Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka caktuar drejtuesin politik të qarkut të Shkodrës dhe Lezhës. Ai ka caktuar ekonomistin Tonin Uldedaj i cili do të koordinojë fushatën në këto dy qarqe.
Patozi ka publikuar një videomesazh të shkurtër nga Uldedaj i cili shprehet se do u japë mundësi tjetër demokratike banorëve të këtyre dy zonave.
“Dua të falënderoj kryetarin e partisë Bindja Demokratike, zotin Patozi, për mundësinë dhe besimin njëkohësisht, që të përfaqësojmë një parti të djathtë në dy qarqe kryesore të vendit. Në fakt, janë dy qarqe që njihen si bastione të demokracisë në Shqipëri, Shkodra dhe Lezha. Unë i them kryetarit që këtë besim do ta përkthejmë në mandat, edhe për këtë jam mëse i sigurt. Këtë e bazoj te pjesa që kemi më tepër se 15 vite që kontribuojmë dhe i njohim mirë ato zona, sepse ne kemi investuar atje. Mendimi im është që në demokraci njerëzit të kenë mundësi të zgjedhin, pra demokratëve dhe të djathtëve në këto zona ne do t'u japim një mundësi tjetër për të zgjedhur dhe kjo besoj se është demokracia e vërtetë”- tha Uldedaj.
Patozi shkruan se Uldedaj është ekonomist dhe figurë e njohur në këto dy zona dhe ka një eksperiencë të pasur në administratën publike dhe biznesin privat.
Postimi i plotë i Astrit Patozit:
Bindja Demokratike mandatoi sot zotin Tonin Uldedaj si koordinator të saj në qarqet Shkodër dhe Lezhë për zgjedhjet e 25 prillit. Bordi Drejtues i BD e mori me unanimitet vendimin, pas një mbledhje të shkurtër, që u thirr posaçërisht për këtë çështje.
Zoti Uldedaj është ekonomist i lartë dhe figurë shumë e njohur politike në zonat, që është caktuar të mbulojë, me një eksperiencë të pasur në administratën publike dhe në biznesin privat. Pas vitit 1991 ka qenë përgjegjës sektori në Ndërmarrjen e Peshkimit në Shkodër. Për katër vjet ai ka ushtruar detyrën e kryetarit të njësisë administrative Shëngjin, ndërsa për 8 vjet me radhë ka qenë kryetar i këshilltarëve të opozitës në Bashkinë e Lezhës.
Më herët ai ka ushtruar edhe detyrën e nënkryetarit të këshillit bashkiak të Lezhës, si dhe ka qenë për 8 vjet me radhë kryetar bordit të ujësjellës kanalizimeve në atë qytet. Po kështu ai ka qenë për 6 vjet nënkryetar, 4 vjet sekretar, dhe mbi 12 vjet anëtar kryesie i degës së Partisë Demokratike të Lezhës.