Kronikë

Atentatet mafioze që tronditën Shkodrën këtë vit, nëntë viktima nga janari deri në shtator

8 Shtator, 20:29| Përditesimi: 8 Shtator, 20:44

  • Share

1757356692_vrasjeneshkoder.jpg

Foto: Kristian Kola, Armando Pali, Piro Prroni, Anila Ndoka dhe Kol Manaj

Viti 2025 ka nisur me atentate mafioze e krime në familje, veçanërisht në qytetin e Shkodrës. Që prej janarit e deri më sot në këtë qytet janë vrarë 9 persona, ku ndër të tjera shkak të vrasjeve janë gjakmarrja apo konflikti për pronën.

Atentati i Erogen Brajoviç

Mëngjesin e kësaj të hëne (8 shtator) dy persona u plagosën dhe 2 të tjerë u vranë në një lokal pranë Bashkisë së qytetit. Shënjestër e atentatit ishte 43-vjeçari Erogen Brajoviç, allias Vaso, i cili është anëtar i fisit të Bajrit, vëllai i Denis Brajoviç (Bajri). Nga atentati mbeti e plagosur edhe kamerierja 25-vjeçare Meri Kaceri. Ndërkohë, i vdekur mbeti Armando Pali, dhe Liridon Kraja (Lushi) 31-vjeç, truproja e Erogen Brajoviç. Autori 29-vjeçar, Ragip Gila u vu në pranga.

Ekzekutimi i Kristian Kolës

Një atentat mafioz tronditi Shkodrën mbrëmjen e së enjtes (4 shtator), ku 34-vjeçari Kristian Kola u ekzekutua pranë “Kinema Republika” ndërsa po pinte kafe në katin e parë të një hoteli. Dy persona të maskuar që lëviznin me motor hapën zjarr ndaj tij, duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa një person tjeter qe ishte ne tavoline me te nuk u prek nga plumbat. Motivi i vrasjes mbetet i panjohur, pasi viktima nuk kishte konflikte apo precedentë penalë të rëndë. Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor dhe po kontrollon kamerat e sigurisë për identifikimin e autorëve.

Vrasja e Piro Prronit

61-vjeçari Piro Prroni u vra më 28 gusht pas sherrit për një parcelë me kanabis në fshatin Abat të Shalës në Shkodër. Autori i vrasjes Ndoc Maçaj, i cili u vetëdorëzua në polici, rezulton se ishte kryeplaku i fshatit Abat, njëherazi edhe kushëri i 61-vjeçarit. Dëshmia e tij ka zbardhur të gjithë dinamikën e vrasjes dhe përplasjen mes tyre për 80 rrënjë kanabisi që ishin kultivuar në tokën në pronësi të autorit të vrasjes, në zonën e njohur si “Pushime”.

Ekzekutimi i ish-policit në Vaun e Dejës

Një vrasje me armë zjarri u regjistrua në fshatin Paçram, Vau i Dejës më 4 gusht. Viktimë mbeti Frrok Lleshaj, 65 vjeç, ish-efektiv i Policisë deri në vitin 1994. Paraprakisht dyshohet se vrasja e ish-policit lidhet me një hakmarrje të mundshme. Sipas dosjes hetimore dhe vendimit të gjykatës, rezulton se ai ka vrarë kushëririn e tij Dodë Lleshaj më shumë se dy dekada më parë. Për këtë krim ai ishte dënuar me 25 vite burgim, të cilin e kishte përfunduar vetëm dy vite më parë, duke u liruar në mesin e muajit prill 2023.

Vrasja e Pavlin Prekës

Një vrasje me armë zjarri tronditi Gucinë e Re më 27 shkurt. Viktimë mbeti 20-vjeçari Pavlin Preka. Për vrasjen, janë shoqëruar në polici dhjetëra persona, por nuk hetimi për ngjarjen nuk është mbyllur ende.

Vrasja e Anila Ndokës

Anila Ndoka, nënë e 3 fëmijëve ndërroi jetë më 24 shkurt pasi, u qëllua me plumb në kokë nga burri me të cilin bashkëjetonte (18 shkurt). Autori Kol Manaj, 10 vite më i ri se ajo, po me plumb në kokë i dha fund jetës.  Krimi tronditi mbarë opinionin publik. Ajo ishte divorcuar nga ish-bashkëshorti para 8 vitesh dhe kishte gjetur ‘shpresë’ në një lidhje tjetër, që fatkeqësisht përfundoi tragjikisht.

Vrasja e Ramazan Mataj

Një i ri u ekzekutua në Shkodër në një antenat mafioz në zonën e Dragoçit më 4 janar, teksa ishte duke shkuar me makinë në shtëpi. 33-vjeçari u vra me breshëri kallashi rreth një vit pasi ishte kthyer nga Belgjika në vendin tonë.

Ramazan Mataj kishte një lidhje të gjatë dashurie me një vajzë të fshatit dashuri e ndaluar kjo, pasi familja e kishte martuar të renë, 2 herë. Martesat dyshohet se janë prishur pikërisht prej historisë që të rinjtë nuk e ndalën, dhe që nuk u kalua lehtë nga vëllai i madh i vajzës, i cili siç tregoi në një rast i kishte parë bashkë.

Me këtë mllef të mbledhur, ndikuar nga mentaliteti dhe rrethi miqësor dhe me motrën të dëbuar nga familja, Arjon Hasaj 29 vjeç thuri planin për të vrarë 33-vjeçarin Ramazan Mataj, bashkëfshatarin e tij.


Lajmi kryesor:

Masakër në Shkodër me 2 të vrarë! Plagoset anëtari i Bajrave dhe kamerierja! Pranga autorit: Doja të vrisja Erogenin! ‘Bastisen’ banesat e fisit Lici (FOTO+VIDEO)


Xh.K/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Masakra me 2 viktima në Shkodër, sa të sigurt ndiheni?