Atalanta bën historinë. Nën udhëheqjen e Berat Gjimshitit në fushë si kapiten, klubi bergamesk ka arritur të fitojë trofeun e parë europian, teksa mundi 3-0 në finale Bayern Leverkusenin e pathyeshëm. Për këtë, kontribut të jashtëzakonshëm dha sulmuesi Ademola Lookman, i cili realizoi të tre golat. Njëri më i bukur se tjetri. Ky sukses për ‘hyjneshën’ vjen në një kohë kur gjermanët të cilët fituan Bundesligën, kishin 51 ndeshje pa humbje këtë sezon, duke vendosur edhe rekord europian. Në fund, qershia mbi tortë ishte ngritja e trofeut nga mbrojtësi i kombëtares Berat Gjimshiti, i cili mbajti shiritin e kapitenit në këtë finale.
Ky ishte trofeu i parë në 25 vite për skuadrat italiane në Europa League, që mund të sjellë një arritje të jashtëzakonshme. Sezonin e ardhshëm ka shumë të ngjarë që 6 skuadra italiane të shkojnë në Champions League. Atalanta liron vendin e pestë përmes kampionatit, duke qenë se Championsin e siguroi nëpërmjet Europa League. Nga kjo përfiton Roma, por për këtë Atalanta duhet të qëndrojë deri në fundin e Seria A në vendin e pestë.
Pas finales së fituar, kapiteni Berat Gjimshiti, u shpreh se ‘është e vështirë të gjesh fjalët për këtë finale’, ndërsa shtoi se ‘nuk e kishte menduar kurrë këtë sukses’. Ndërkohë jo pak përshtypje bënë fjalët e Gasperinit, trajnerit të Atalantës i cili u shpreh që ‘nuk ka aq shumë rëndësi që fituan sesa mënyra si e bënë atë’. 66-vjeçari me këtë frazë i referohet faktit se për të fituar Europa League iu desh të eliminonin fillimisht Sporting Lisbonën, më pas Liverpoolin e Marseillen dhe në fund Leverkusenin. Menjëherë presidenti i Atalantës nxitoi të pohonte se do bënte gjithçka të mbante Gasperinin për sezonin e ardhshëm, në një kohë kur është folur shumë për largimin dhe se Napoli është pranë blerjes. Për 66-vjeçarin ky ishte trofeu i parë në karrierë, teksa mbante nofkën e ‘humbësit të suksesshëm’.
Ky sukses historik i Atalantës u festuar gjatë edhe në Bergamo ku mijëra tifozë kishin dalë në rrugë dhe ishin grumbulluar në fan zona të ndryshme.