TIRANË- Policia ka zbuluar disa prova që mund t’i çojnë hetuesit në gjurmët e autorëve të atentatit me 4 të plagosur në Lundër më 17 prill.
Grupi hetimor gjeti disa objekte dhe sende në një vend pranë atentatit, ku mendohet të kenë qëndruar autorët para atentatit.
Në këtë hapësirë pamjet e së cilës Report Tv i siguron është dëmtuar edhe një gardh metalik. Materiali gjenetik i gjetur në këto objekte do të analizohet në laborator, me shpresën se hetuesit nuk kanë gjetur sende të rastësishme.
Një javë nga atentati ku u plagosën dy fëmijët e pronarit të “Pelikani Security”, shoku i tyre dhe shoferi i familjes, hetuesit akoma nuk e kanë të qartë shënjestrën e atentatit.
Çfarë dimë deri më tani?
Mbrëmjen e 17 prillit, fëmijët po ktheheshin në shtëpi pasi kishin festuar jashtë Tiranë ditëlindjen e djalit 11-vjeçar të pronarit të “Pelikanit”. Atentatorët nisën të qëllojnë në drejtim të makinës “G Class” që drejtohej nga Arenc Stafa, në lëvizje. Përveç 7 gjurmëve të plumbave në makinë, një plumb ka kapur edhe një automjet që lëvizte në afërsi. Drejtuesi i saj është larguar menjëherë prej frikës, por pak çaste më vonë njoftoi policinë.
Autorët u larguan me një motoçikletë “Ducati” në drejtim të Elbasanit. Policia njoftoi zyrtarisht 2 ditë pas atentatit se gjeti të djegur në afërsi të fshatit Fikas në Mullet, një motomjet të djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët.
Hetimet e policisë kanë treguar se autorët, dy persona në numër, e studiuan me shumë kujdes vendin ku do të kryhej atentati, ku u plagosën 4 persona, mes të cilëve 2 të mitur. Sipas burimeve, rreth orës 03:30 të mëngjesit të datës 17 prill, afërsisht 18 orë para atentatit, ata janë parë pranë vendit të ngjarjes me kallash në duar, duke vëzhguar terrenin dhe kushtet përreth. Mbi këtë shtohen dyshimet se ruajta e shënjestrës, e cila akoma mbetet mister kush ishte, mund të jetë pritur edhe ditë të tjera para atentatit.
Komente
