështjen sepse SHBA ofroi garancitë e saj pasi gjykata më e ulët mori vendimin për ekstradim. Por Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin e gjykatës më të ulët, duke thënë se gjyqtarja duhet t'i kishte dhënë SHBA-së mundësinë për të ofruar garancitë përpara se të merrte vendimin e saj përfundimtar.

Gjykata i dha Assange-it lejen për të apeluar në mënyrë që Gjykata e Lartë të vendosë "në çfarë rrethanash një gjykatë apeli mund të marrë garanci nga një shtet tjetër ... në procedurat e ekstradimit".

Avokatët e Assange kanë argumentuar se premtimi i qeverisë amerikane se Assange nuk do t'i nënshtrohet kushteve ekstreme është i pakuptimtë, sepse është i kushtëzuar dhe mund të ndryshohet sipas gjykimit të autoriteteve amerikane.

SHBA u ka kërkuar autoriteteve britanike të ekstradojnë Assange në mënyrë që ai të mund të dalë në gjyq nën 17 akuza për spiunazh dhe një akuzë për keqpërdorim kompjuteri të lidhur me publikimin e mijëra dokumenteve ushtarake dhe diplomatike të zbuluara nga WikiLeaks.

Assange, 50 vjeç, është mbajtur në burgun e sigurisë së lartë në Belmarsh që nga viti 2019, kur ai u arrestua për shkelje të lirimit me kusht gjatë një beteje të veçantë ligjore. Para kësaj, ai kaloi shtatë vjet i mbyllur brenda Ambasadës së Ekuadorit në Londër. Assange kërkoi mbrojtje në ambasadë në vitin 2012 për të shmangur ekstradimin në Suedi për t'u përballur me akuzat për përdhunim dhe sulm seksual.

Suedia hoqi dorë nga hetimet për krime seksuale në nëntor 2019 sepse kishte kaluar shumë kohë.

Prokurorët amerikanë thonë se Assange ndihmoi në mënyrë të paligjshme analisten e inteligjencës së ushtrisë amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet e klasifikuara diplomatike dhe dosjet ushtarake që WikiLeaks publikoi më vonë, duke vënë në rrezik jetët e shumë njerëzve.

Avokatët e Assange-it argumentojnë se klienti i tyre nuk duhej të akuzohej sepse ai po vepronte si gazetar dhe mbrohet nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane që garanton lirinë e shtypit. Ata thonë se dokumentet që ai publikoi ekspozuan gabimet e ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan.

"Ai nuk duhet të përballet me ndjekje penale dhe dekada burg për publikimin e informacionit të vërtetë me rëndësi të madhe publike," tha Barry Pollack, avokati i tij në Shtetet e Bashkuara.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?