Si nuk harruan një herë dhe nuk e humbën kurrë një rast për të na treguar se për ta nuk ka një, por dy Shqipëri diametralisht të ndyshme.
Njëra, që lulëzon e zhvillohet e lumtur nën qeverisjen e tyre, të cilën, as shohim, as e prekim, as e ndjejmë edhe në ëndrrat tona më të bukura. Dhe jo se nuk duam, por thjesht sepse ajo nuk ekziston. Kurse tjetra, që nxin e sterron njësoj edhe në kohërat më të bekuara, kur Zoti dhe natyra e teprojnë me bujarinë e vet, vetëm për shkak se nuk drejtohet prej tyre. Mos u lodhni kot të kërkoni një datë, një vend, një fenomen, e aq më pak një personazh, që t'i bëjë bashkë këto dy botë të ndara si për vdekje.
Ndaj edhe mos u çudisni që ta shpifin njësoj, si ata që e teprojnë me festat e shpëlara vetëlavdëruese, ashtu edhe ata të tjerët me mallkimet histerike për çdo ngjarje dhe histori, jo domosdoshmërisht politike. Duke përfshirë këtu edhe medaljen e artë të Luiza Gegës, të cilën nuk ia lanë as të zonjës së punës ta gëzonte një ditë, sepse u përlanë prapë midis tyre, sikur të mos ishte ditë suksesi, por ditë dështimi kombëtar.
Në fakt Shqipëria reale është në mes, një dhe e vetme. Ajo e jeton të sotmen e saj me ngjyrat e halleve të mëdha dhe gëzimeve të pakta, duke u përpjekur pa shumë sukses, por me shpresë që një ditë do t'i shpëtojë darës së bardhezisë së këtyre udhëheqësve legjendarë, të cilët e duan atë vetëm si plaçkë që dergjet dhe pastaj ndahet nën këmbët e tyre.