Debati publik për çështjen e votës së emigrantëve nxori disa këndvështrime të ndryshme në lidhje me këtë çështje. Në fakt, emigrantët janë mësuar që të paragjykohen nga mikpritësit e kjo deri diku është normale, sepse të qenit të ndryshëm krijon hapësirë për paragjykime. E panjohura krijon frikë e thuajse gjithmonë nga e panjohura kemi frikë. Shpesh mungesa e kurajës për ta pranuar dhe për ta njohur më mirë të panjohurën, por vetëm duke e konsideruar si të tillë a priori, krijon diferencat dhe këto të fundit janë burim keqkuptimesh dhe shpesh herë edhe konfliktesh.
Procesi i integrimit në një shoqëri është shpesh i vështirë, i ngadalë e ndonjëherë edhe i pamundur. Një i huaj nuk vjen “nudo” në një shoqëri të re, por vjen me personalitetin e tij si rezultat i shumë variabileve që kanë të bëjnë me mjedisin shoqëror ku është rritur e formuar, me stilin e tij të jetesës, me eksperiencat e tij të jetës. Pra, një huaj nuk vjen “nudo” në një shoqëri të re që mund ta veshësh si të duash. Por, ai vjen me rrobat e tij, historinë e tij, të kaluarën, por edhe me dëshirën e nevojën e pa kontestueshme për të ndryshuar.
Qeniet njerëzore është ajo që ju ka mbijetuar të gjitha ngjarjeve historike e të gjitha momenteve e kjo ka ndodhur nga faktit se është e vetmja qenie që për nga instinkti i mbijetesës përshtatet në çdo lloj realiteti. Pra, edhe nëse një emigrant që shkon në vend të “huaj” nuk ndryshon, nuk duhet të ndryshojë, por ai ka për tu përshtatur me stilin e ri, me rregullat e reja.
Ndryshimi i parë dhe më i rëndësishëm që duhet të bëj është mësimi një gjuhe të re e cila në vetvete është një simfoni stilesh, zanoresh, tonesh dhe artikulimesh. Pra, mësimi i një gjuhe të re përbën sfidën e parë dhe më të rëndësishme, sepse nëse nuk komunikon nuk je i lirë, nuk e mbron dot lirinë, nuk mbron dot interesat tuaj, nuk bën dot kërkesa legjitime, nuk hynë dot në tregun e punës. Pra, gjuha mbetet elementi më i rëndësishëm i integrimit në mënyrë dinjitoze në një shoqëri. Megjithatë, shqiptarët mbeten në një ndër komunitet më të integruara në vendet ku kanë emigruar e kjo falë gjuhës Shqipe e cila ka 36 shkronja duke e pasuruar leksikun e duke bërë të lehtë të folurën e gjuhëve të tjera të huaja. Gjithashtu, shpesh e kam thënë, se emigrantët shqiptarë nuk kanë një zgjedhje të dytë, por vetëm të parën: Të mësojnë sa më shpejt e më mirë gjuhën e vendit të emigruar, sepse ndryshe do të dështojnë në misionin e tyre për një jetë më të mirë. Dështimi për shumicën e tyre do të ishte fatal, sepse mbrapa nga largimi nuk lënë asgjë e shpesh kanë braktisur thuajse gjithçka për një jetë të re e të ndryshme.
Shqiptarët janë paragjykuar e gjykuar nga shoqëritë ku kanë emigruar, jo për atë që përfaqësojnë si individ, por për shkak të rrethanave nga ku vijnë e shoqërinë ku kanë jetuar. Megjithatë, një i “huaj” gjykohet derisa mbetet i tillë për shoqërinë mikpritëse e derisa procesin i integrimit nuk mbyllet plotësisht e me sukses. Shpesh ndodh që mbetet i huaj përgjithmonë e kjo varet edhe nga vullneti individual për tu përshtatur, por jo për të ndryshuar. Koncepti ndryshim në shoqëri demokratike nuk konsiderohet e nuk është vlerë pozitive, sepse shpesh ndodh nga imponimi dhe jo nga vullneti i lirë. Mendoj, se shqiptarët kudo ku kanë emigruar nuk duhet të ndryshojnë, por duhet të përshtaten me realitetet e reja, pa humbur identitetin e tyre “bio” dhe origjinal. Kushti për të ndryshuar nga shoqëritë e emigruar është pasojë e politikave asimiluese dhe jo përfshirëse e integruese. Duhet të jetë në dorën e një emigranti që të zgjedhë cila “rrobat” të reja duhet të vesh dhe çfarë stili të mbajë. Emigrantët janë vlerë e shtuar, sepse diversiteti e pasuron një shoqëri e cila në një demokraci nuk duhet të jetë homogjene.
Emigrantët atje ku shkojnë marrin nga shoqëria mikpritës, por edhe japin nga vetja e tyre, nga historia e tyre. Megjithatë, paragjykimet e shoqërive mikpritëse me kalimin e kohës zbuten, zhbëhen e shkojnë drejt një harmonizimi të plotë me kalimin e viteve dhe si rezultat i një bashkëjetese të mbushur me marrëdhënie reciproke njerëzore.
Paragjykimet më të rrezikshme dhe më të rikuperueshme janë ato të prodhuara nga shoqëria e origjinës ndaj atij që merr rrugën për tu larguar. Madje, ka pasur e ka regjime që edhe me ligj që ata që largohen i konsideron si tradhtar. Një regjim i tillë ishte pikërisht edhe ai yni komunist që jo vetëm i konsideronte tradhtarë, por nëse i ndalonte në tentativën e tyre të paligjshme për të kaluar kufirin, shpesh i dënonte me vdekje e herë të tjera me shumë vite burg.
Ka ekzistuar gjithmonë se ai që largohen të trajtohet padrejtësisht si “tradhtar” e shpesh edhe si një “frikacak”, sepse, sipas atyre që mendojnë kështu nuk pati kurajë të qëndronte e të sfidonte fatin e tij në Atdhe. Në fakt e vërteta është krejt e ndryshme, sepse nuk mendojë se ka akte më të guximshëm të lësh shtratin e grohtë të shtëpisë, bukën e nënës, përqafimin e babait, dashurinë e vëllait/motrës dhe të nisesh drejt të një panjohure me plotë emocione dhe pa sigurie.
Historitë e largimeve të shqiptarëve drejt Italisë janë të rralla, të ndryshme e shpesh sot mund të konsiderohen barsoleta. Për shembull kur shqiptarët vinin me tren nga Bari, pasi blinin biletën nuk e dinin se ajo duhet të futej në një makine për tu konvaliduar, sepse në Shqipëri ishin mësuar të udhëtonin me trena parahistorik e mjafton të blinin biletën në sportele e nuk kishte nevojë të bënin asnjë aksion shtesë. Ky detaj që në thelb duket i parëndësishëm dëshmon qartë sesa ndryshon shoqëria që ke lënë mbrapa dhe shoqëria e re që duhet të përqafosh.
Debati për votën e emigrantëve dëshmojë edhe disa të vërteta të shprehura nëpër studio televizive pikërisht nga ata shqiptarë që kanë zgjedhur të jetojnë në Shqipëri dhe nuk kanë pasur nevojë, ose shpesh edhe nuk kanë gjetur guximin që të emigrojnë. Teoritë e këtyre opionistëve shqiptar ndaj shqiptar, duke i konsideruar thuajse të huaj ata që kishin emigruar ishin më të rënda se paragjykimet e shoqërive pritëse.
Në një debat të bërë një studio televizive, njëri nga të ftuar argumentonte ndër të tjera , se:
- Ata që janë larguar nuk duhet të votojnë, sepse nuk janë patriotë.
- Ata që kanë dy shtetësi nuk duhet të votojnë, sepse nuk janë patriotë
- Shqiptarët që jetojnë jashtë nuk duhet të votojnë, sepse nuk paguajnë taksa!
Optika e disa në shoqërinë shqiptare ndaj emigrantëve ka qenë ajo se: ata vijnë në mënyrë të përkohshme në Shqipëri, turistë të përkohshëm në vendin e origjinës, nuk kanë pretendime, nuk kërkojnë asgjë dhe përsëri do të largohen! Tashmë, miratimi i votës si mundësi për të votuar emigrantët atje ku janë, dashje ose pa dashje ka hapur spirale të reja, që mund të shihen edhe në optikën e një rivaliteti të heshtur.
Falë kësaj mundësie të re, kushtetuese dhe të vonuar, emigrantët nga optika e turistit të përkohshëm në vendin e origjinës, mund të kenë edhe pretendime të ligjshme siç është ajo e mundësisë për të hyrë në garat politike si konkurrentë të barabartë me të tjerët me mundësi edhe përfaqësimi. Në fakt, lidhje e kombësisë është e natyrshme, ajo në asnjë rast nuk zgjidhet, sepse askush nuk mund të zgjedhë si mundësi vendin se ku duhet të lind dhe kohën se kur do të lindë. Madje, nuk mund të zgjedhë as prindërit me të cilët duhet të lind. Për sa kohë dikush nuk kërkon asgjë, por vetëm jep, ai nuk është një rival dhe nuk rrezikon të thyej apo të ndryshojë ekulibrat e në momentin që me të drejtën fillon të kërkojë atë që i takon, ai menjëherë kthehet në një rival e shpesh edhe një “problem”.
Në fakt patriotizmi është një seri elementësh që në kompleks bëjnë atë që quhet patrimonio e padyshim elementi më i rëndësishëm është gjuha që shpesh i bashkon njerëzit rreth një identiteti të përbashkët, përtej elementëve individual të ndryshëm. Patriotizmi nuk lidhet me bindjet apo orientime politike edhe kur qasja ndaj tyre është e ndryshme e në fakt e ndryshme duhet të jetë në mozaikun e një shoqërie demokratike. Ai që mendon ndryshe ndaj një opinion apo një çështje të caktuar sociale apo politike, nuk është tradhtar e as nuk mund të konsiderohet si tillë. Madje, edhe në rastet kur përballë opinioneve apo qasjeve politike dikush është asnjanës.
Gjithashtu, patriotizmi nuk matet mbi bazën e vendodhjes fizike në një moment të caktuar historik në të cilën kalon Atdheu, por varet nga aksionet. Shqiptarët që kanë emigruar janë shumë patriot, sepse ruajnë identitetin e tyre, gjuhën e tyre, i bashkon flamuri dhe historia e përbashkët e një populli. Madje, emigrantët janë patriot të kulluar për faktin se u larguan të dëshpëruar nga vendi i origjinës, që ndoshta nuk ju ofrojnë atë që kishin nevojë, por përsëri nuk kanë asnjë mëri ndaj tij, por e dua atë në çdo moment dhe pa kushte. Krahasimet se kush janë më shumë patriot, ata që kanë qëndruar (qendrestarët) dhe ata që janë larguar (tradhtarët) jo vetëm janë të gabuar, por deri diku edhe të rrezikshme, sepse tentojnë të bëjnë diferenca edhe kur ato nuk janë. Diferencimi nuk është element demokratik, kur bëhet mbi tendenca paragjykimesh, sepse mund të kalojë në dimensione të tjera të rrezikshme të përçarjes e deri diku edhe drejt urrejtës të panevojshme dhe të pa justifikueshme.
Patriotizmi në kohë paqeje shfaqet nga ruajtja e lidhjeve që dikush mban me origjinën e Atdheun e tij, pavarësisht se ku ndodhet fizik, por edhe në versionet e tjera të kontributeve konkrete ekomomike. Për këtë të fundit, emigrantët shqiptar, përmes remitancave, mbetet kontribuuesit më të mëdhenj të Shqipëri në 34 vitet e fundit dhe burimi kryesor ekonomik i familjarëve të tyre që kanë zgjedhur të jetojnë në vend pa emigruar. Transformimi dhe zhvillimi ekonomik i Shqipëri, pa kontributin e drejtpërdrejtë ekonomik të emigrantëve sesi do të ishte nuk mund ta dimë me qartë të madhe, por sigurisht nuk do të ishte ashtu siç është. Ndërsa në kohën e një luftë apo konflikte, rasti i lutës në Kosovës është momenti më i qartë që ka matur patriotizmin e shqiptarëve që jetojnë jashtë duke shumë prej tyre edhe pse ishin lindur e rritur në Gjermani, Francë, SHBA u kthyen dhe u rreshtuan krahë për krahë me ushtarët e UCK e disa prej tyre nuk munden të rikthehen më, sepse ranë heroikisht në Atdheun.
Marrja e një shtetësi të huaj nuk është një element antikushtetues. Madje, Republika e Shqipërisë e mundëson një gjë të tillë. Çdo shtetas shqiptar që merr një shtetësi të dytë është si rezultat i integrimit në shoqërinë që ka emigruar dhe shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë. Pra, marrja e shtetësisë së dytë, kudo qoftë vendi I marrjes, nuk është një dhuratë, por një proces i mirëfilltë juridik që përfaqëson nivelin më të lartë të integrimit. Argumentimi se kush ka dy shtetësi nuk duhet të votojë në Shqipëri, jo vetëm që është antikushtetues, por është edhe naivë me element të fshehur zilie.
Në Itali kemi vajza e djem shqiptarë që kanë lindur në 2017 dhe ata janë shtetas Italian, të rritur në shoqërinë italiane. Megjithatë, thuajse shumica prej tyre, për shkak të lidhjes së gjakut nga prindërit ose nga njëri prindër dhe përkatësisë natyrore me identitetin shqiptar marrin edhe pasaportën shqiptare. Të ishte në optikën e interesit, thuajse të gjithë ata nuk kanë nevojë të marrin pasaportën shqiptare, sepse në kuptimin “banal” dhe në këndvështrimin e interesit nuk kanë nevojë për të, as për të udhëtuar, as për të jetuar e as për të ndërtuar të ardhmen e tyre profesionale e familjare. Megjithatë, thuajse pjesa më e madhe e tyre e bëjnë dhe kjo është për tu vlerësuar nga autoritetet shtetërore shqiptare.
Shteti shqiptar duhet të ndërmarr politika për ta promovuar shtetësinë, pasaportën dhe për t’i afruar më shumë me Atdheun edhe ata të rinj që lindin jashtë e kanë prindër ose njërin nga prindërit shqiptar. Dy shtetësia është pasuri edhe për Shtetin tonë. Nuk ka asgjë të keqe që Shqipëria të ketë disa shtetas të rinjtë të shpërndarë nëpër vende të Botës. Përkundrazi, në një të ardhme, jo shumë të largët ata do të jenë ura të rëndësishme për të forcuar prestigjin e Shqipërisë në Botë. Ata do të jenë promovues të rëndësishëm të vendi tonë dhe mbrojtës të mirë të interesave tona kombëtare. Një vend që ka Diasporë të fortë është me prestigj të lartë ndërkombëtar. Këtë të rinj, në një të ardhme shumë të largët do jenë pjesë e rëndësishme e realiteteve politike të vendeve ku jetojnë, do të jenë përfaqësues të rëndësishëm të shtetin ku kanë lindur e për pasojë edhe të shërbimeve diplomatike e për pasojë edhe pjesë e rëndësishme e organizmave ndërkombëtare duke e lehtësuar kështu procesin e ndërkombëtarizimit të Shqipërisë, procesin e saj të anëtarësimit në BE apo edhe në rrethana apo realitet të tjera ndërkombëtare.
Nuk ka rëndësi ku jeton një shqiptar fizikisht, ajo që ka shumë rëndësi, është faktin se të paktën njëherë në ditë mendon shqip, flet shqip dhe ndjehet shqiptar. Krahasimet nuk i shërbejnë unitetin kombëtar për të cilin, sot kemi nevojë më shumë se kurrë, por rrezikon hapjen e spiraleve të reja që në fakt I shërbejnë “tradhtisë”. Shqiptarët kanë dëshmuar, se kudo ku jetojnë, pavarësisht për sa kohë e shembull më i mirë janë arbëreshët, që nuk e mohojnë asnjëherë identitetin e tyre. Përkundrazi e mbrojnë dhe e promovojnë vazhdimisht.
Komente
