Gjendja e dy vëllezërve të mitur që u plagosën në atentatin e mbrëmshëm (17 prill) në Tiranë, bashkë me 2 të afërm të tjerë, mbetet ende kritike dhe sidomos ajo e 11-vjeçarit.
Djemtë e pronarit të shoqërisë së ruajtjes fizike “Pelikani” po trajtohen në spital, por familjarët kanë zgjedhur mjekimin e tyre jashtë vendit (në Itali), ku mendojnë se do të marrin trajtim edhe më të specializuar.
Gazetari i Report Tv, Sokol Dema, rrëfeu sot në ‘Studio Live’ detaje nga hetimet e deritanishme për atentatin e ndodhur në periferi të kryeqytetit, në Lundër.
Ai tha se pistat janë disa, kurse autorët që lëviznin me motoçikletë, nuk përjashtohet që t’i përkasin një grupi vrasësish me pagesë.
Gjithashtu edhe probabiliteti i lartë që autorët e larguar në drejtim të paditur, të kenë ngatërruar shënjestrën. Kjo, pasi një prej pistave dhe hipotezave është se objektiv ka qenë e veja e Roan Brahimit, i vrarë vjet në Greqi, të cilit dy orë para ngjarjes së Tiranës iu ekzekutua edhe babai në Pllanë të Lezhës.
Edhe pse ajo e ka mohuar, tangentja hetimore që lidhet me hakmarrjen, sepse Roan Brahimi njihej si armik i Ervis Martinit dhe grupit të tij, mbetet e mundshme dhe vetëm hetimet e mëtejshme do të hedhin më shumë dritë.
“Të dy vëllezërit janë në spital, në gjendje kritike, 11-vjeçari është më rëndë, kurse 17-vjeçari më stabël. I mituri ka dëmtime të 3 organeve jetësore dhe situata është kritike. Familjarët kanë vendosur që të dërgohen në Itali, bashkë me të vëllanë 17 vjeçar. Janë të dy djemtë e pronarit të një agjencie të sigurisë private. Dy të tjerët janë relativisht më lehtë, të afërm, por po mbahen nën kujdesin e mjekëve. Kishin festuar së bashku në një zonë në periferi të Tiranës, në një zonë ku bëhen edhe gara me makina, kur ka shkuar shoferi i firmës për t’i marrë. Do të vijonin festën e ditëlindjes së 11-vjeçarit në familje, por kur po afroheshin tek banesa, sa kalon unazën, u gjendën nën breshëri të plumbave nga një motor në lëvizje drejt makinës luksoze. Për 1300 metra ka vijuar kjo ecje për t’i shpëtuar plumbave, ose për shkak të prishjes së frenave nga goditjet. Autorët janë larguar rnë drejtim të paditur me motoçikletë dhe janë ndjekur. Të pranishmit i dhanë ndihmë të plagosurve, duke i dërguar me urgjencë me mjete drejt spitalit. Makina ka pasur 7 plumba në trupin e saj”, rrëfeu gazetari dinamikën dhe detajet hetimore.
I pyetur nga moderatori Arbër Hitaj, nëse dy ngjarjet e Lezhës dhe Tiranës lidheshin mes tyre, Dema u shpreh se është një nga pistat që po verifikohet. Një hipotezë mbetet që shënjestra të ketë qenë e veja e Roan Brahimit, e cila ka shtëpinë afër të plagosurve dhe makinë po të ngjashme.
“Ka qasje që e çon grupin hetimor drejt një piste të tillë. Ka detaje dhe të dhëna që po verifikohen nga grupi hetimor. Bëhet fjalë për ekzekutimin dje të babait të Roan Brahimit në Pllanë të Lezhës, teksa Roani vetë ishte vrarë më 2024. Lidhja në fakt bëhet për faktin se e veja e Roan Brahimit jeton shumë pranë banesës së të plagosurve. Ka pasur ngjashmëri të makinës së saj me të të plagosurve. Mund të ketë edhe gabim të shënjestrës nga autorët dhe kjo po vlerësohet si pistë e mundshme. Ajo është marrë në pyetje, ka thënë se nuk ka infromacione për autorët apo probleme, edhe pse ka pranuar konfliktet e bashkëshortit të vdekur vitin e kaluar”, u shpreh ai.
Por a qëndron grupi i Ervis Martinajt pas saj? Gazetari tregoi edhe përplasjen e hershme mes grupeve që mund të ketë kaluar në hakmarrje të përgjakshme.
“Pista për sagën e hakmarrjes me konfliktet e Ervis Martinajt janë marrë në konsideratë si pistë nga grupi hetimor. Roan Brahimi ka pasur përplasje deri edhe në dëmtim të figurës, për shkak të një borxhi të pashlyer nga Roani ndaj Brilant Martinajt, veprim i këtij të fundit që për shkaqe etike nuk po e përmend. Pas kësaj ka ndodhur edhe atentati ndaj Brilant Martinajt dhe dy miqve të tij. Dyshohet se Roan Brahimi mund të ketë lidhje apo ta ketë porositur. Po pas këtij atentati ka pasur edhe atentat ndaj Ylli brahimit, që nuk kalidhje familjare me Roanin, kurse më pas edhe vrasja e Gentjan Bejtjes, ku përsëri ka dyshime se Roani mund të jetë i implikuar. Të gjitha këto ngjarje Prokuroria dhe Policia i lidh si pista hetimore. Ka dyshime se autorët janë miq të Ervis Martinaj dhe lidhje të tij, që janë autorë të krimeve. Por hetuesit po hetojnë edhe pista të tjera për ngjarjen e Tiranës, atentatin me 4 të plagosur, duke selektuar pistat njëra pas tjetrës. Po verifikohen dhe krahasohen të dhënat. Ngjarja e Lezhës dhe Tiranës kanë një diferencë mes tyre prej dy orësh. Por nuk mund të thuhet nëse janë i njëjti grup kriminal, edhe pse koha, distanca e saj, është e mjaftueshme. Nuk përjashtohet edhe mundësia sipas grupit hetimor, që të jenë atentate me pagesë”, vijoi Dema.
Për sa kohë që Policia dhe Prokuroria nuk kanë dhënë prononcim zyrtar për fatin biologjik të Ervis Martinajt, nëse është gjallë apo vdekur, probabiliteti për të parën, duke e lidhur edhe me ngjarjet e fundit, mbetet i konsiderueshëm.
“Policia dhe Prokuroria nuke kanë zgjidhur ende çështjen e Ervis Martinajt, nëse është gjallë apo i vdekur. Ka probabilitet që ai të jetë gjallë, referuar edhe ngjarjeve të fundit, por këtë duhet ta thotë Policia ose Prokuroria, të cilat kanë afatet e tyre për ta shpallur një person të vdekur pas humbjes. Kemi një kthim të rrotës së historisë së këtij rasti,ku në fillim u sulmuan njerëz të Ervis Martinit dhe tani po goditen kundërshtarët e tij. Zona e Kurbin-Milotit mbetet ende problematike apo dhe deri në Fushë-Krujë. Ajo zonë prodhon elementë kriminalë dhe nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë”, tha gazetari.
Kurse nëlidhje me personazhet e botës së krimit shqiptar që fshihen në Emiratet e Bashkuara Arabe apo gadishullin arabik, ai u shpreh:
“Për personat e kërkuar në Dubai ka një rrugë tashmë që ka dhënë rezultat, ajo e deportimit, meqë nuk arrihet me anë të ekstradimit, kemi rastin e Plarent Dervishajt, që mund të ndiqet si rrugë edhe me të tjerët”.
Komente
