Berat- Policia e Beratit dhe ajo e Durrësit vihen në kërkim të dy vëllezërve Maloku, që akuzohen si autorët e atentatit të dështuar të mbrëmjes së djeshme (2 Janar), i ndodhur në lagjen “Donika Kastrioti” të qytetit të gurtë.
Ditën e sotme (3 Janar), u bë me dije se janë shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të ngjarjes Fatjon dhe Marko Maloku, 36 dhe 35 vjeç, të dy banues në qytetin bregdetar.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pasditen e djeshme, ku dy shtetas qëlluan me armë zjarri nga një automjet në drejtim të shtetasve A. M., dhe A. Dh., 39 vjeç, (Antonio Merkaj dhe Apostol Dhembi), të dy banues në Berat, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda bëri të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të shtetasve F. M., 36 vjeç dhe M. M., 35 vjeç, vëllezër, (Fatjon dhe Marko Maloku), të dy banues në Durrës”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Kërkimet dhe kontrollet po kryhen nga të dyja policitë, në ambiente ku mendohet se mund të fshihen të dyshuarit.
Dy shokët i shpëtuan atentatit mbrëmjen e së enjtes, teksa u qëlluan me breshëri automatiku “Kallashnikov”, nga një automjet tip “Ford” me ngjyrë të zezë, teksa ishin në afërsi të karburantit “Merko".
Merkaj dhe Dhëmbi kanë ikur me vrap nga karburanti në drejtim të spitalit, ndërkohë që makina i ka ndjekur nga pas, sipas rrëfimit të tyre, duke vijuar t’i qëllonte. Teksa shënjestrat u fshehën, atentatorët u larguan me mjetin e tyre.
Në hetime është përfshirë edhe Prokuroria e Beratit. Pista e parë për motivet e krimit dyshohet se është ajo e prishjes së pazareve të drogës, por po verifikohen edhe konflikte të tjera.