'Atë që përgatit partia natën, rrëzohet ditën', letra që i shkruante Feçor Shehu, Ramiz Alisë në ’73-shin: Një shkrimtar në Tiranë ka folur në lidhje me kritikën që i bëhet Xhevahir Spahiut

19 Mars 2022, 17:28| Përditesimi: 19 Mars 2022, 17:33

  • Share

Fillim vitet ’70, ka qenë një nga periudhat më kulminante sa i përket zhvillimeve në art e kulturë në sistemin komunist. Vëllimi i dytë i librit “Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit” (botim i Institutit të Historisë),  me autorë, Afrim Krasniqin, Beqir Metën dhe Hasan Bellon, sjell përmes dokumentesh një sërë ngjarjesh që zhvillohen në vitet 1969-1973, e kanë në qendër personalitetet më të mëdha të kulturës. Një nga pikat që tërheq vëmendjen në këto vëllime, është se si udhëheqësit e partisë, merreshin personalisht me ngjarje me apo peshë në arsim e kulturë, me synim për të pikasur e dënuar çdo devijim të mundshëm nga ideologjia e Partisë së Punës. Madje edhe vetë diktatori Enver Hoxha siç mësohet në një prej dokumenteve, ka bërë një analizë kritike për poezinë e Xhevahir Spahiut.

Letra që sjellim më poshtë, e që ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror,  tregon qartazi se si zëvendësministri i Punëve të Brendshme Feçor Shehu, i përçon sekretarit të Komitetit Qendror, Ramizë Alisë, deri edhe çdo thashethem apo raportim të bashkëpunëtorëve, për atë që është thënë apo bërë ambiente të ndryshme kulturore apo edhe në shkolla. Bën përshtypje se Shehu, nuk përmend në letër protagonistët e ngjarjeve “të rënda” që tregon, përveçse emrin e poetit Xhevahir Spahiu, në këto vite i kritikuar për ndikim të huaj në poezinë e tij. Ndërsa me kujdes, zv.ministri përçon edhe komentet negative që bëhen për Festivalin e 11-të, qoftë edhe nga njerëz të thjeshtë.

Letra e plotë e shkëputur nga vëllimi II i librit “Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit”:

SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH

SHOKUT RAMIZ ALIA, TIRANË

Në vazhdim të të dhënave të para, na rezulton që elemente armiq dhe persona të tjerë të paformuar ideologjikisht, vazhdojnë të bëjnë komente, që në përmbajtjen e tyre i kundërvihen problemeve që ngre shoku Enver në fjalimet e tij në Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe në Plenumin III të Komitetit Qendror të PPSH.

Kështu, duke teorizuar për zhvillimin e sotëm, ata, quajnë normale modën ekstravagante dhe shthurjet morale, duke i argumentuar me modernizmin apo lirinë e personit. Lidhur me këtë problem disa elemente armiq thonë se: “... çështja e luftës kundër shfaqjeve të huaja është çështje fushatash. Atë që përgatit partia natën, rrëzohet ditën, megjithatë këtyre s’ke ç’u bën se u mboll kjo farë, këto janë plagë të rënda që vuan shoqëria jonë. Këtu s’ka liri e demokraci. Pse nuk e lënë rehat të zhvillohet normalisht rinia. Ajo ka nevojë që vetë të gjejë rrugët e saj në jetë dhe me siguri do të gjejë rrugën më të mirë etj.”

Dy piktorë në Pogradec kanë komentuar se: “... Zanati ynë ka nevojë për liberalizëm, liri, për të zgjedhur të bukurën, qoftë kjo dhe e huaj. Po s’pate revista të huaja, me ilustrime, nga ku mund të zgjedhësh gjëra moderne dhe të bukura, reklamat tona, nuk do të kenë estetikë.” Ndërsa, një element armik në Durrës, në orën e mësimit të letërsisë, ju fliste nxënësve për modën, gagarelet e mënyrën e jetesës amerikane, veprim ky që influencon negativisht tek ata. Të tjerë persona në Berat, midis tyre dhe arsimtarë, thonë se: “... mbi kokën time pushtet jam vetë dhe nuk më urdhëron kush. Brenda shkollës do të qëndroj ashtu si kërkohet, ndërsa jashtë do të vishem sipas gustos time, mund të bëj tualet, bile të vë edhe manikyr.”

Në shumë komente (disa me qëllim armiqësor, disa nga naiviteti) thuhet se moda ka marrë proporcione të gjera pse vetë disa fëmijë të udhëheqësve dhe komunistëve janë bërë shembull i kësaj, prandaj tash, nuk mund të ndalohen dëshirat dhe pasionet e të rinjve sikur edhe diktaturën e dhunën të përdorim.

Një shkrimtar në Tiranë thotë se: “... shoqëria e jonë e ka virusin e sëmundjes në vetë qelizat e saj dhe asnjë fjalim nuk mund ta shërojë. E keqja nuk qëndron as tek flokët, as tek ndonjë këngë e tepruar, por në atë që shpesh herë gjërat bëhen në kundërshtim me dëshirat e njerëzve. Njerëzit duan të jetojnë të lirë dhe jo me shijet e idetë e injoruara ...”, ndërsa një tjetër, në lidhje me kritikën që i bëhet Xhevahir Spahiut, shprehet se: “... detyra e shkrimtarit është që të paraqesë realitetin, këta thonë shkruani, kurse filozofinë na e lini ne ...”

Ka shkrimtarë, të cilët kanë shkuar në shtëpinë botuese dhe kanë tërhequr veprat e shpëna për botim, nga frika e ndonjë kritike publike. Ata mendojnë se tani do të kalohet në ekstremin tjetër.

Mjaft persona kanë shfaqur urrejtje për muzikën shqiptare dhe kanë lavdëruar atë të perëndimit. Në këtë drejtim ka komete që thonë se: “... muzika që jep radio-Tirana është pa kuptim, dëgjon vetëm budallallëqe. Muzikë është ajo e perëndimit. Neve jemi shumë prapa, bile vendi më i prapambetur në botë. Dëgjo Italinë, Greqinë, kjo është muzikë e këndshme, ta do shpirti, të bën për vete etj.”

Ka komente që flitet me simpati për filmat revizionistë, të cilët i shikojnë në stacionet e huaja televizivë dhe thonë se: “ata kanë bërë kthesë në art e letërsi”.

Për festivalin XI komentojnë se: “Ai ishte në rregull. Këto shfaqje janë fenomene që ndodhin në rini etj.”

Në Korçë, janë bërë biseda të shumta, se festivali i IV i këngës ka patur mjaft të meta, sidomos në tekstet e këngëve. Është pohuar se në ato dominojnë tema dashurie, kishte dhe këngë që nuk i përgjigjeshin kërkesave të krijimtarisë. Në këtë qytet janë dhënë drama: “Të pamposhturit”, “Mosha e madhe”, “Stuhia fshin të vjetrën”, po përgatitet për t’u dhënë “Nata e 12-të”. Nga komentet që bëhen del se në to ka shfaqje të theksuara liberalizmi, në disa raste mohojnë rolin e partisë dhe nxjerrin në plan të parë teorinë e spontanitetit, pikëpamjet anarkiste e majtiste etj.5

Disa elementë armiq dhe kulakë, problemet i lidhin me gjendjen gjoja, të keqe ekonomike në vendin tonë dhe thonë se: “... Këta nuk shikojnë të përmirësojnë jetën e popullit, por kritikojnë modën, ngrejë normat dhe s’bëjnë asgjë të saktë etj.”

Ka edhe raste që shkohet në ekstrem si p.sh. në shkollën 8-vjeçare “23 Nëntori” në Qytetin Stalin, kanë marrë berberin në shkollë dhe kanë qethur në mënyrë demonstrative 20 nxënës. Kjo ka influencuar negativisht në kuptimin e drejtë të materialeve të partisë nga nxënësit, mësonjësit dhe personat e tjerë.

Në shkollën “22 Tetori” Berat, një nxënësi të klasës së VII i është gjendur leksioni i Ana Pavllovnës, që bën fjalë për degjenerimin moral të rinisë. Me këtë material janë njohur 6 të rinj.

Për të gjitha problemet e mësipërme janë vënë në dijeni komitetet e partisë në rrethe.

Zv. Ministri i Punëve të Brendshme

FEÇOR SHEHU

Në këto vite poezia e Xhevahir Spahiut, sipas dokumenteve në libër, ishte kritikuar deri edhe nga vetë diktatori Enver Hoxha. Ja se ç’ thuhet ndër të tjera në dokumentin “Informacion i Jakup Matos mbi diskutimin rreth poezisë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve”, që daton në 29 mars 1973.

INFORMACION PËR DISKUTIMIN MBI POEZINË TË ZHVILLUAR NË LIDHJEN E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE

29 mars 1973

“...Përgjithësisht në mjaft raste silleshin shembuj por nuk bëheshin përgjithësimet e nevojshme e të nxirreshin konkluzione të një karakteri më të gjerë (veç konkluzioneve të Dritëro Agollit, diskutimit të Dalan Shapllos e ndonjë tjetri). Kjo u vu në dukje dhe në ndonjë diskutim, ku u përmendën si shembull mësimdhënës konkluzionet që nxjerr shoku Enver në analizën që i bën vjershës së Xhevahir Spahiut.

Ndër shkaqet e këtyre prirjeve jo të shëndosha u theksua pregatitja e pamjaftueshme ideologjike e artistike, ndikimi i letërsisë e artit borgjez, i asaj kosovare e cila lexohet mjaft, mungesa e shikimit me syrin kritik e me kritera të drejta të kësaj letërsie; u theksua gjithashtu se disa, për të qenë brenda, merren me tema të vogla, se këtu mund të gabosh më pak.

U kritikuan redaksitë, të cilat nuk e kanë luajtur si duhet rolin e tyre, ato janë treguar liberale duke botuar herë pas here poezi të tilla ato kanë nxitur këtë lloj krijimtarie. Redaksitë nuk kanë nxjerrë konkluzionet e duhura nga materialet që u vinin e sidomos nga ato që nuk botonin.

Në diskutim u theksua se shkak tjetër i këtyre lëshimeve e ndikimeve të huaja është se kritika nuk e ka luajtur si duhet rolin e vet, ajo shpesh është recensionale, apo lavdëruese. Disa nga kritikët më të formuar janë mbyllë në vetvete, ndërsa të tjerët janë hedhë në studime dhe merren shumë pak me krijimtarinë letrare bashkëkohore; veç kësaj disa nga shkrimtarët më të formuar e me përvojë nuk po merren me kritikë. Në disa organe si në “Drita” shkruajnë thuajse vetëm disa kritikë fare të rinj…”

Vëllimi i dytë i librit “Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit”

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?