Homazhe në nder të profesor Sabit Brokaj, shuhet në moshën 78-vjeçare nga ataku në zemër! Rama: Lamtumirë miku im! Meta vendos kurorë me lule

13 Shtator 2020, 08:06| Përditesimi: 13 Shtator 2020, 16:55

  • Share

TIRANË- Ndahet nga jeta në moshën 78-vjeçare Profesor Sabit Brokaj! Burime për Report Tv bëjnë me dije se Brokaj është ndarë nga jeta pas një ataku në zemër. Janë bërë homazhe në nder të profesor Sabit Brokajt, ku mori pjesë edhe presidenti Ilir Meta, i cili vendosi një kurorë me lule e u përul me nderim dhe respekt para trupit të pajetë.

Brokaj lindi në 7 janar 1942, në Vlorë. Nga viti 1959 deri në vitin 1964, Brokaj shërbeu si ndihmës mjekësor në një nëndetëse.

Pas diplomimit në fakultetin mjekësor të Universitetit të Tiranës në 1969, Brokaj vazhdoi të shërbente si shef mjekësor i një brigade në Shijak nga 1969 deri në 1972. Nga 1972 në 1984, Brokaj punoi si kardiolog në spitalin ushtarak në Tiranë . Ai udhëtoi në Francë për të studiuar kardiologji në 1979 dhe ekokardiologjinë vitin 1982. Gjatë kësaj periudhe, Brokaj ishte një nga mjekët personalë të Enver Hoxhës.

Karriera politike
Brokaj hyri në politikën shqiptare pas rënies së diktaturës komuniste, duke u rreshtuar pranë Partisë Socialiste. Fillimisht, shërbeu si Ministër i Shëndetësisë nga shkurti deri në Dhjetor 1991. Ai u zgjodh Deputet i Asamblesë Popullore në 1991, 1996 dhe 1997. Më 25 korrik 1997, Brokaj u emërua Ministër i Mbrojtjes, post që e ka mbajtur deri në vitin 1999.

1599985896_SabitBrokaj.jpg

Sabit Brokaj

Ora 16:16
Meta merr pjesë në homazhet në nder të profesorit Sabit Brokaj, vendos një kurorë me lule (FOTO)

Gjatë homazheve në nder të profesorit Sabit Brokaj ka marrë pjesë edhe presidenti Ilir Meta. Kreu i Shtetit vendosi një kurorë me lule, u përul me nderim dhe respekt para trupit të pajetë të tij duke iu shprehur personalisht ngushëllimet e ndjera anëtarëve të familjes e të afërmve për këtë humbje të pazëvendësueshme.

Ora 16:13
Homazhe në nder të profesor Sabit Brokajt, të afërmit i japin lamtumirën e fundit

1600006464_homazhe.jpg

Janë bërë homazhe në nder të profesor Sabit Brokaj që ndërroi jetë ditën e sotme nga ataku në zemër. Të afërmit e tij janë mbledhur për t'i dhënë lamtumirën e fundit ish-mjekut dhe diplomatit të shquar shqiptar.

Ora 16:00
Ndarja nga jeta e Sabit Brokajt/ Rama: Lamtumirë miku im

Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Profesor Sabit Brokaj. Rama me një mesazh të shkurtër dhe me zemër të thyer i jep lamtumirën e fundit mikut të tij, i cili ditën e sotme u nda nga jeta nga një sulm në zemër në moshën 78-vjeçare.

"Lamtumirë miku im", shkruan Rama duke e shoqëruar me foton e profesorit.

Ora 15:14
Shuhet Sabit Brokaj, Balla: Drejtues trim i familjes socialiste në vitet e vështira të përballjes me diktaturën berishiane

1558296917_autotaulantballa1507804153570x457.jpg

Kreu i grupit parlamentar në PS, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me vdekjen e profesor Sabit Brokajt ditën e sotme. Ai thotë se ai është një drejtues trim i familjes socialiste në vitet e vështira të përballjes me diktaturën berishiane.

"Shumë i hidhur lajmi për ndarjen nga jeta të Sabitit! Një drejtues trim i familjes sonë socialiste në vitet e vështira të përballjes me diktaturën berishiane, një politikan parimor e një lab i vërtetë me urtësi të rrallë, i përkushtuar gjithmonë në mbrojtje të vlerave kombëtare, një profesor i madh dhe mjek i papërtuar. U prehsh në paqe!", shkruan Balla.

Ora 14:48
Ndarja nga jeta e Sabit Brokajt/ Namik Dokle: Shokët tanë vdekja po na i rrëmben

Deputet i vlerave të mëdha në shërbim të popullit, ministër i papërlyer në korrupsion, mjek i shkëlqyer dhe human, mik i vyer dhe i dashur! Kështu e përshkruan ish- deputeti Namik Dokle profesor Sabit Brokaj. Dokle shkruan se ai ka kontribuuar shumë për vendin, e për pasojë do jetë gjatë në mendjen e shqiptarëve.

"Shokët tanë vdekja po na i rrëmben…Me shume se kujtdo tjetër nga miqtë e mi, atij i shkon perifrazimi i këngës se njohur partizane…Sabit Brokaj, njeriu dhe politikani patriot, me shpirt luftarak, deputet i vlerave të mëdha në shërbim të popullit, ministër i papërlyer në korrupsion, mjek i shkëlqyer dhe human, mik i vyer dhe i dashur! U ndave nga ne, por ne nuk ndahemi dot nga ti, i dashur Sabit, harrimi nuk do ta prek kurrë emrin tënd", tha Dokle.

Ora 12:34
Ndërron jetë Sabit Brokaj, zv.kryetari i LSI-së Rama: I ndjerë do jetë nderimi, mirënjohja dhe respekti

1559821335_luanrama.jpg

Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama ka reaguar në lidhje me vdekjen e profesor Sabit Brokaj ditën e sotme. Përmes një postimi ai thotë se  Brokaj i kishte telefonuar pak ditë më parë që të shkonin në Drashovicë, në përkujtim të 77-vjetorit të luftës heroike të partizanëve të Labërisë e më pas do të shkonin në lumin e Vlorës. Rama thotë se edhe pa të ai, ai do të shkojë në vendet që kishin planifikuar ditë më parë.

"Të ndrittë shpirti Profesor Sabit Brokaj! Me telefonoi pak ditë më parë dhe e lamë që të shkonim bashkë në Drashovicë, në përkujtim të 77-vjetorit të luftës heroike të partizanëve të Labërisë që nisi më 14 shtator të vitit 1943, si vazhdim dhe kurorëzim i lavdishëm i Luftës së Vlorës së 1920-ës. E mandej, do të udhëtonin nëpër Lumin e Vlorës, nëpër lumin e historisë e të luftërave për liri, një nga temat më të preferuara të bisedave tona të shpeshta, sidomos sa herë që shkonin në ato anë. Mirëpo, vdekja na e mori Profesor Sabit Brokajn, duke na lënë të trishtuar dhe me dhimbjen e madhe të humbjes së një shoku e të një miku të veçantë! E rëndë, e thekshme dhe e pa matë është dhimbja për familjen, për të afërmit, për shokët dhe miqtë e shumtë, për kolegët, për studentët, për pacientët, për të gjithë ata që e kanë njohur... Por, i ndjerë dhe i pandryshuar do të jetë nderimi, mirënjohja, dhe respekti për Sabit Brokajn, për qytetarin e angazhuar dhe intelektualin kurajoz, për mjekun fjalëmbël e gjithnjë të gatshëm për të shërbyer me devocion shembullor, për politikanin e një lloji të veçantë dhe njeriun e mençur e burrin e Labërisë. Unë do të shkoj i dashur Sabit e do ta vë edhe për ty një buqetë me lule në monumentin e Drashovicës, në portën e Labërisë. Do të shkoj edhe në Brataj, për të cilin më flisje gjithnjë me aq dashuri. Do të shkoj edhe në Vlorë, në referencën e krenarisë tënde. E nuk do ta harroj kurrë këshillën e vyer që më ke dhënë: nderimi për ata që iu falën atdheut, është amanet! U prehsh në paqe mik i shtrenjtë!",shkruan Rama.

Ora 10:22
'Politikan parimor, i urtë e i mençur'/ Ruçi: Brokaj, bashkëthemelues i të majtës, fisnik, me virtyte të rralla

Kryetari i Kuvendit,  Gramoz Ruçi, i ka drejtuar sot një mesazh ngushëllimi familjes së Profesorit Sabit Brokaj, pas ndarjes nga jeta të profesorit dhe poitikanit të njohur.
“Të dashur Mira, Inesa dhe Krenar,
Me dëshpërim e dhimbje të thellë mora vesh lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Sabitit, bashkëshortit e prindit  tuaj të shtrenjtë dhe kolegut e shokut tim të dashur.
Sabit Brokaj ishte  një ndër personalitetet e mjeksisë shqiptare, me një kontribut të pakrahasueshëm në zhvillimin dhe konsolidimin e shërbimit të kardiologjisë, dhe për të cilin ka fituar mirënjohjen e kolegëve dhe të qytetarëve.
Sabiti do të kujtohet si një ndër politikanët më parimorë, më të urtë dhe më të mençur të Shqipërisë, bashkëthemelues i të majtës shqiptare dhe mbartës e përçues i vlerave më të mira të saj, si edhe i vyrtyteve më të larta të shqiptarëve.
Si deputet për disa legjislatura në Kuvendin e Shqipërisë, shkëlqeu për përkushtimin e pashoq, arsyetimet e thella, logjikën e pakundërshtueshme, oratorinë dhe elokuencën, por edhe thjeshtësinë mbresëlënëse dhe lidhjet e pandshme me njerëzit.
Si dekan i Fakultetit të Mjeksisë, profesor Sabiti kontribuoi për modernizimin e mësimdhënies e të formimit të mjëkëve të rinj shqiptarë me dijet e shprehitë bashkëkohore.
Si  Ministër i Shëndetësisë, u shqua për drejtimin e mençur përballë sfidave të mëdha që kërkonte mbrojtja e shëndetit të popullit, në rrethana tepër të vështira.
Si Ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë në një ndër periudhat më kritike për vendin, kontriboi në modernizimin e ushtrisë shqiptare dhe rritjen e bashkëpunimit të saj me NATO-n dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë, ShBA dhe vendet e BE-së.
Sabiti do të na  mungojë gjatë të gjithëve, por boshësinë e krijuar me ikjen e tij të parakohshme, do të mbushin kujtimet e respekti dhe nderimi për këtë bir të shquar të Shqipërisë e të Labërisë, për këtë trim të mendjes e të veprimit, për këtë patriot të madh, për këtë  njeri të jashtëzakonshëm, që u shërbeu familjes, atdheut dhe njerëzve deri në çastet e fundit të jetës.”,
shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në letrën e ngushëllimit drejtuar familjes së Profesorit Sabit Brokaj.

Ora 09:47
Ndarja nga jeta e Sabit Brokajt/ Meta: Humbje e pazëvendësueshme

1563266415_metaa.jpg

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar pas ndarjes nga jeta të profesorit të njohur Sabit Brokaj. Ai e cilëson si një humbje të pazëvendësueshme që ka lënduar të gjithë ata që e njihnin.

"Trishtues lajmi për ndarjen nga jeta të Profesor Sabit Brokaj, mjekut dhe intelektualit të shquar, gjithmonë të angazhuar në çështjet kombëtare edhe si deputet e ministër. Ngushëllimet më të ndjera familjes Brokaj, të afërmve dhe miqve të tij për këtë humbje të pazëvendësueshme që na lëndoi të gjithëve ne që e njohëm nga afër. I paharruar kujtimi i Profesor Sabitit", shkruan Meta.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 14/09/2020 02:10

    Z.president,ku e ke kollaren?Ne homazhe duhet te paraqiteshe me dinjitetin e postit. Veshja me paraqitje tregon respect per te ndjerin,per te afermit,por dhe per vete.Duhet te besh dhe nje kostum te ri,se ky nuk te nxe me.

    Përgjigju
  • redi: 13/09/2020 17:07

    Te qofte dheu i lehte Profesor per te mirat qe vere per kete popull dhe kete vend.Njerezit e fate dge te ndershem vdesi por i mbetet kujtimi u mire ,ndersa per kriminelet ka vetem ngordhje dhe harrese

    Përgjigju
  • Mbas tij: 13/09/2020 16:30

    ... ngushellime familjes dhe mbas tij Meta hajduti.

    Përgjigju
  • UKU MOMLIT: 13/09/2020 14:41

    Ngushellime familjes per humbjen e njeriut te tyre te dashur! Por nuk mund te mos ngushelloj edhe saliviçidolin per humbjen e rekomanduesit nr 1 si komunist me 8 Nentor 1968!

    Përgjigju
  • Sejdi Veseli: 13/09/2020 14:30

    Edhe unë, si shumica e bashkëkombësve, me dhembje të madhe e mësova lajmin për ndarjen nga jeta të të pavdekshmit, Dr. Sabit Brokaj. Ju lutem familjarëve dhe miqve besnik të Dr.Sabitit, që të me lejojnë edhe pjesëmarrjen në dhembjen e tyre, si të shumicës së shqiptarëve. Nuk do ta harroj kurrë pritjen që më bëri në Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë, kur isha Përfaqësues politik i LKÇK, jashtë trojeve të okupuara. Ministri Sabit Brokaj, më priti miqësisht dhe më inkurajoj, duke me këshilluar vëllazërisht për legjitimitetin e zhvillimit dhe të vazhdimit të luftës së Famëmadhës UÇK, deri ribashkimin e trojeve shqiptare të ndara padrejtësisht... U përkujtoftë përjetësisht ky BIR BESNIK i Atëmëmëdheut të shqiptarëve!

    Përgjigju
  • Çamëria: 13/09/2020 14:10

    U prehte ne paqe Prof. Brokaj. Ka nje kontribut te jashtëzakonshëm gjate luftes se Kosoves. Ka qene pjese e UÇK-se. Nderime! Zoti e mëshiroftë!

    Përgjigju
  • Ben Tironci: 13/09/2020 13:24

    Burre Zotni... u prefte ne paqe

    Përgjigju
  • Gege Kosova: 13/09/2020 11:51

    Ngushellime familjareve dhe miqeve te shumet andej e kendej Drini

    Përgjigju
  • Entela: 13/09/2020 11:16

    Ngushellime familhes.Si gjithe Brokallaret qe jane njerez te urte e te ndershem

    Përgjigju
  • Loti: 13/09/2020 11:04

    Sa ka nevoje per njerez si ju Shqiperia jone. Ngushellime Shqiperi

    Përgjigju
  • Rusi: 13/09/2020 10:36

    Ngushellime familjes. Respekte per kete burr te nderuar.

    Përgjigju
  • dibran: 13/09/2020 09:58

    Ngushellime familjes se Profesor Sabitit ! ....ndersa ti, Like-floriri,po te them se asnjehere nuk e vleresove te pazevendesueshmin, perkundrazi, e zevendesove me te zevendesueshem!!!!! HIPOKRIT !!!

    Përgjigju
  • Vali: 13/09/2020 09:44

    Ngushellime familjes,,te doktorit... me vjen shume keq per keta njerez kaq profesioniste qe mund te kontribuonin akoma ne shendetsi...

    Përgjigju
  • One: 13/09/2020 09:44

    Ngushellime familjareve patjeter. Do mbahen mend si brezi i politikaneve post dhe pro komunist me mungese vizioni dhe guximi qe e lane vendin te prapambetur vetem per te mbrojtur kasten e tyre

    Përgjigju
  • Gjoni: 13/09/2020 09:43

    Ngushellimet me te sinqerta familjes se Profesorit Sabit Brokaj.I qofte dheu i lehte.

    Përgjigju
  • Ardi: 13/09/2020 09:42

    NJeri i rralle, mjek i zoti. Ngushellime dhe i paharruar

    Përgjigju
    • Ilirjana Ruka: 13/09/2020 10:34

      Ngushellime familjes per kete humbje te pa pritur qe ka hidheruar thelle, jo vetem te afermit, por te gjithe ata qe e kane njohur: si shok klase, nga shkolla e mesme dhe fakulteti, si pedagog, si mjek, si Dekan. Kudo dhe kurdohere i persosur. I qofte i lehte dheu!

  • Iso: 13/09/2020 08:23

    Ngushllimet me te perzemerta familjes e miqve per humbjen e doktor,profesor Sabit Brokaj.U prehte ne paqe!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?